Si mund te frenohet dhuna ndaj femrave
Lufta e vazhdueshme e shoqërisë tonë kundër dhunës gjinore është një nga betejat e "papërfunduara" për plotësimin e standardeve të qytetërimit modern. Ajo është betejë e gjithanshme dhe e shumanshme e shoqërisë shqiptare, që synon vetëm garantimin e personalitetit, lirisë, shëndetit moral të femrave tona, për t‘i bërë ato vërtet të lira, sovrane mbi trupin, identitetin fizik dhe seksual. Akoma më saktë, shoqërisë sonë i duhet të përpunojë standarde të sjelljes dhe respektimit të identitetit qytetar dhe gjinor të çdo femre si vajzë, motër, nënë, e dashur, grua, shoqe, mike etj., të cilat, shteti dhe shoqëria duhet t‘i bëjë "norma qytetare" detyruese për shoqërinë në tërësi, "modus vivendi" për të gjithë ambientet sociale, intime e publike ku jetojnë femrat. Koha kërkon që, të gjithë të largohemi nga fjalët dhe piruetat gjinore false dhe të përballemi "frontalisht si shtet, familje, shoqëri civile e media, me konceptin sundues të burrave, që po tentojnë padrejtësisht të "forcojnë kontrollin" mbi trupin, aftësinë seksuale dhe punën e gruas.
Në këtë kontekst, duhet parë reagimi i faktit që dhuna mashkullore, intensive dhe permanente mbi femrat, ka ndikuar që tek ato të jetë e dobësuar ndjenja e pavarësisë, integritetit, mendimit kritik, sepse maskilizmi ka qenë dhe vazhdon të mbetet ushqim kulturor që inkurajon pasivitetin dhe plogështinë e femrave përballë dhunës në familje apo shoqëri. Unë i përmbahem asaj që koha ka vërtetuar se, përdorimi arbitrar i dhunës mbi gratë kërkon të ndërtojmë një rend shoqëror që bazohet mbi ligjin dhe që ndalon pushtetin arbitrar të mashkullit.
Nëse nuk ndeshemi me këto koncepte maskiliste, nëse nuk reflektojmë jo me fjalë, por me qëndrime të reja gjinore evropianizuese, do të jetë i vështirë ndryshimi i mentalitetit të vjetër, sipas të cilit, "Zoti dhe natyra i ka krijuar gratë për të qenë të nënshtruara ndaj burrave". Nuk duhen parë si shfaqje të thjeshta të mentalitetit maskilist realitetet anormale që shfaqen në qytetërimin tonë. Nuk mund të tregohemi të heshtur, oportunistë, të flashkët, pa nerv social, kur në shoqërinë tonë qarkullojnë lirisht mentalitete dhe veprimet e egra të njerëzve injorantë, mediokër, antifeministë, sadistë, që forcën mendore dhe fizike e kanë të kontrolluar jo nga truri human, por nga "zonat erogjene" të "agresivitetit primitiv".
Deklaratat e shumë njerëzve të tillë, kur vendosen para drejtësisë, tregojnë se ka nga ata dhunues e përdhunues, të cilët sillen ashpër me femrat, e që tregojnë se nuk janë qenie plotësisht humane, që udhëhiqen nga instinktet e pakontrolluara. Ata e bëjnë krimin fizik apo seksual me çdo femër, të cilën duan ta nënshtrojnë dhe depersonalizojnë, duke e konsideruar disponibël për t‘u dhënë atyre "favorin seksual", pavarësisht nga relacioni, afeksioni apo njohja. Njerëz të tillë anormalë e konsiderojnë marrëdhënien seksuale të dhunshme një "akt formal", i cili nuk përbën krim, ngaqë është "veprim i natyrshëm" që femra e realizon në relacion me një mashkull.
