Miqësorja e 27 majit, Polonia kundërshtari i kuqezinjve
Kombëtarja shqiptare do të luajë kundër Polonisë më 27 maj, vetëm pak kohë përpara fillimit të "Euro 2008". Miqësorja është konfirmuar pas faksit të mbërritur në zyrat e FSHF-së nga homologët e tyre polakë. Tashmë, pikëpyetja e vetme është vendi ku do të luhet kjo ndeshje. "Polonia do të jetë kundërshtari i Shqipërisë, në miqësoren që është planifikuar më 27 maj. Sot (dje) në zyrat e FSHF-së ka mbërritur konfirmimi nga ana e Federatës Polake të Futbollit, e cila është dakord që takimi të zhvillohet në datën e mësipërme", është bërë e ditur nga zyra e shtypit në institucionin që drejton futbollin në vend. "I vetmi detaj që nuk është përcaktuar ende është vendi ku miqësorja do të luhet. Sipas federatës polake, takimi mund të zhvillohet në Gjermani, një vend që Polonia e ka zgjedhur për përgatitjet që do të kryejë për finalet e Kampionatit Evropian ose në Zvicër. Në Gjermani ndeshja mund të luhet në Shtutgart, ndërsa në rast se do të zhvillohet në Zvicër, alternativa e zgjedhur është Zyrihu". Kjo do të jetë miqësorja e dytë për trajnerin Ari Han, pas takimit që do të luhet më 26 mars me Moldavinë në Tirasol. Drejtuesi i stolit kuqezi ka shprehur entuziazmin për kundërshtarin e nivelit të lartë. Edhe pse 27 maji nuk është një datë zyrtare e lirë, në miqësore do të mund të luajnë të gjithë titullarët, pasi në këtë kohë të gjitha kampionatet në kontinent do të kenë përfunduar.