Kalorësit e apokalipsës
Të enjten në mbrëmje, CNN-i ndërpreu programin e rregullt për të treguar pamje nga demonstratat në Beograd, të organizuara nga Kryeministri Koshtunica dhe aleati i tij i rizbuluar politik, ish-paramilitari dhe radikali Tomislav Nikoliç. Grupe të hallakatura të "tifozëve sportivë", ish-rezervistëve dhe vandalëve, kanë atakuar ambasada të ndryshme perëndimore, ndërsa në sheshin kryesor politikanët mbanin fjalime të pasionuara. Udhëheqësi i CNN-it, Jim Clansy, në një moment komenton diçka me gjysmë zëri që "për serbët Kosova është Jerusalem dhe prandaj shumë serbë kanë reaguar me dhunë ndaj këtij lajmi". Edhe në disa komente të para mediale nga mediat e ndryshme në mbarë botën, të postuara në Internet, vërehet një trohë hamendjeje se mos po nis diçka e tmerrshme në Ballkan, për shkak të njohjes së Kosovës? Nuk do shumë imagjinatë që te disa diplomatë evropianë, e ndoshta edhe në publikun evropian, të lodhur nga lajmet për probleme në Ballkan, mund të ketë reaksion të brengosur se ç‘po ndodh me demonstrata të dhunshme, pika kufitare të kallura e retorikë nxitëse. Kjo edhe mund të luhatë bindjen që vendimi më i mirë është marrë për Ballkanin. Një shtresë e caktuar e burokratëve evropianë me gjysmë zëri kanë pranuar pavarësinë e Kosovës, pjesërisht edhe duke besuar që një lloj dëmi po i bëhet Serbisë. Që pavarësia e Kosovës është e keqja më e vogël - opsion i keq, por i detyruar.
Mitingu në Beograd është ngjarje që demonstron më së miri arsyet se pse Kosova ka kërkuar pavarësinë. Kë po shohim në ekrane televizive duke propaganduar që "Kosova është Serbi"? Është Vojisllav Koshtunica, politikan minor që u bë figurë në Serbi, vetëm pasi ekspertët e sondazheve vërejtën që është politikani që mund të rrëzojë Milloseviçin, pasi është nacionalist i përbetuar dhe mund t‘i tërheqë votat e djathtistëve. Vojislav Koshtunica dhe ministrat e tij besnikë janë duke përdorur terme që kanë qëllim të degradojnë, frikësojnë apo shkaktojnë dhe përkrahin dhunë dhe veprime paragjykuese ndaj shqiptarëve të Kosovës. Ky është edhe definicion enciklopedik i gjuhës së urrejtjes, i cili nuk duhet frikësuar, por gërditur publikun normal evropian. Koshtunica është duke ndarë ekranin me Toma Nikolicin, i cili publikisht ka pranuar të ketë qenë paramilitar në fushatat kundër Kroacisë dhe Bosnjës, ku bandat e tij dhe Shesheljit kanë shkaktuar masakrat më mizore pas luftës. Toma Nikolic, ca javë para se të vritet Xhinxhiç, thërret publikisht për vrasjen e tij. Më 1991, Nikoliç ka deklaruar që "Miloseviç është frikacak, ai ka bëri thirrje për luftë - unë kam shku vetë në luftë". Koshtunica është afër edhe peshkopit Amfilohije Radoviç, njërit nga klerikët më nacionalistë të Kishës Ortodokse, person i cili nuk fsheh simpatinë dhe përkrahjen për kriminelët e luftës, Ratko Mlladiç dhe Radovan Karaxhiç.
