E Diel, 1 Nëntor 2026

Njeriu dhe Zoti

Për ateistët, ky ishte një vit i mbarë. Libri i Riçard Daukinsit, "Iluzioni Zot" ka shitur më shumë se një milion kopje dhe në periudhën prill-qershor ishte titulli i katërt më i shitur në Britaninë e Madhe, duke u kaluar nga dy librat "Harri Poter" dhe "Gordon Ramseit".

Kristofer Hitçens, Zoti i të cilit nuk është aq i madh dhe i cili kritikon njëkohësisht fenë si helmuese për njerëzit, ka pasur një dorë të lirë në televizione dhe në qendrat e debatit. Suksesi i filmit "The Golden Compass" (Busulla e Artë) ka shkaktuar dhimbje në gjirin e të krishterëve lidhur me atë që është perceptuar si mesazhi ateist në qendër të trilogjisë imagjinare "His Dark Materials" të Filip Pullmanit.

Shkrimtarët si Sem Harris dhe Daniel Denet kanë zbuluar se ateizmi "shitet" në të dy anët e Atlantikut. Në gjirin e myslimanëve por dhe të krishterëve, denoncimi i ashpër nga Aiyan Hirshi Ali i rregullave strikte të Islamit në Somali, ka ngjallur simpati, por njëkohësisht edhe urrejtje. Dhe lideri i ri i Partisë Liberal Demokrate ka pranuar diçka që nuk mund të thuhej vetëm një apo dy dekada më parë: se ai nuk beson në Zot.

Që prej epokës viktoriane nuk ka ekzistuar një debat kaq intensiv dhe i vazhdueshëm mbi besimin fetar. Ky ka qenë një argument i nxehtë: librat që i kanë paraprirë ateizmit të ri nuk kanë tentuar të bindin, fitojnë mbështetjen e njerëzve apo të arsyetojnë. Por, në emër të arsyes, ato janë një përbuzje dhe tallje për ata që janë aq budallenj sa të besojnë mitet dhe kosmologjinë obskurantiste të fesë. Besimtarët, thotë Dakins, janë "zemërligj... të egër, sadomazokistë dhe të neveritshëm ... të dyshimtë, iluzionistë të dëmshëm... moralizues hipokritë". Ateistët i kanë identifikuar të gjitha besimet fetare me kundërshtarët e tyre më ekstremistë - fundamentalistët, luftëtarët e shenjtë dhe fanatikët e zellshëm mendjengushtë - duke i denoncuar ata si shkaktarë të luftërave dhe vuajtjeve, përçarës dhe tiranë, antiteza e qytetërimit dhe iluminizmit.

Ky argument është shndërruar në një çështje politike. Shpirti që nxit "profetët" e mos ekzistencës së Zotit është një urrejtje ndaj së vërtetës së krishterë amerikane dhe një frikë nga fuqia e saj, ose një neveri ndaj terrorizmit dhe represionit të islamizmit militant. Por ndërsa çështjet e fesë tashmë janë vendosur në qendër të politikës britanike dhe asaj globale, debati që dikur ishte tolerant midis besimtarëve dhe jobesimtarëve, i respektueshëm dhe pranues i mendimeve të njëri-tjetrit, tashmë është kthyer në një "kacafytje të egër qensh". Sipas Daukinsit, feja, për shkak të mungesës së arsyes, mund të shkaktojë dhunë ekstreme dhe për këtë arsye edukimi i të rinjve me fenë është më i keq se pedofilia.

Si duhet t‘u përgjigjen fetarët e devotshëm këtij sulmi? Për disa, reagimi i menjëhershëm ka qenë veprimi i dhunshëm. Duke veshur parzmoren e shkëlqyeshme të besimit, ata kanë tentuar të dërrmojnë kundërshtimet e ateistëve, një e nga një. Shkenca, nënvizojnë ata saktësisht, nuk ka monopol mbi progresin dhe as feja mbi regresin.

A nuk ishin dy monstrat më mëdha të shekullit XX, Hitleri dhe Stalini, të yshtur nga ajo që ata e besonin si "ideologji shkencore": spastrimi i racave "të shëndetshme" nga ndotjet e rrezikshme, që ishte në rastin e Hitlerit, ose masat e dhunshme të Stalinit për rindërtimin e shoqërisë sipas një arsyetimi të metë mbi gjenetikën? Mbrojtësit e fesë kanë akuzuar gjithashtu ateistët për të njëjtin fundamentalizëm, për të cilin ata akuzojnë kundërshtarët e tyre: një refuzim dogmatik për të pranuar se "progresi" shpesh ka qenë arritje e njerëzve të mëdhenj - ndër to e ateistit Isak Njuton - të cilët kanë qenë pionierë të shkencës, idealizimit demokratik dhe të drejtave të njeriut.

Ka pasur gjithashtu edhe një përgjigje të dobishme dhe të menduar, që pranon fuqinë e disa argumenteve të ateistëve dhe që shtrojnë pyetjen nëse feja ka qenë shumë arrogante, apo besimtarët tepër naivë në bindjet e tyre. Për të krishterët, nuk ka dyshim se konfuzioni dhe zhgënjimi po shkaktojnë jo pak zemërim.

Totalitarizmi mund të jetë po aq i rrezikshëm ndaj fesë, sa edhe në shoqëritë laike. Ai padyshim ndeshet atje ku ateizmi i ri militant është i gabuar. Totalitarizmi do të konsideronte dimensionin shpirtëror si jo shkencor. Mbi të gjitha, një ideologji-për ateizmin mbetet një ideologji - që nuk ka limite shkencore nuk mund të quhet apo konsiderohet si shkencore. Ata ateistë të modës që thonë se e kuptojnë përvojën e besimit, janë, sipas një kritiku, si "dikush që flet për biologjinë, por që e vetmja dije e tij në këtë lëndë është libri për shpendët në Britani". Po kështu, pohimi i njohjes së asaj që Anjshtajni e pranoi se ishte e panjohshmja mbi ekzistencën e universit, nuk mund të bëhet nga dikush që është vetë një qenie njerëzore dhe për pasojë pjesë e atij universi.

Dimensioni shpirtëror shkon përtej frikës drejt sublimes, nëse është i frymëzuar nga natyra, bukuria, muzika, ose pasioni njerëzor, - diçka që një ateist i ndjeshëm mund dhe duhet ta pranojë. Besimi pranon dyshimin dhe paditurinë. Nuk është një dimension i vërtetueshëm. Simbolikisht, përtërihet çdo Krishtlindje me nderim dhe përulje. Ky është fakti që festuam dje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›