E Diel, 1 Nëntor 2026

Mblidhet Komiteti Ekzekutiv, trajneri, vetëm çështje orësh

Emërimi i trajnerit të ri të kombëtares shqiptare të futbollit duket se është vetëm çështje orësh. Ashtu si ka pohuar edhe kreu i FSHF-së, Armand Duka, enigma për pasardhësin e kroatit Oto Bariç është drejt fundit. Burime zyrtare në federatë kanë bërë të ditur se sot është parashikuar një takim i Komitetit Ekzekutiv, që do të shqyrtojë dy kandidaturat e mbetura: atë të holandezit Ari Han dhe të austriakut Hans Krankl. "Nesër (sot) Komiteti do të mblidhet dhe ashtu si është bërë publike nga z.Duka pritet të diskutohet edhe rreth trajnerit të ri të kombëtares", ka bërë të ditur zëdhënësi Nurishmi. "Pasi kanë studiuar alternativat dhe CV-të që kanë dy trajnerët, anëtarët pritet të japin miratimin rreth emrit që është më i përshtatshëm për të drejtuar përfaqësuesen tonë". Deri në fund, Krankl është cilësuar si kandidati kryesor për ekipin kuqezi. Austriaku është një legjendë (mbi të gjitha në periudhën kur ishte futbollist) dhe ka eksperiencë të madhe ndërkombëtare. Për më shumë, interesat e tij menaxhohen nga avokati Skënder Fani, një bashkëpunëtor i afërt me krerët e FSHF-së. Megjithatë, në orët e fundit Han është dukur më i avantazhuar, edhe pse dëshira e holandezit ishte të drejtonte Republikën e Irlandës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›