E Diel, 1 Nëntor 2026

Mblesëria, ja si martohen indianët

Në Indi martesat me shkuesi prej kohësh kanë fituar një pëlqim të jashtëzakonshëm. Mes shkrimeve të disponueshme mbi argumentin në fjalë, vetëm revolucionari Kamasutra e lartëson martesën me dashuri si formën më ideale të një dashurie. Martesa me shkuesi është një zakon në të gjithë vendin, pa dallim shtrese apo besimi. Por ajo që të çudit më shumë është se të rinjtë jo vetëm që nuk e konsiderojnë si një detyrim, por e preferojnë sikur të jetë ndonjë lidhje dashurie tipike perëndimore. Në sondazhin e bërë kohët e fundit, në 2563 çifte të intervistuara, 80% e tyre kanë deklaruar se janë martuar me shkuesi, por 77% kanë pohuar se janë të kënaqur që martesa e tyre ka ndodhur kështu.

Natyrisht, në kategorinë e "shkuesive" hyn një gamë e gjerë lidhjesh. Nga një anë janë meshkujt e rinj, të cilët nuk janë takuar kurrë më parë me vajzën që do të martohen dhe në një farë mënyre informohen për martesën e tyre të shpejtë. Nga ana tjetër, janë martesat me vetëshkuesi: është ajo mes dy të rinjve të dashuruar, të cilët kanë zgjedhur një partner, i cili është në gjendje t‘u përgjigjet kërkesave të familjes.

Filmat indianë, ku të rinjtë e dashuruar arrijnë të martohen pasi kanë përballuar me guxim kundërshtimin e familjeve të tyre, propozojnë një formë interesante të martesës me shkuesi, që fshihet pas aparencës së një martese me dashuri. Publiku, i tërhequr nga ndjesia e këndshme e një fundi të lumtur, shpeshherë nuk e kupton që kur një nga dy familjet e tërheq kundërshtimin dhe së bashku bashkohen për të bekuar çiftin, martesa me dashuri e heroit dhe heroinës bëhet shkuesi.

Të martohesh me dëshirë

Nëse të rinjtë indianë pëlqejnë lidhjet me shkuesi, kjo ndodh edhe për shkak se ata pranojnë dy parime të rëndësishme: e para, martesa është më tepër një çështje e familjes se sa një problem personal; e dyta, harmonia familjare dhe vlerat njerëzore janë më të rëndësishme se sa ndjenjat individuale. Por është edhe më domethënëse bindja, që një familje ngrihet në bazë të raportit mes prindërve dhe fëmijëve e te lidhjet vëllazërore, më tepër se te marrëdhënia mes burrit dhe gruas, e cila lartësohet në shoqërinë moderne perëndimore. Sipas mentalitetit tradicional indian, që ndikon ende në mënyrë domethënëse vizioni i martesës në Indi, qendra e familjes nuk është çifti.

Kontrasti mes këtyre dy ideve të jetës familjare e shpjegon popullaritetin e madh të historive të bazuara në konfliktin mes "saas" dhe "bahu", vjehrra përbindësh dhe nusja viktimë. "Beteja" që mbyllet me triumfin e nuses mbi vjehrrën, është një nga temat që përsëritet në shumë këngë, legjendave popullore dhe skenarë filmash. Ndërkohë që "bahu" mishëron parësinë e çiftit, "saas" është simboli i rëndësisë së marrëdhënieve birnore dhe vëllazërore.

Familja e zgjeruar e di që tërheqja seksuale mund t‘i shtyjë të rinjtë t‘i hedhin në ajër parimet shekullore. Një frikë e madhe është se nusja mund ta shtyjë të shoqin të shpërfillë detyrat e tij si fëmijë, vëlla, nip e xhaxha, duke e bindur të "kthejë" besnikërinë dhe përzemërsinë e tij mbi gruan dhe jo mbi familjen e origjinës.

Këto dy gjëra nuk mund të pranohen medoemos, por zakonet, tradita dhe interesat e familjes së dhëndrit kërkojnë që, të paktën në vitet e para të martesës, periudhë kjo që karakterizohet nga riorganizimi i roleve dhe raporteve, çifti të mos jetë në qendër të skenës. Vjehrra, e shumëkritikuar, nuk është gjë tjetër veçse një agjent i emëruar nga familja për të asnjanësuar ndikimin e nuses së re. Mund të ndodhë që kjo "luftë" të jetë më pak e qartë te familjet më perëndimore, të cilat e ndiejnë si detyrë ta respektojnë formalisht idealin modern të çiftit si shtyllë të bërthamës familjare. Megjithatë, arsyet në bazë të këtij konflikti kanë lënë shenja të thella në mendjet e indianëve, duke i shpjeguar me preferencën e martesës me shkuesi.

