Pakti i fshehtë, që acaroi aleatët e Ramës
Dështimi i paktit "nën tavolinë" është një prej arsyeve kryesore që ka pozicionuar pesë partitë e majta në llogore të kundërta. Aleatët akuzojnë Partinë Socialiste, se ka injoruar marrëveshjen e pashkruar për zgjedhjet lokale të 18 shkurtit 2007. Konkretisht, selia rozë nuk e ka mbajtur fjalën për të shpërndarë pushtetin në nivele drejtorësh apo funksionesh të tjera në bashki dhe komuna të vendit. Drejtuesit e Lëvizjes Socialiste për Integrim deklarojnë se para zgjedhjeve lokale ishte rënë dakord për shpërndarjen e pushtetit në njësitë vendore që do fitoheshin. Sipas zëvendëskryetarit të LSI-së, Pëllumb Xhufi, rasti më tipik i mungesës së korrektësisë nga PS-ja është Bashkia e Tiranës, ku Edi Rama fitoi tri herë me mbështetjen e Ilir Metës. Partia e këtij të fundit kishte kërkuar ndër të tjera edhe postin e nënkryetarit të Bashkisë së Tiranës. Por, në kryeqytet, LSI-ja nuk mori as numrin dy të bashkisë dhe asnjë punonjës tjetër në asnjë nivel. Nënkryetari i PSD-së, Ëngjëll Bejtaj, pranon se marrëveshja e pashkruar me socialistët nuk është respektuar. Kjo parti mësohet të mos ketë kërkuar diçka konkrete në shifra në këtë drejtim. "Socialistët, nga ana e tyre, nuk kanë treguar gatishmëri për të diskutuar lidhur me ndarjen e posteve në njësitë vendore të fituara", thekson Bejtaj. Kryetari i PDS-së, Paskal Milo, konfirmoi ekzistencën e paktit të pashkruar. Kjo parti ka kërkuar rreth 23 poste drejtuese në nivelet e ndryshme në bashki dhe komuna, ndërsa socialistët nuk kanë plotësuar asnjë prej tyre. Sakaq, Arben Demeti i PAD-së tha se Rama dhe socialistët i premtuan kësaj partie 10 nënkryetarë bashkie në të gjithë vendin. "Tanimë jo vetëm që asnjë nuk u mor, por as në nivel drejtorësh dhe specialistësh nuk u arrit asgjë", theksoi Demeti. Në zgjedhjet lokale LSI-ja mori 10 bashki, dy minibashki dhe 47 komuna si zona të lira. Kjo parti doli me sukses në gjashtë bashki dhe 12 komuna. PSD-ja humbi gjashtë bashkitë që kishin zona të lira dhe një minibashki të Tiranës. Nga 29 komuna që iu lanë të lira arriti të fitonte vetëm në shtatë prej tyre. PAD-ja e Neritan Cekës mori si zona të lira në marrëveshjen parazgjedhore dy bashki dhe nëntë komuna. U mundësua fitorja vetëm e tre komunave, pasi u humbën dy bashkitë dhe gjashtë komunat e tjera. Zgjedhjet e pushtetit vendor të datës 18 shkurt janë jo pak domethënëse për pesë partitë e majta. LSI-ja mori 9.08% të votave të proporcionalit, duke u renditur si forca e tretë në vend. PSD-ja renditet e shtata në listë me 3.95% të votave. Sakaq, PAD-ja mori 3.70% të votave. PDS-ja ka marrë 3.06% të votave në proporcional.