E Diel, 1 Nëntor 2026

Rreth "kartolinës" Bode për pensionistët dhe një problem i politikës sociale

Para disa ditësh, qeveria jonë vendosi t‘u shpërndante të gjithë pensionistëve të Shqipërisë një dhuratë prej 5 mijë lekësh. Siç u njoftua, e mbledhur, kjo "dhuratë" kap një fond prej 30 milionë dollarësh. Kryeministri u shpreh me humor se kjo ishte "kartolina" e Bodes për moshën e tretë në prag të Kurban Bajramit, të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri. A është ky veprim një shprehje e prekshme e kujdesit dhe dhembshurisë së kësaj shumice qeverisëse dhe personalisht e Kryeministrit Berisha për të moshuarit? Sigurisht që është. A kanë nevojë në këtë kohë ende tranzicioni të moshuarit tanë për shumë e më shumë kujdes e shumë e më shumë dhembshuri nga mbarë shoqëria e veçanërisht nga politika? Sigurisht që kanë nevojë, madje shumë. A bën pjesë një vendim i tillë i qeverisë në filozofinë e përkrahjes sociale për shtresat më në nevojë, gjë për të cilën Partia Demokratike është angazhuar solemnisht dhe në mënyrë të përsëritur gjatë fushatës elektorale të vitit 2005? Sigurisht që bën pjesë.

Pra, edhe unë, si anëtar i ekipit hartues të platformës elektorale, me të cilën fituam zgjedhjet dy vjet e gjysmë më parë dhe erdhëm në pushtet, mbështes pa ngurrim zbatimin e një politike sociale të fuqishme dhe jo me fushata, por të shtrirë në kohë, në mënyrë që shteti shqiptar, në përputhje me parimet e shëndosha humaniste të një shteti vërtet demokratik të mbruhet qëndrueshëm edhe me tiparin e solidaritetit të sinqertë me më të pambrojturit nga fati. Një shtet i mbrujtur mirë me tiparin e solidaritetit do të pasqyronte edhe vetë natyrën dhe kulturën e rrënjosur të kombit tonë për të ndarë kafshatën me atë që nuk ka.

Dihet se edhe në vendet e pasura, politikat sociale janë gjithmonë shumë të kushtueshme për shtetin, që do të thotë se ato shprehin në vetvete një sakrificë të mbarë shoqërisë, e veçanërisht të pjesës së saj më aktive, më ndërtuese. Është një sakrificë që kryhet me vetëdije të plotë. Për rrjedhojë, këto politika kërkojnë një vëmendje të posaçme, për t‘u hartuar në vazhdim strategji të tilla zbatimi, të cilat të ndihmojnë vërtet në lehtësimin e deri në zgjidhjen afatgjatë të problemeve e jo të shërbejnë vetëm si bombola momentale oksigjeni për nevojtarët. Veprimet në emër të politikave sociale mbartin gjithmonë rrezikun e tretjes së fondeve pa lënë gjurmën e dëshiruar, rrezik që buron ose nga keqkuptimi i qëllimit për të cilin hiqen mënjanë këto fonde, duke u ngatërruar ky qëllim me mëshirën, ose nga keqpërdorimi i këtij qëllimi, duke u ngatërruar ai me dashje ose pa dashje me populizmin. Dhe zakonisht, fjala është për fonde të konsiderueshme, si në rastin e fundit, tek i cili po ndalem. Në buxhetin e shtetit tonë të vogël, 30 milionë dollarë, që do të shpërndahen me 5 mijë lekëshe për pensionistët, zënë vend të madh. Sa për krahasim, po kujtoj këtu se kjo shumë është gati dy herë sa buxheti vjetor i Ministrisë së Punëve të Jashtme. Por unë nuk e kam aspak fjalën që këto fonde, të nxjerra me vështirësi nga qesja e vogël e qeverisë, të mos përdoreshin për të moshuarit. Përkundrazi.

Problemi, që dua të shtroj, lidhet me mënyrën si këto fonde mund të bëheshin më efikase pikërisht në shërbim të moshës së tretë, duke dëshmuar njëherësh edhe se qeveria jonë, e posaçërisht Kryeministri në këtë rast, veprojnë mbi bazën e një strategjie të qartë politike. Para disa ditësh, një nga gazetat tona të përditshme sillte një shqetësim nga shtëpia e të moshuarve e qytetit të Durrësit, kapaciteti pritës i së cilës ishte tridhjetë vetë. Ndërkohë që kërkesat për t‘u strehuar aty ishin shumë më të mëdha dhe drejtuesit e kësaj shtëpie shtyheshin t‘i dërgonin nevojtarët në shtëpi të tjera të ngjashme, në qytete të tjera, larg e më larg, deri në Sarandë e ku gjendja nuk paraqitet fort më e qetë. Nevojtarët detyrohen të dalin kështu nga mjedisi i qytetit të tyre, gjë që na rëndon gjendjen morale dhe psikologjike, i izolon akoma më tepër, ua zymton edhe më tepër pleqërimin duke ua shtuar vetminë.

