E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: Vendimi i Shkupit, një megalomani ballkanike

Ish-kryeministri Ilir Meta deklaron se vendimi i Maqedonisë për çështjen e vizave me Shqipërinë është i papjekur. Sipas tij, kjo bie në kundërshtim me gjithë procesin e integrimit evropian edhe të vetë Maqedonisë.

Zoti Meta, duke pasur parasysh që disa muaj më parë Maqedonia mori vendim për të hequr simbolet kombëtare shqiptare, ndërkohë është edhe kjo iniciativë e dytë për vizat, a mund të ketë një prapavijë politike apo është thjesht një papërgjegjshmëri e forcave politike shqiptare atje?

Mendoj se pas deklaratës së fundit të ambasadorit të Bashkimit Evropian në Shkup, del më se e qartë se veprimi i qeverisë së Shkupit është i papjekur, gjë që ne e shprehëm edhe më parë, është i nxituar dhe është në kundërshtim me gjithë procesin e integrimit evropian edhe të vetë Maqedonisë edhe të vendeve të rajonit tonë. Për më tepër ishte një shtim problemesh të panevojshme, në një moment kur Shqipëria dhe Maqedonia duhet të punojnë sa më ngushtë së bashku për të merituar një ftesë për t‘u anëtarësuar në NATO. Ndërsa vendimi ose iniciativa e fundit e bërë publike dje nga Komisioni Evropian për të nisur liberalizimi e vizave me Serbinë, tregon që vendimi i palës maqedonase është komplet absurd, pasi dihet që Serbia është në një fazë edhe më mbrapa se Shqipëria, për sa u takon marrëdhënieve të saj kontraktuale me Bashkimin Evropian. Pra mendoj se është një megalomani ballkanike ky vendimi i fundit i Shkupit.

Zoti Meta, a duhet të ketë një reagim më të fortë nga politika e jashtme shqiptare?

Nuk mendoj se politika e jashtme dhe qeveria e Shqipërisë duhet të reagojnë në të njëjtën mënyrë, pra në mënyrë të nxituar, sepse unë besoj se ky është një vendim që duhet rishikuar, sepse është një vendim jo vetëm në kundërshtim me interesat midis dy vendeve, por është një vendim në kundërshtim me interesat e brendshme të Maqedonisë.

Në kuadër të stabilitetit rajonal, si i shikoni zgjedhjet e nesërme (sotme) në Serbi?

Mendoj se zgjedhjet e nesërme (sotme) në Serbi janë të rëndësishme për të ardhmen e Serbisë, por janë të rëndësishme edhe për perspektivën e afërt të rajonit tonë. Në këtë drejtim ne dëshirojmë dhe urojmë që ato të ndihmojnë Serbinë për të ecur përpara në rrugën e demokracisë dhe në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian. Në këtë kuptim duhet vlerësuar dhe mirëkuptuar edhe iniciativa e fundit e Komisionit Evropian për të nisur negociatat për liberalizimin e vizave midis Serbisë dhe Bashkimit Evropian, por kjo nuk do të mbetet iniciativë e shkëputur. Jam i bindur për këtë, sepse kjo ka qenë dhe një angazhim e premtim i Komisionit Evropian që këto negociata në një të ardhme të afërt të nisin me të gjithë vendet e rajonit tonë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›