E Diel, 1 Nëntor 2026

Pavaresia e Kosoves dhe arroganca serbo-ruse

Shpallja e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008 dëshmoi edhe njëherë shpirtin plot urtësi dhe fisnik të popullit shqiptar. Dëshmoi se ne shqiptarët dimë të kërkojmë, të luftojmë, të gëzohemi e të respektojmë dëshmorët e rënë dhe miqtë tanë. Mundësitë elektronike mediatike informuan botën për karakterin dinjitoz, human dhe demokratik të shqiptarëve të dëshmuar me shekuj. Nuk ekziston asnjë rresht i shkruar apo dokument historik, që shqiptarët të kenë okupuar qoftë edhe një pëllëmbë toke të huaj.

Shpallja solemne e pavarësisë së Kosovës, e Republikës së Kosovës dhe deklarata e pavarësisë, e lexuar para afro dymijë përfaqësuesve të mediave botërore, përbënte mesazhin e qartë, se në Kosovën e pavarur, në këtë shtet më të ri të botës, të gjitha komunitetet dhe veçanërisht komuniteti serb, do të jenë të barabartë. Udhëheqësia e Kosovës shprehu qëndrimin korrekt e dinjitoz, vullnetin dhe gatishmërinë e sinqertë, për të siguruar paqe të qëndrueshme në Kosovë dhe Ballkan, duke garantuar zbatimin e pakos së Ahtisarit, ku pakicës serbe mbi bazën e decentralizimit i jepen territore dhe kompetenca që nuk i ka sot asnjë pakicë në cilido shtet të botës. Serbia, e mbështetur nga Rusia, edhe pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës është duke demonstruar vetëm arrogancë, nervozizëm dhe agresivitet.

Shtetarët, liderët serbë dhe Kisha Ortodokse serbe me deklaratat e tyre, harrojnë të kaluarën e përgjakshme dhe janë vënë në nxitje të protestave huliganeske e shkatërruese, për të shprehur vrerin kundër Republikës së Kosovës, që tashmë po ecën rrugës demokratike, mbështetur fuqimisht nga bota e përparuar ndërkombëtare. Mitingjet provokuese, protestat shkatërruese dhe zjarrvënëse serbe ndaj ambasadave dhe bizneseve të huaja në Beograd, tërheqja e ambasadorëve nga shtetet që e pranojnë pavarësinë e Kosovës, hedhja e mjeteve shpërthyese ndaj përfaqësive të huaja në veri të Mitrovicës, djegia e objekteve doganore në pikat kufitare në Leposaviq dhe Zubin-Potok dhe orvatja për të hyrë në Republikën e Kosovës qindra rezervistë serbë, tregojnë paaftësinë dhe rrugën pa krye ku po shkon Serbia.

Të dhënat historike, në mënyrë të pakontestueshme, flasin qartë se Serbia ka qenë një shtet në miniature, sa Sanxhaku i Beogradit dhe se zgjerimi i tij është bërë gjithnjë nëpërmjet okupimit të trojeve të huaja me vrasje e djegie, e më së shumti, të trojeve shqiptare. Këto të dhëna historike e shkencore dëshmohen edhe nëpërmjet një faksimileje të hartës së Enciklopedisë Ruse të vitit 1817, ku shihen qartë kufijtë realë të Serbisë në atë periudhë dhe në vitet 1804, 1810, 1812, 1815, 1820, 1867, të shënuara në brendinë e kësaj harte. Kjo tregon qartë se kufijtë e sotëm të Serbisë janë arritur vetëm nëpërmjet ekspeditave të përgjakshme serbe ndaj fqinjëve dhe sidomos ndaj trojeve shqiptare.

Jemi dëshmitarë të ofensivës ushtarake, paramilitare dhe policore serbe në vitin 1999 në Kosovë, shoqëruar me mijëra vrasje makabre të popullatës së pafajshme shqiptare, mes tyre edhe të fëmijëve, pleqve e grave shtatzëna, me djegie të dhjetëra mijëra shtëpive shqiptare, me përdhunime të fëmijëve para prindërve dhe të prindërve para fëmijëve, me zhdukje dhe me dëbimin e më shumë se një milion shqiptarëve nga vatrat e tyre në Kosovë.

Për shtetarët, liderët dhe kishtarët ortodoksë serbë, si dhe për mbështetësit e tyre brenda e jashtë Serbisë, do të ishte më i ndershëm dhe i dobishëm pranimi i pavarësisë së Republikës së Kosovës, se sa orvatjet e turpshme e mashtruese për ta mbuluar dhe mbrojtur fajësinë historike serbe ndaj shqiptarëve. Askush në botë nuk mund të nxjerrë qoftë edhe një fakt të vetëm që, shqiptarët të kenë okupuar edhe një pëllëmbë toke të huaj. E kundërta ka ndodhur me serbët, të cilët me shekuj, në genin dhe mendjen e tyre kanë vrasjen dhe okupimin. Hegjemonisë dhe ekspansionit serb i ka ardhur fundi. Sa më shpejt ta kuptojnë serbët, aq më mirë do të jetë për Serbinë. Treni i demokracisë dhe ardhmërisë së lumtur për Republikën e Kosovës nuk do të ndalet kurrë, jo vetëm për të mirën e popullit të Kosovës, por edhe të rajonit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›