Në këto kushte nuk mund më as të presim, as të heshtim. Ajo që duhet të bëjmë është që, së pari të ndryshojmë strategjinë e shtetit, të ligjit, të institucioneve të edukimit dhe komunikimit masiv, të familjes, shkollës dhe institucioneve fetare, për të edukuar meshkujt e rinj me parime, ndërgjegje humane dhe instikte normale. Sidomos me ato parime, që kanë të bëjnë me paprekshmërinë fizike dhe dinjitetin seksual të femrës veçanërisht. Nuk është fanatizëm që shoqëria të mbrojë me çdo kusht nderin dhe dinjitetin e femrës, nga cenimet dhe sjelljet brutale e asociale. Si çdo shoqëri tjetër normale, shoqëria jonë duhet të ketë sistemin, "kodin" e përbashkët, të pranuar të marrëdhënieve me femrat. "Sistemi seksual" i pranuar konsensualisht, përbën atë marrëveshje apo moral, mund ta quajmë si të duam, të cilin shoqëria përpiqet ta ruajë nga deformimet, shtrembërimet, ekzibicionet, duke vënë në funksionim, mjetet mbrojtëse sociale, morale e penale. Në këtë kontekst, shoqëria jonë është e detyruar të përpunojë dhe vërë në lëvizje të gjithë "mekanizmin" ligjor, moral, human, social e kulturor që ka të bëjë me edukimin e ndjenjave morale, përmirësimin e komunikimeve interseksuale, të marrëdhënieve gjinore të barabarta, ndërnjerëzore, që ndikojnë pozitivisht në zgjidhjen e "konflikteve bipolare".
Ka ardhur koha që si shoqëri, si shtet dhe qytetarë, të bëjmë gjithçka duhet për të bërë "zap" këtë fenomen barbar, që po "ndyn" mos më keq shoqërinë tonë. Çdo qytetar normal duhet të reagojë me të gjithë potencialin e humanitetit dhe të solidaritetit gjinor për të mbështetur opinionin pozitiv për femrat tona. Të njëjtën gjë, ndoshta me forcë më të hapur duhet të bëjë shteti me ligjet e veta për çdo njeri anormal, të obseduar seksualisht, të deformuar nga pikëpamja psikologjike, mentale dhe emocionale, për të frenuar epideminë e dhunës në çdo formë që të shfaqet ajo mbi gratë dhe vajzat tona. Ata, jo vetëm duhen dënuar pa hezitim si kriminelë të një lloji të veçantë, shumë të rrezikshëm, por sipas meje, kjo kategori sociale duhet veçuar nga shoqëria si "mbeturinë", e padenjë për të qenë mes saj. Reagimi qytetar, stigmatizimi social i njerëzve të dhunshëm ndaj femrave, duhet të bëhet një "aksion civil" i reagimit masiv të shoqërisë civile për të krijuar kushtet që, "kultura e dhunës" ndaj femrave ta ndiejë veten ngushtë. Sa më i fuqishëm reagimi social dhe shtetëror për mashkullin e dhunshëm, që ngre ditë për ditë dorën mbi gruan, mbi maniakun seksual, vagabondin antifeminist, "eprorin kodosh" (që e konsideron vartësen si seks të disponuar për ‘përdorim zyrtar‘), aq më shumë do të ulet virulenca sociale, forca e "kulturës së dhunës". Në këtë aksion të madh social duhet të reagojmë të gjithë, sepse këto ngjarje dhune e sadizmi, po cenojnë vlerat dhe identitetin kombëtar të qytetërimit tonë edhe në sytë e botës.
Dhuna do të zbutet, po qe se do të kuptojmë se ndalimi i saj, nuk është i lidhur vetëm me strukturën e karakterit maskilist të njerëzve të veçantë. Që të zbutet dhuna mbi gratë duhet të bëjmë të gjitha përpjekjet për të përmirësuar "karakterin dhe strukturën" maskiliste të shoqërisë tonë. Nëse nuk punojmë për të kufizuar forcën e tradicionale të "pushtetit maskilist" të burrit mbi gruan në familje, të mashkullit mbi femrën në shoqëri, nuk mund të pritet ndryshim i situatës dhe zbutje e dhunës sociale mbi to. Nëse nuk zbutet e drejta e pushtetit dhe e kontrollit të njëanshëm të burrit mbi gruan në familje dhe shoqëri, rezultatet nuk do të jenë optimiste. Ndërkaq, duhet të bëjmë çdo gjë që mundemi, nëpërmjet edukimit, shtetit, ligjit, shoqërisë civile, për të frenuar të "drejtën e pakufizuar" të mashkullit, duke krijuar çdo ditë terren social, në të cilin të fillojë të fuqizohet pavarësia, integriteti, mendimi kritik dhe ndjenja e barazisë sociale të femrës me mashkullin.
