Totenhemi merr Kupën e Ligës
Huande Ramos është mbreti i kupave: qofshin këto në Spanjë, në Evropë (Kupa UEFA) apo në Angli. Ish-trajneri i Sevijlas nuk bën diferencime dhe këtë e ka treguar duke fituar trofeun e parë me Totenhemin. Falë teknikut spanjoll, "Spurs" morën Kupën e Ligës (Carling Cup), duke i dhënë fund "agjërimit" që prej vitit 1999, ku pavarësisht shpenzimeve marramendëse, nuk kishin fituar asgjë. Në "Uembli" ata triumfuan 2-1 në derbin londinez përballë Çelsit, sfidë që është zgjidhur në kohën shtesë, falë golit të Xhonatan Vudgejt (më parë kishin shënuar Drogba dhe Berbatov me 11-metërsh).