E Hënë, 2 Nëntor 2026

Mbi 250 pjesëmarrës në konferencën ndërkombëtare “NanoBalkan 2025” në Tiranë

TIRANË, 24 shtator/ATSH/ Akademia e Shkencave njoftoi se në Tiranë do të mbahet edicioni i 5-të i Konferencës Ndërkombëtare NanoBalkan.

Ky takim i ri shkencor i nivelit të lartë (29 shtator-3 tetor 2025), do të mbledhë rreth 250 pjesëmarrës nga vende të ndryshme të botës.

Veprimtaria synon të paraqesë një gamë të gjerë të kërkimeve aktuale në nanoshkencë dhe nanoteknologji, si dhe të politikave e iniciativave të lidhura me to, të tilla si NanoBALKAN, Qendra Rajonale e Nanoshkencës dhe Nanoteknologjisë.

Kjo është konferenca e 5-të ndërkombëtare në fushën e nanoshkencës dhe nanotenknologjisë pas suksesit të katër konferencave të organizuara në Tiranë prej vitit 2021 dhe në vazhdim. Konferenca nanoBalkan 2025 organizohet nga NanoBalkan-Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Projekti SUSNANO i Universitetit të Tiranës, në bashkëpunim të ngushtë me Institutin e Nanoteknologjisë të Spanjës (ICN2) dhe Fondacionin “Fantom” (Phantoms Foundation) të Spanjës. “Konferenca synon të evidentojë arritjet më të rëndësishme në nivel botëror në nanoshkencë dhe nanoteknologji, si dhe të krijojë mundësinë e zhvillimit të politikave dhe krijimit të kontakteve, lidhjeve e bashkëpunimeve të rëndësishme për zhvillime të tjera në këtë fushë. “Konferenca nanoBalkan 2025”, synon edhe forcimin e bashkëpunimeve shkencore në këtë fushë në nivel sa më të gjerë. “Organizimi i kësaj konference ka ngjalluar interes të veçantë në komunitetin shkencor në Europë dhe më gjerë, e cila konfirmohet jo vetëm në numrin e madh të pjesëmarrësve, mbi 250 pjesëmarrës, por edhe në praninë e shkencëtarëve të shquar në fushën e nanoteknologjisë”, njofton Akademia e Shkencave. “Zhvillimi i kësaj konference në Tiranë është një impakt pozitiv i rëndësishëm, jo vetëm në lidhje me zhvillimet dhe aplikimet e kërkimit shkencor në vendin tonë, por edhe në shumë drejtime të tjera të njohjes së Shqipërisë dhe krijimit të lidhjeve të shumanshme të saj në fusha të ndryshme. Kjo do të jetë një konferencë 5-ditore, në seanca plenare dhe seksione paralele sipas një programi të bazuar në tema shumë aktuale dhe inovative si Atoms and Molecular Computing, Graphene & 2DM / Carbon nanotubes, Low dimensional materials (nanowires, clusters, quantum dots, etc.), Nanobiotechnologies & Nanomedicine, NanoChemistry and Nanofabrication tools & nanoscale integration, Nanomaterials for Energy, Nanosensors etj.”, bën të ditur Akademia e Shkencave. Gjatë ditëve të konferencës do të mbahen edhe takime të rëndësishme trepalëshe si takimi i tretë trepalësh Itali-Spanjë-Shqipëri dhe takimi i pestë trepalësh Japoni-Spanjë-Shqipëri. Gjithashtu do të zhvillohen disa workshope, të cilët i dedikohen rolit të gruas në shkencën e nanoteknologjisë, “Workshop of Women in nanotechnology”, promovimit të kërkuesve të rinj shkencorë, “NextGen Research Workshop”, workshopi mbi “Nano/Micro Materials” etj. Si edhe në konferencat e mëparshme, do të organizohet “Biosensor school”, në të cilën krahas prezantimeve do të ketë edhe demonstrime mbi përgatitjen dhe testimin e sensorëve kimikë. /a.f/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›