Dallku, vetëm detajet për kalimin te Sanderlend
Armend Dallku është më pranë se asnjëherë transferimit në radhët e Sanderlendit, skuadrës që militon në Premierligën angleze. Sipas Nexhmedin Haxhiut, menaxherit të mbrojtësit kuqezi, kanë mbetur vetëm disa detaje për finalizimin e marrëveshjes. Lajmi për hopin cilësor në karrierën e mbrojtësit 24-vjeçar është bërë i ditur nga gazeta kosovare "Express". "Armend Dallku është shumë afër transferimit tek anglezët e Sanderlend. Kanë mbetur të shqyrtohen vetëm disa detaje të vogla të kontratës me klubin e Premiershipit", deklaroi Haxhiu. Sipas menaxherit të mirënjohur, i cili ka krijuar "koloninë" shqiptare në elitën e futbollit ukrainas, lojtari i kombëtares është i pari në listën e objektivave, që trajneri Roi Kin dëshiron të afrojë që në merkaton e janarit.
Nga ana tjetër, vetë Dallku është shprehur shumë optimist se transferimi te Sanderlend do të kryhet deri në fund të këtij muaji. "Momentalisht jam me pushime pranë familjes sime dhe për këtë punë është duke u kujdesur menaxheri im. Kanë mbetur edhe disa detaje të vogla për t‘u saktësuar dhe deri në fund të muajit besoj se kjo punë do të përfundojë", u shpreh mbrojtësi. Kosovari nuk e fsheh dëshirën dhe kënaqësinë për të luajtur në kampionatin anglez, i cili është një prej aktiviteteve më të forta në botë. "Është ndjenjë e mirë të luash në Angli. Mbi të gjitha mendoj se është fat i madh për një lojtar që është rritur në futbollin kosovar, të luaj në Premierligën angleze". Lajmi për disa përforcime të reja që Sanderlendi do të afrojë është konfirmuar dje edhe nga trajneri Kin. Gjithsesi, ish-mesfushori i mirënjohur i Mançester Junajted nuk ka preferuar të zbulojë emrat: "Së fundmi jam takuar me drejtorin sportiv të klubit, Piter Uollker. Deri më tani kemi janë pesë futbollistë të cilët na pëlqejnë, madje kemi filluar edhe bisedimet për t‘i afruar në skuadër. Po i ndjekim me kujdes, pasi e dimë se për ta janë interesuar edhe disa klube të tjera". Pas 17 javëve në kampionat, Sanderlendi renditet në vendin e 17-të në Premierligë, me vetëm 14 pikë të grumbulluara. Prej pothuajse një muaji Dallku ka qenë në vëzhgimin e drejtuesve të skuadrës, pasi ekipi kishte nevojë të menjëhershme për mbrojtës cilësorë. Me transferimin e Armend Dallkut në radhët e Sanderlendit, numri i futbollistëve shqiptarë në Premierligë do të rritet në tre: pas Shefki Kuqit, i cili luan te Fullhem dhe mesfushorit të Boltonit, Blerim Xhemajlit (ky i fundit ende nuk ka debutuar në këtë kampionat për shkak dëmtimi). Dallku luan te Vorskla Poltava që prej qershorit të 2005-ës, kur është transferuar nga Elbasani, ndërkohë që kontrata me ukrainasit i skadon në verën e vitit 2008.