Propozimet e PS-PD, Gjinushi zbutet në qëndrim
Të pranosh vendosjen e një sistemi proporcional nuk është diçka e keqe. Ky konstatim vjen jo çuditërisht prej kreut të socialdemokratëve Skënder Gjinushi. Pak ditë pas takimit të tij me lidershipin e Partisë Socialiste, duket se shtatë deputetët e këtij grupi parlamentar janë më afër partive të mëdha. "Vendosja në Kushtetutë vetëm e parimit të përgjithshëm lë të hapur çfarëdo lloj rajonali, apo çfarëdo lloj proporcionali, çka do të specifikohet dhe dihet që kontestimi, ose keqkuptimi apo kundërshtimi është pikërisht për çështje të kualifikimit të partive", tha Gjinushi. Sipas tij, specifikat e sistemit patjetër që kanë rëndësinë e tyre dhe nuk mund të jenë gjëra që mund të anashkalohen. "Pragu nuk është caktuar, së pari, prandaj kjo ngelet një temë e hapur dhe pozitivja e këtij formulimi është pikërisht që vetëm zgjidhet familja pa hyrë në hollësira", u shpreh Gjinushi. Kreu socialdemokrat mendon se sistemi zgjedhor nuk duhet të jetë i ngurtë, zgjedhja e një familjeje proporcionale rajonale, apo të kombinuar, patjetër që lë hapësira për çdo lloj taktike elektorale. Krijimi i federatës së majtë, shton Gjinushi, që kjo nuk është thjesht ide, është domosdoshmëri, tërë demokracitë e reja kanë përjetuar atë që ka përjetuar Shqipëria. "PSD-ja vazhdimisht i mëshon nevojës për bashkim, në favor të saj është edhe PS-ja, e cila vlerësoj që ka të njëjtin vullnet dhe të njëjtat interesa", u shpreh Gjinushi. Ai nënvizoi se në parim kushdo mund të jetë pjesë e bashkimit, por LSI-ja mesa duket e ka me pishmanllëk pozicionimin majtas, e ka vetëm pragmatist, nuk e ka ende ideologjik dhe të vendosur. Për momentin, shtoi ai, flasim për një bashkim mes Partisë Socialiste dhe Partisë Socialdemokrate. "Rrjedhimisht ne merremi me partinë tonë, merremi me ata që janë të gatshëm të bashkëpunojnë me ne, për të tjerët kur të shprehen do të japim mendimin", theksoi Gjinushi.