Në këtë kontekst, duhet të bëjmë më shumë duke vënë në lëvizje edhe "mjetet kulturore" shtypin, median elektronike për të mbajtur të ndezur atmosferën qytetare, duke e mbajtur gjallë me "ushqim kulturor" të ndryshëm nga ai që nxit te gratë indiferentizmin, pasivitetin, plogështinë. Një shoqëri maskiliste, si kjo e jona, ka nevojë edhe për emocione të forta, për t‘u sensibilizuar dhe ndryshuar mentalitetin e dhunës dhe kulturën e dhunës.
Ndoshta duhet të thellohemi në ndarjen dhe identifikimin e faktorëve socialë dhe individualë që intensifikojnë dhunën mbi gratë. Ky dallim nuk është problem teorik, por mjet për diagnostikim dhe parandalimin e dhunës mbi femrat. Shoqërisë shqiptare i intereson ndërtimi i një sfondi social zbutës, paralizues ndaj dhunës mbi gratë, pavarësisht nga temperamentet apo devijimet individuale të njerëzve të veçantë. Ne kemi nevojë që të ndërtojmë një atmosferë të re gjinore, një këndshikim të ri social të barazisë gjinore, duke qenë të bindur, se pa ndryshuar atmosferën maskiliste është e vështirë të kemi ndryshim të situatës së dhunës në familje dhe shoqëri. Duhen jo fjalë, por kushte që të ndryshojë karakteri maskilist, antifeminist i shoqërisë, pa e ulur tempin e luftës sociale për afirmimin e një shoqërie me sa më pak dhunë, sidomos mbi fëmijët dhe femrat. Eshtë detyrë, më së pari, e politikës dhe e institucioneve që prodhojnë dhe përpunojnë politikat shtetërore, detyrë e të gjithë shoqërisë, për të rritur tempin e ndikimit të të gjithë faktorëve socialë, shtetërorë, për të ndrequr deformimet maskiliste të shoqërisë, duke e transformuar atë në një shoqëri moderne, demokratike, me barazi gjinore të vërtetë. Sociologët e familjes janë të mendimit se çështja e dhunës në shoqëri nuk është çështje karakteri dhe deformimi individual, i lidhur vetëm me faktorin biologjik e psikologjik të individit. Sipas tyre, ajo që ka rëndësi është ndryshimi i atmosferës psikologjike, e cila konsiderohet me efekt ndikues në dhunën ndaj grave. Ndërkaq, sipas mendimit tim, duhet të kthejmë fort "fytyrën sociale" në familje dhe shoqëri. Konstitucioni i familjes luan një rol të veçantë në kultivimin e edukatës së barazisë gjinore dhe të respektimit të femrës, pse jo të adhurimit të saj për të gjithë ato role sociale, fizike e shpirtërore që ajo luan. Sepse qëndrimi maskilist dhe i dhunshëm mësohet në familje si model kulturor që meshkujt e imitojnë si kulturë të interferuar nga njëri-tjetri. Këtu në familjen tonë imponohet ndjenja e superioritetit maskilist mbi femrën, epërsia e tij vetëm për shkak të identitetit seksual të ndryshëm. Kjo ndjenjë është më e shëmtuara dhe më e përçudnuara që ndeshet masivisht në ambientet tona familjare, që shfaqet madje si "tabu" e që pranohet konsensualisht dhe në heshtje nga shoqëria.
Padyshim, akoma me më shumë vlerë është, përmirësimi i treguesve të shoqërisë si kontekst në të cilin integrohet edhe familja. Mund të duket sfidë e madhe, por dhuna mbi gratë nuk zbutet pa "zbutur" dhe ndryshuar nga ana tjetër dhe me çdo kusht, sistemin shoqëror në të cilin jetojnë ato. Pa ndryshuar natyra patriarkale dhe fryma maskiliste e shoqërisë shqiptare, rezultatet e barazisë gjinore dhe të luftës me dhunën do të mbeten të zbehta, butaforike, demagogji. Pastaj është bashkë me këtë edhe ndryshimi i "stereotipit kulturor" të sjelljes së burrave ndaj grave, që për fat të keq, ka ndryshuar shumë pak në shoqërinë shqiptare. Me këtë problem duhet të angazhohen më së pari, sociologët, seksologët, seksopatologët, psikologët. Sepse, siç thonë sociologët, "për t‘i kapërcyer këto pengesa, duhet të njohësh rregullat e pashkruara të strukturave mashkullore të pushtetit dhe duhet të kuptosh sistemin patriarkal në mënyrë që të çosh gjërat përpara". Fundja, të gjithë duhet të merremi me këtë dukuri të shëmtuar, për ta frenuar…