Mema rikthehet te Tirana: Ekipit i duhen reforma
Tirana ka prezantuar dje trajnerin e ri të saj, Sulejman Memën, i cili është emri i tretë që drejton skuadrën bardheblu gjatë këtij sezoni pas Sulejman Starovës dhe Astrit Hafizit. Ky i fundit u shkarkua me një vendim unanim të donatorëve të skuadrës në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, për t‘i lënë vendin pikërisht Memës, një prej "viktimave" të drejtuesve bardheblu disa sezone më parë. Trajneri i ri është shfaqur menjëherë "agresiv", pasi ka paralajmëruar reforma në skuadër, të cilat do të vijnë pas një seleksionimi që ai do t‘u bëjë futbollistëve gjatë javëve të ardhshme. Njëkohësisht ai ka pranuar se lufta për titull ishte shumë e vështirë, por do të përpiqej të drejtonte skuadrën drejt këtij objektivi.
Në intervistën e tij të parë si trajner i rikthyer te Tirana, Mema ka bërë të qartë se vendimi ka qenë shumë i vështirë. "E kam pranuar disi me vështirësi ofertën për të drejtuar skuadrën e Tiranës. Por në fund e pranova atë, pasi e kam drejtuar edhe më parë këtë skuadër, kam qenë trajner e lojtar këtu, ndoshta edhe për faktin që jam një tiranas "vendali". Ky është një klub i madh me histori suksesesh, ka një ekip me kualitete dhe ne do të mundohemi që të mbrojmë objektivat që na janë vënë. Sigurisht, do të jetë e vështirë, por ne do të mundohemi të bëjmë më të mirën me punën tonë", u shpreh Mema.
Ai bëri të qartë se fizionomia e lojës së skuadrës bardheblu do të pësonte ndryshime, ashtu si kontingjenti aktual, i cili do të kalonte në "sitë" gjatë javëve në vazhdim. "Ekipi ka nevojë për reforma dhe pak nga pak do të seleksionoj lojtarët më të mirë, të cilët do t‘i përgjigjen ndjeshmërisë dhe nevojave që ka klubi. A synojmë titullin? Unë mendoj se 11 pikë janë shumë, por me këmbëngulje mund të arrijmë të dalim kampionë, pasi nuk përjashtohet mundësia që të arrihet ky objektiv. Për sa i takon punës time të mëparshme në FSHF si shef i gjyqtarëve, kjo nuk ka për të ndikuar aspak në punën time aktuale", vijoi ai. Ashtu si mbi të gjithë trajnerët e tjerë që kanë drejtuar skuadrën bardheblu gjatë viteve të fundit, edhe mbi Memën rëndon barra e largimeve të shumta nga stoli i 23 herë kampionëve. Por trajneri është shfaqur i bindur mbi mbështetjen që ka marrë nga stafi drejtues i ekipit, ndonëse ky i fundit u kishte dhënë të njëjtin besim paraardhësve të tij, Starova e Hafizi. "Unë jam këtu për të përmbushur misionin që kam marrë përsipër. Kam mbështetjen e pakufishme të donatorëve dhe mendoj se edhe tifozeria jonë do të vijojë të na mbështesë", përfundoi Sulejman Mema. Tekniku i Tiranës duket se do të vazhdojë me të njëjtin staf teknik e mjekësor të trashëguar nga Hafizi, pasi donatorët e bardhebluve kanë cilësuar vetëm trajnerin shkodran si shkaktar të paraqitjeve të dobëta të skuadrës.