Meta, apel deputetëve të PS: Bashkohuni me ne
Ilir Meta ftoi dje publikisht deputetët e Partisë Socialiste të mos votojnë nismën e PS-PD për reformën zgjedhore. Kreu i LSI-së dënoi me forcë iniciativën më të fundit të lidershipit aktual të Partisë Socialiste për sistemin zgjedhor, si një atentat ndaj parlamentarizmit, demokracisë, si edhe opozitës në Shqipëri. Sipas tij, shqiptarët tashmë shikojnë përditë e më qartë se ajo që LSI-ja denoncoi disa ditë më parë për një marrëveshje të fshehtë të lidershipit PD-PS po vërtetohet hap pas hapi. "Natyrisht duhet kuptuar që ka edhe deputetë të cilëve u është premtuar apo shpresojnë që të jenë në lista të mbyllura dhe qëndrojnë zemërngrirë deri në momentin kur të shikojnë listat", konstatoi Meta. Ndërsa shtoi se ka edhe shumë të tjerë që janë kurajozë, që mendojnë se ky është një dëmtim i demokracisë në vend. Meta shprehu bindjen se shumica e PS-së do të distancohet nga ky Pazar, që është një pazar kulisash, që është një pazar për interesa personale klientelistash dhe nuk ka asnjë gjë parimore, nuk ka asnjë gjë transparente. "Në mënyrën më të pacipë, më të paskrupullt përpara gjithë qytetarëve shqiptarë, përpara partnerëve ndërkombëtarë e quajnë një komision të vdekur, komisionin që jo vetëm e krijuan, por edhe që bashkë e kryesuan", theksoi Meta. Kjo, shtoi ai, është si nëpër filma, del kryetarja e grupit parlamentar dhe më pas e përshëndet Berisha. "Ne besojmë se do e shpëtojmë edhe këtë pjesë të lidershipit të PS-së, si rezultat i një opozite shumë më të hapur, shumë më gjithëpërfshirëse për të gjithë socialistët dhe progresistët", u shpreh Meta. Marrëveshja e lidershipit PD-PS, vijoi ai, duke eliminuar totalisht Komisionin Parlamentar për Reformën Zgjedhore, është një shkelje e hapur ligjore e gjithë procedurave parlamentare dhe e pluralizmit politik, duke përjashtuar nga dialogu dhe konsensusi të gjitha partitë e tjera parlamentare. Ky sistem, tha Meta, ka të bëjë vetëm me një përpjekje jo demokratike dhe të dhunshme për të rivendosur në mënyrë të sforcuar dhe artificiale monopolin e vjetër politik PD-PS, që synon mbajtjen dhe uzurpuar demokracinë shqiptare që riciklon të gjitha krizat institucionale. "Me këtë iniciativë të djeshme, lidershipi aktual i PS-së zgjodhi hapur për t‘u bërë palë e atyre kulisave dhe pazareve me Berishën si një alternativë ndaj detyrimeve dhe obligimeve brenda opozitës dhe ish-koalicionit, për të cilën ata kanë firmosur dy marrëveshje me të gjithë partitë opozitare", argumentoi Meta. Sipas tij, jo më kot Berisha e duartrokiti me ngazëllim dhe i pari iniciativën e lidershipit të PS-së dje, sepse Berisha do të cenojë votën e lirë dhe vullnetin e shqiptarëve, duke pasur si argument pikërisht këtë iniciativë të një pjese të opozitës. "Edi Rama, kryetari aktual i PS-së, për fat të keq i bëri një dhuratë dhe një shërbim të madh Berishës, duke i dhuruar një iniciativë, të cilën ai do ta shesë brenda dhe jashtë vendit si një marrëveshje për reformë në dobi të integrimit tonë në NATO", argumentoi Meta.