Pesë mijë lekët, që do të marrë para festave të fundvitit secili pensionist shqiptar, t‘i gëzojë! Ani pse pa marrë ende miratimin e Parlamentit, siç e kërkon ligji, tashmë ka filluar shpërndarja e tyre, që do të thotë se për këtë herë është tepër vonë të ndryshohet diçka në vendimin e marrë. Por problemi ka gjithsesi vlerë të ngrihet, me shpresë që të shërbejë për përmirësime të punës së qeverisë në të ardhmen. Së pari, në vetvete, një veprim i tillë i qeverisë mbështetet në një premisë, e cila më duket se nuk pasqyron një kuptim të shëndoshë dhe bashkëkohor për atë që sot në Evropë quhet shtet social. Siç është parashikuar, ndarja e këtij fondi do të bëhet me një zarf të barabartë për secilin nga pensionistët. Një barazitizëm ky, që përputhet aq më pak me filozofinë politike të së djathtës për mbështetjen sociale të njerëzve në nevojë, ku natyrshëm bën pjesë qysh në fillimet e veta Partia Demokratike. Mbi 500 mijë pensionistët, që do ta marrin këtë "kartolinë" nga Bode, nuk janë të gjithë në të njëjtën gjendje ekonomike. Ka nga ata, që këtë peshqesh do ta presin vërtet me padurim dhe do ta përdorin shpejt e shpejt për të shlyer borxhet që kanë te dyqani i lagjes, ku kanë marrë ushqime me listë, siç ka dhe nga ata, që do ta përdorin plot kënaqësi për t‘u bërë ndonjë dhuratë më tepër nipërve dhe mbesave mbrëmjen e Vitit të Ri. Edhe për këta të dytët është një gëzim më shumë, në sajë të qeverisë kësaj here, dhe që sigurisht e meritojnë. Kurrë nuk u dolëm nga haku ne prindërve tanë.

Por qëllimi i mirëfilltë i ndërhyrjes së shtetit me fonde të tilla publike është thelbësisht që t‘u vijë në ndihmë hallemëdhenjve, atyre që pensioni nuk u mjafton për të plotësuar nevojat elementare të jetesës. Dhe pikërisht për kujdes më të madh ndaj tyre është angazhuar Partia Demokratike në programin e saj elektoral e më pas në programin e saj qeverisës. Skema e ndarjes barazitiste të ndihmës financiare e ul ndjeshëm efektin e dëshiruar të sakrificës që bën mbarë shoqëria, duke dërguar për pjesëtarët e vet më nevojtarë një buxhet, i cili përndryshe mund të shkonte për shkollat, për spitalet apo për rrugët, për ujin, për dritat apo për pastrimin e qyteteve, pra në një sektor tjetër shumë problematik, e ku përmirësimet do të ishin në dobi të të gjithë qytetarëve njësoj. Skema e ndarjes barazitiste të ndihmës financiare është më e thjeshta për t‘u aplikuar në praktikë dhe në versionin më të ndershëm, ajo përdoret nga qeveria në mungesë të njohjes reale të gjendjes ekonomike të nevojtarëve, në rastin në fjalë të pensionistëve një për një. Ndërhyrje të tilla të shtetit bëhen shprehje e një politike sociale të respektueshme, e për rrjedhojë i shërbejnë forcimit të kohezionit të mbarë shoqërisë, vetëm kur adresohen konkretisht e në përshtatje me sikletin e gjithsecilit nga përfituesit. Kurrsesi, ato nuk mund të trajtohen njësoj si rritja periodike e pensioneve.

Po kthehem edhe një herë te fakti i përmendur më parë lidhur me shtëpinë e të moshuarve në Durrës. Në mos gaboj, ka gjashtë strehë të tilla në të gjithë Shqipërinë. Të gjashta janë të përmbytura nga kërkesat. Nëse shpërndarja e 30 milionë dollarëve, për të cilat po flasim, do të ishte bërë më mirë, domethënë duke u ndalur rast pas rasti te nevojtarët e vërtetë, jam i bindur se qeveria do të kishte mundur t‘u jepte diçka më shumë atyre pensionistëve, që marrin ushqim me listë dhe i shohim edhe tani në të ftohtë të rrinë ulur bordurave të Tiranës në mungesë të parave për të shkuar në kafe dhe po ashtu do t‘u mbeteshin fonde të mjaftueshme për të ndërtuar edhe dyfishin e shtëpive ekzistuese për të moshuarit. Por kjo do të kërkonte më parë një studim të kujdesshëm për të identifikuar derë më derë nevojtarët sipas disa kritereve të përcaktuara qartë paraprakisht. Dhe ky studim do të duhej të kryhej mbi bazën e një strategjie të qartë. Pikërisht kjo strategji duket se i mungon ende qeverisë tonë. E për pasojë, fondet e harxhuara nuk e arrijnë plotësisht qëllimin. Në kushtet kur nuk kemi një opozitë serioze, na bie detyra ne, demokratëve, ta zhvillojmë kritikën ndaj qeverisë tonë, në mënyrë që të tregojmë para të gjithë shqiptarëve se dimë të qeverisim mirë e se ne jemi përfaqësuesit e vërtetë të politikës së re, që kërkohet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›