Pamjet e qeta me qirinj dhe lutje për Kosovën nuk duhet të mashtrojnë Evropën. Ky person nuk po lutet për paqe. Në fjalimin e tij të njohur gjatë varrimit të Kryeministrit Xhinxhiç më 2003, peshkopi pat tmerruar familjen e të ndjerit, duke pohuar që Xhinxhiç ia bëri gropën vetit me fjalët "kush e nxjerrë shpatën, nga shpata vdes". Shumëkush ka kuptuar që fjalët e tij ishin hakmarrja e fundit ndaj politikanit që dorëzoi Miloseviçin në Hagë. Porosia e Koshtunicës po amplifikohet nga mediat agresive serbe, nga disa fytyra të njëjta mediale që propagondonin vrasje gjatë luftërave të viteve 1990. Është ironike ta shohësh Miroslav Lazanskin, gazetarin më të spikatur nacionalist, të shkruajë kolumne në të përditshmen "Politika", media që ishte platforma e sundimit Miloseviçian. Tabloidet serbe kanë pasur dy vite të negociatave për ta mbushur kupën me helm. Çdo ditë shtesë të negociatave veçse kanë hapur më shumë dritaren e mundësisë për nacionalistët të shtojnë decibelat në thirrjet e tyre. Televizioni publik serb, RTS, njëherë veç i bombarduar nga NATO-ja për shkak të nxitjes së urrejtjes, i është kthyer pllakës së vjetër. Ministrat e DSS-it të Koshtunicës po ashtu përkrahin veprimet e dhunshme të "tifozëve sportivë".
Edhe këta duhet demistifikuar. S‘janë këta huliganët e lindur nga klasa punëtore e qyteteve evropiane. Organizatat e tifozëve në Serbi kanë qenë paravan për mbledhje të paramilitarëve të vërtetë gjatë të nëntëdhjetave. Organizatat e tifozëve të Obiliqit dhe "Cervena Zvezdës" kanë qenë të përkrahur financiarisht nga Arkani, një kriminel tjetër i luftërave. Ministrat e Koshtunicës i përkrahin publikisht këta ekstremistë - edhe pse në klithmat e tyre gjatë protestave të fundit përsëritnin parullat e rimuara vdekjeprurëse: "Thika, teli, Srebrenica" (Noz-zica-Srebrenica), "Vraj, prej n‘fyt, që shqiptari të zhduket" (Ubij-zakolji-da-siptar-ne-postoji). Kjo pra është Serbia që po proteston në TV. Amalgam i politikanëve nacionalistë që kërkojnë renesansë të karrierës së tyre politike, duke rilindë edhe ndjenjën nacionaliste. Qyqarë dhe vrasës që sot e kësaj dite janë pishman se pse nuk vranë më shumë "ustashë, balija e shiftari" sa patën mundësi - ndoshta ashtu do t‘i kishin fituar luftërat e humbura. Duke shkruar këto rreshta, dëgjoj edhe një margaritar të argumentimit serb. Komentatorët "liberalë" ankohen se "pse po na merret Kosova për shkak të Miloseviçit, kur ka 8 vite që jemi demokraci proevropiane". Serbia ndoshta ka bërë lëvizje progresive në ekonomi të tregut. Ndoshta edhe ka organizuar zgjedhje demokratike dhe ka reformuar sistemin politik.
Megjithatë - retorika e Serbisë e viteve të fundit për njohësit e Ballkanit, edhe për ne të shkretët që kjo gjuhë urrejtjeje na shkatërroi një pjesë të madhe të jetës, nuk është e ndryshme prej fjalëve që na tmerruan në verën e vitit 1989. Me këtë Serbi nuk ka vend për ta dialoguar Kosovën. Kjo është Serbia e Vukovarit, Sarajevës, Srebrenicës, Reçakut e Suha Rekës. Serbia, e cila kërkon Kosovën, por nuk i sheh kosovarët për njerëz. Që pretendon të jetë e brengosur për kisha, por s‘i vjen as era e vlerave të krishtera. Por, me këtë Serbi nuk duhet të merremi ne. Duhet të merret Evropa. Ne duhet të përveshim mangët që shoqërinë tonë ta bëjmë të suksesshme. Të mos biem pre e provokimeve dhe taktikës së tmerrimit dhe propagandës. Ndoshta nacionalistët serbë edhe do të harxhohen në retorikë, si ndonjë ballon i shfryer. Por argumentimi i shoqërive të civilizuara kundër kësaj kuçedre të rilindur nuk duhet të zbutet.