Ndoshta, të rinjtë e vlerësojnë këtë lloj martese, sepse i shpëton nga ankthi i gjetjes së një partnereje. Sido që të jenë, të bukur apo të shëmtuar, të shëndoshë apo të dobët, janë të bindur se familja do të arrijë t‘u gjejë shokun ose shoqen e duhur. Edhe pse për vajzat indiane bukuria është një faktor i rëndësishëm, në zgjedhjen e një partneri nuk ka të njëjtën peshë si në shoqërinë perëndimore. Çfarë ndodh atëherë me shenjën universale të dashurisë që e kërkon dhe e gjen kulmin e saj te çifti? Pasioni erotik, që është jetik, ajo formë dashurie që kërkon (për të përdorur fjalët e Tolstoit) "një muzikë më të çmendur dhe një verë më të fortë" e që shumë të rinj perëndimorë e quajnë një të drejtë, një premtim që jeta duhet ta mbajë, për pjesën më të madhe të të rinjve indianë është vetëm një fantazi. Por jo për këtë arsye e humbet bukurinë e saj.

Intimitet i kënaqshëm

Për shembull, kjo fantazi gjen hapësirë te filmat indianë, ku mbizotëron martesa me dashuri, e shfaqur si shembulli i rrugës drejt lumturisë bashkëshortore. Në një kulturë thellësisht hierarkike, me pengesa të mëdha e kategori të vështira për t‘u kaluar edhe nga zoti Kama, të rinjtë ëndërrojnë një dashuri të lirë nga pengesat e obligimeve familjare dhe detyrave ndaj të moshuarve apo të gjithë njerëzve që mbrojnë traditën. Kënaqësia e lidhur me këtë "kryengritje" është një nga aspektet më tërheqëse të komedive romantike të Bollivudit, të bëra një surrogat për të kënaqur dëshirat më enigmatike dhe sekretet e personave. Filmat indianë nuk janë një guidë për martesën, por një portë e hapur mbi ëndrrën universale të dashurisë. Nuk u ofrojnë të rinjve një model, por nxisin te meshkujt dhe femrat e të gjitha moshave një nostalgji romantike të dashurisë.

Në martesën me shkuesi, ëndrra për të gjetur dashurinë nuk është gjithçka, por nëse arrihet, kjo ndjenjë është më e qetë, pa zjarrin tërheqës që shoqëron lajkatimin e periudhën e parë të martesave perëndimore. Karakteristika e saj kryesore është intimiteti i kënaqshëm se sa ekstaza. Pra, në të gjitha mënyrat, ëndrra e dashurisë mbetet një element i rëndësishëm i martesës. Ndryshimi është se në martesat me shkuesi na pret një ndjenjë më pak e domosdoshme në shkallën emocionale dhe erotike, që nuk duhet të paraprijë medoemos dasmën, por që mund të vijë me kalimin e kohës, vite më pas, kur çifti është i maturuar.

Ditët e numëruara

Në të kaluarën, në Indi ekzistonin kushte objektive që e bënin më të mundshme lindjen e dashurisë pas martesës. Presioni hormonal i shkaktuar nga pastërtia e tepërt dhe mungesa e eksperiencës në lidhje me gjininë tjetër garantonin që një person i ri të ishte i gatshëm biologjikisht dhe emocionalisht të dashurohej nëse partneri ishte i kënaqur mjaftueshëm.

Martesat me shkuesi funksiononin mirë, nëse gjatë rinisë dy partnerët qëndronin të ndarë dhe nëse lidhja bëhej shpejt para se të rinjtë të kishin mundësi të njihnin partnerë/e të tjerë/a.

Edhe mes elitave të qyteteve të mëdha indiane, ku gjinitë përzihen më me liri, vetë ekzistenca e martesës me shkuesi paraqet një bllokim mendor për të rinjtë. Veçanërisht, vajzat preferojnë të mos kenë eksperienca seksuale para martese, sepse kjo gjë mund ta shkatërronte reputacionin e tyre, duke i bërë të padenja si bashkëshorte. Jo rastësisht, 69% e personave të intervistuar kanë deklaruar se nuk kanë pasur marrëdhënie seksuale para martesës dhe 30% pohonin se kishin bërë verifikime nëse partneri i tyre ishte i virgjër.

Fati i martesës me shkuesi lidhet me mënyrën në të cilën po ndryshon vizioni i ekuilibrit të drejtë mes kërkesave të familjes dhe çiftit. Ndryshimi vërehet dukshëm. 23% e personave mes 20-30 vjeç janë martuar për dashuri, një përqindje më e lartë në krahasim me 31 - 40-vjeçarët.

Me siguri duhet një punë e madhe për t‘i dhënë më shumë rëndësi çiftit në jetën e familjeve indiane. Por, nëse peshorja do të duhej të spostohej shumë, nëse në imagjinatën e indianëve çifti do të bëhej qendra e gjithçkaje, atëherë martesa mund të transformohej në një fortesë që përjashton çdo lloj marrëdhënie tjetër. Intimiteti i çiftit mund të degjenerohet lehtësisht në një inkurajim reciprok ndaj egocentrizmit. Nëse ëndrra për të ndërtuar një univers, ku dy njerëz mund ta zgjedhin vetë njëri-tjetrin, atëherë martesa me shkuesi mund t‘i ketë ditët e numëruara.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›