Prifti: Energjia, qeveria pa strategji
Dritan Prifti mendon se qeveria është plotësisht e pa orientuar se si do ta zgjidhë problemin energjetik në vend. Ai deklaroi dje se nuk ka asnjë strategji që të tregojë se si do të zgjidhen përfundimisht problemet e krizave të riciklueshme të energjisë. Ndërsa i tërhoqi vëmendjen Ministrisë së Energjetikës dhe qeverisë që të sjellin urgjentisht një strategji të besueshme në Kuvend që të aprovohet nga të gjitha forcat politike. "Ka interes të jashtëzakonshëm për të investuar në sektorin energjetik në Shqipëri nga gjigandë evropianë dhe më tej. Ka kërkesa për të bërë TEC-e, ka kërkesa për të bërë hidrocentrale të reja, por qeveria sot nuk ka asnjë studim që t‘ia japë investitorëve dhe të thotë se ku do të jetë TEC-i i radhës në Shqipëri", vlerësoi Prifti. Duke shtuar se gjithashtu nuk ka asnjë studim profesional ku të jetë fiksuar vendi i ndërtimit të një TEC-i tjetër në Shqipëri, gjë që është shumë i nevojshëm. "Ka investitorë që kërkojnë të investojnë në pesë ose gjashtë hidrocentrale të reja në shtratin e lumit Vjosë apo atij Osum dhe qeveria sot nuk ka asnjë studim për të thënë se si do të jetë skema e shfrytëzimit të këtyre lumenjve në Shqipëri, sa hidrocentrale do të ndërtohen aty sot, sa do të jenë hidrocentrale me digë, çfarë impakti do të ketë mbi ambientin", këmbënguli Prifti.