E Diel, 1 Nëntor 2026

"Musineja flinte me rilindësit"

Ishte normale që dje, teksa Musine Kokalari shpallej "Nderi i Kombit" nga Presidenti i Republikës, në sallën "Tefta Tashko", në katin e dytë të Ministrisë së Kulturës, ku u krye ceremonia, të kishte dhe pjesëmarrës që përlotnin. Sigurisht, këta nuk qenë nga pjesa zyrtare që edhe pse nuk e ka për detyrë të përlotet, e kreu më së miri adetin e vet; ministri Pango premtoi se së shpejti dikasteri që drejton do të nisë botimin për herë të parë të veprës në dorëshkrim të Musinesë, ku përfshihet krijimtaria në disa gjini. Ndër të përloturat e djeshme ishte Mimika Kokalari, bashkëshortja e një kushëririt të saj, e që nga kjo lidhje ishte e detyruar t‘i thërriste hallë. Musineja ishte për të një hallë e përvuajtur nga të gjitha drejtimet, kujtimi për të cilën e bën të shkrehet në vaj, sidomos kur sjell nëpër mend vetminë e saj katastrofike, si dhe sëmundjen. "Ajo flinte vetëm me rilindësit", thotë Mimika, duke kujtuar të vetmen herë që shkoi në Rrëshen e ku në dhomën e saj pa të varur në mur gjithë mendjet e ndritura të kombit. Mimika, së bashku me të shoqin, ishin ndër të vetmit me të cilët Musineja pati kontakte, e të cilëve ajo u la amanet dorëshkrimet. Mijëra fletë krijimtari letrare e studime janë prej vitesh në duart e tyre. Bashkëpunimin kryesor për redaktimin dhe publikimin e atyre dorëshkrimeve ata e kanë pasur me të pasionuarin pas figurës së Musinesë, studiuesin Novriz Shehu, i cili është i pari që i ka kushtuar një libër me titullin "Vajza uragan", promovuar dje me rastin e dhënies së titullit "Nderi i Kombit".

Faqet e para të librit u janë kushtuar vajtje-ardhjeve të Musinesë nga Rrësheni (atje jetoi në internim pasi doli nga burgu) e në spitalin onkologjik të Tiranës, pasi vuante nga kanceri. Edhe nga Mimika Kokalari kujtohet si ndër periudhat me të vështira të së ndjerës, ku më shumë se në çdo rrethanë tjetër, ndjeu torturën e vetmisë dhe braktisjes. Aty janë botuar disa letra të Musinesë, ku përshkruan vuajtjet e saj në trajtimin që i bëhej në spital. Disa prej letrave u drejtoheshin dhe njerëzve në pushtet e prej tyre, kuptohet qartë se ç‘lloj torture dhe burgu jashtë hekurave ishte përgatitur për atë që në histori njihet si shkrimtarja e parë shqiptare; studiuesja e parë me titullin "doktore", si dhe politikania e parë si themeluese e Partisë Socialdemokrate. Më pas, në libër jepen të përmbledhura disa nga veprat e saj kryesore. I ndarë në disa kapituj, libri i studiuesit Novruz Shehu, rreket më tepër të parapërshkruajë një portet të Musine Kokalarit, me idenë se figura e plotë e saj do të njihet kur të nisë botimi i veprave. Por një ndër kapitujt interesantë është ai mbi botën intime të Musinesë. Siç dihet, ajo nuk u martua kurrë dhe jo thjesht për faktin se që e re hyri në burg. Duke qenë një ndër të rrallat vajza të shkolluara në Perëndim e që për kohën konsiderohej tejet e ngritur intelektualisht, ajo u përball me synimet për "shoqe jete" të shumë prej figurave të kohës, si Selaudin Toto, Mithat Frashëri e Enver Hoxha. Madje, ka një linjë gjykimi, sipas së cilës Hoxha u hakmor ndaj saj pikërisht për refuzimin që i bëri ofertës për martesë dhe për më tepër fjalëve të rënda që i ka thënë se "ti gomar ke qenë e gomar mbetesh". U hakmor duke ia pushkatuar dy vëllezërit e duke e futur dhe atë në burg e lënë më pas të harruar në internim. Sa për Mithat Frashërin, thuhet se ajo e nderonte atë personalitet, nip të rilindësve të mëdhenj, por nuk e dashuronte. Përflitet se shkak ishte diferenca e madhe në moshë mes të dyve. Por, a ka dashur dikë në jetë Musineja?! Deri tani, për të dihen vetëm inicialet A.Xh. Ky fakt është servirur për herë të parë nga shkrimtarja Englandina Mandia në librin e saj "Sonata e Hënës". Studiuesi Shehu shkruan në libër se ka folur në telefon me znj. Mandia, e ndodhur prej vitesh në Kanada, ku prej saj ka marrë konfirmimin se vërtet A.Xh. është personi që ka dashur Musineja, por pa ia thënë emrin. Shehu nga ana e tij thotë se tashmë e si se cili është ky person, por për arsye etike nuk e publikon. Po ashtu, Shehu zbulon në libër se Musine Kokalari ka shërbyer si personazh në një nga librat e shkrimtarit Shefqet Musaraj. Fjala është për Ermira Velon te "Bujku i Hanko Hallës".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›