E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli dhe xhudo shqiptare, kandidatë për Olimpiadën 2008

Shqipëria shpreson të përfaqësohet në Lojërat Olimpike "Pekin 2008" edhe me sportin e xhudos. Edmond Topalli, i akademisë "Judo Kodokan" me qendër në Vaun e Dejës ka fituar bursën olimpike dhe është kandidat për të marrë pjesë në aktivitetin madhor që do të zhvillohet në Kinë. Sportisti është fare pranë arritjes së koeficientit të pikëve për të siguruar pjesëmarrjen në Olimpiadë, ndërkohë që në 6-mujorin e parë të vitit 2008 ai do të jetë i impenjuar edhe në disa aktivitete kombëtare dhe ndërkombëtare si Superkupa e Gjermanisë në shkurt, për t‘u spostuar pas një muaji në Kampionatin Evropian në Spanjë, por edhe Kampionati Botëror, që do të mbahet në Portugali në muajin prill. Rreth pjesëmarrjes në këto aktivitete, Topalli ka premtuar se do të japë maksimumin: "Shpresojmë që në evenimentet e vitit 2008 të jemi më të suksesshëm se në vitin 2007". Në fakt, në vitin që po lëmë pas xhudo shqiptare regjistroi disa arritje të rëndësishme, ku u përfaqësua në disa aktivitete ndërkombëtare, duke treguar se në vendin tonë ky sport ka kaluar në një stad tjetër: në turneun e Toskanës janë marrë një medalje argjendi dhe një medalje bronzi, ndërkohë që Shqipëria është përfaqësuar edhe në Kupën e Botës në Romë, Kampionatin Evropian në Beograd, turneun e Italisë dhe të Nikshiqit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›