E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbërrijnë "Krushqit e Diasporës"

Vetëm një javë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe mbërritjes në Durrës të një numri të madh emigrantësh shqiptarë, një tjetër grup ka zbritur dje në portin e qytetit bregdetar. "Krushqit e diasporës" është grupi i përbërë nga 12 veta, të cilët kanë udhëtuar nga Gjermania, Austria dhe Italia për të mbërritur në Shqipëri me parullat falënderuese jo vetëm për shqiptarët, por për të gjithë ata që kanë mbështetur pavarësinë e Kosovës.

Grupi i shqiptarëve nga Kosova, pjesë e Unionit Artistik Shqiptar, të cilët ishin nisur nga Gjermania, kanë mbërritur dje në Durrës. Ali Berisha, pjesëtar i këtij grupimi, tha se "Krushqit e diasporës" dëshirojnë të falënderojnë publikisht Shqipërinë për mbështetjen që ka dhënë në procesin e pavarësisë së Kosovës.

"Krushqit e Diasporës" kanë mbërritur në Durrës për të vazhduar më pas drejt Kosovës. Berisha tha gjithashtu se sot në orën 10:00 do të bëhet një parakalim falënderues në Tiranë, ndërsa një ditë më pas grupi do të jetë në sheshin qendror të Prishtinës. Pjesëtarët e grupimit "Krushqit e Diasporës" janë organizuar nga Unioni Artistik i kombit shqiptar me qendër në Tiranë. Grupi ka udhëtuar në itinerarin Gjermani-Austri-Itali-Shqipëri, për të vijuar më pas në Kosovë. Ata kanë mbajtur në duar flamuj të SHBA dhe vendeve të BE-së, si dhe parulla që uronin popullin e Kosovës për pavarësinë.

Grupi prej 12 vetash, i nisur dy ditë më parë nga një port italian, nuk është i pari i mbërritur në portin më të madh shqiptar. Ditën e shpalljes së pavarësisë, por edhe në ditët e mëvonshme, mijëra emigrantë kosovarë, të cilët punojnë e jetojnë prej vitesh në vende të ndryshme të botës, mbërritën përmes Durrësit në vendlindjen e tyre për të prekur nga afër emocionet e momentit të madh, shpalljen e pavarësisë dhe lindjen e shtetit të Kosovës.

Një fluks i madh dhe i pritshëm detyroi policinë shqiptare të merrte masa shtesë dhe të dyfishonte personelin e shërbimit, sidomos në pikat e kalimit kufitar, në Durrës dhe Morinë të Kukësit, për të shmangur radhët e gjata dhe incidentet e mundshme. Llogaritet që brenda një jave të kenë kaluar në pikat kufitare mes Shqipërisë dhe Kosovës më shumë se 7 mijë kosovarë, të cilët kanë festuar me të afërmit e tyre festën e madhe të pavarësisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›