E Diel, 1 Nëntor 2026

Mikael Shumaker, sekretet e ish-kampionit të kokëkuqes

Është njeriu i rekordeve në F1 me shtatë kurora kampionësh dhe me 91 gara të fituara në 15 vite karrierë; është njeriu, që edhe pse ka më shumë se një vit që nuk garon me Ferrarin e tij në cirkuitet e botës, arrin të jetë një nga sportistët më të paguar në botë. Është ai që, sipas "Forbes", fut në xhep 38 milionë euro në çdo sezon nga sponsorët, po aq sa vitet e tij që i mbushi vetëm tri ditë pas Vitit të Ri. Është njeriu që, edhe pse ka dalë në pension, tashmë vazhdon ta mbajë jetën e tij të lidhur ngushtë me Ferrarin, garat dhe Formula 1; është njeriu legjendë, gjermani fluturues, është Mikael Shumaker. Ta shohësh teksa qëndron ulur në këto ditë të para të Vitit të Ri duket paksa e çuditshme për njeriun që jemi mësuar gjithmonë ta shohim duke fluturuar me Ferrarin e tij. Megjithatë, për këshilltarin e ri të Ferrarit puna rinis më 6 janar, ditë kur do të bëhet edhe prezantimi i makinës së re, e cila do të garojë në sezonin e vitit 2008. Edhe pse ka më shumë se një vit që është larguar nga F1, Mikael Shumaker vazhdon ta tregojë në çdo kohë se mbetet një nga pilotët më të shpejtë në botë. Shofer taksie, kopshtar, teknik antenash, futbollist këto janë profesionet e reja të 7 herë kampionit të botës. Pas festave të fundvitit, të kaluara në Gjermani, çifti Shumaker ka vendosur që pjesën më të madhe të kohës ta kalojë në shtëpinë kështjellë të ndërtuar në Gland, afër liqenit Genfer në Gjenevë, ku çifti zotëron edhe një plazh privat. E pajisur me tetë dhoma gjumi, pesë banja, sauna, pishina, kinema dhe një park gjigant. Kështjella përrallore ka katër kate dhe zë një sipërfaqe prej 2500 metrash katrorë. Për më tepër që është e rrethuar anembanë me fqinjë të rëndësishëm. Sipas të famshmes britanike "The Sun", përkrah tij do të jenë Xheki Stjuart, Fil Kolins, Roxher Mur dhe Selin Dion.

"Na pëlqen të jetojmë këtu. Është një vend i mrekullueshëm, që në çdo kohë të ofron qetësi dhe çlodhje", thotë plot entuziazëm çifti Shumaker, i cili nuk harron të shtojë se kjo kështjellë ka gjithçka për të cilën është punuar me kujdes. Por tashmë që e quan veten pensionist, si i kalon Shumi ditët e tij të lira dhe sidomos fundjavat, që dikur e mbanin gjatë gjithë kohës në punë dhe e bënin që të kalonte shumë kohë larg familjes. "Kur më qëllon që të kem ditë të lira, të paangazhuara me ndonjë punë, ha mëngjes, shoqëroj Mikun dhe Xhina Marian për në shkollë, pastaj kthehem në shtëpi, merrem me palestër dhe dëgjoj lajmet në televizor, sepse kur janë fëmijët nuk dua që të shohin skena horrori, ndaj nuk shoh edhe filma apo emisione të tilla. Ndonjëherë shkoj t‘i marr nga shkolla, luaj me ta, bëjmë detyrat së bashku. Pastaj shikoj edhe ndonjë film, gjithmonë nëse lejohet edhe për fëmijët, në të kundërt shkojmë bashkë me Korinën ta shohim në kinema", tregon ish-kampioni, që me kokëkuqen arriti që të shpallej 5 herë mbret i Formula 1. Kur e pyet nëse dëshiron sërish të kthehet të garojë në F1, ai i përgjigjet pyetjes shkurt me një "Jo" të prerë, ndërsa kur i kërkon sa e vështirë ishte të merrje një vendim të tillë ai tregon: "Nuk e mora vetëm këtë vendim dhe kjo ma bëri zgjedhjen më të lehtë. Në anën time kisha skuadrën, familjen dhe sidomos bashkëshorten time, Korina. E diskutova gjerë e gjatë, pastaj vendosa. Jeta ime me Korinën ka qenë gjithmonë e jashtëzakonshme, pa të nuk do të isha kurrë ky që jam tani dhe mund të them që më ka ndihmuar shumë të zgjedh, duke nisur që nga pyetja se cila ishte dëshira ime në të vërtetë. Automobilizmi më ka dhënë gëzime të mëdha dhe çdo moment i karrierës ka qenë fantastik. Mua akoma më pëlqen t‘i jap makinës me 360 kilometra në orë, por dalja në "pension" më ka bërë të mendoj më shumë për babanë, nënën time që nuk është më, gruan dhe sidomos fëmijët. Ndiej një mirënjohje të thellë për ta dhe njerëzit e Benetonit, me të cilën fillova karrierën time këtu dhe në veçanti të gjitha ditët e jetuara si ferrarist. Sigurisht vendimi për t‘u tërhequr ka qenë shumë i vështirë edhe për miqtë e mi të Ferrarit, ndaj të parit që vendosa t‘ia thosha ishte Felipe Masa. Duhej ta informoja, më ka qëndruar pranë për shumë gjëra", thotë ai. Po Kimi Raikonen? "E dija që më parë që Kimi Raikonen do të ishte ‘trashëgimtari‘ im te Ferrari dhe për këtë jam shumë i kënaqur. Ai është një pilot shumë i zoti. Falë tij Ferrari arriti të fitojë dyfish sezonin e kaluar. Dua të shtoj gjithashtu se Ferrari ishte një skuderi e madhe edhe para meje dhe do të ngelet gjithmonë e tillë. Kur garoja çdo javë nga marsi në tetor përpiqja që t‘i jepja punës çdo energji të timen dhe një dedikim maksimal. Ferraristët më kanë kuptuar dhe më kanë ndjekur gjithmonë me dashuri, ndaj ata i falënderoj gjithmonë me gjithë zemër. Kam qenë pjesë e kësaj skuadre për shumë kohë dhe akoma arrij të jem i përfshirë në çdo detaj. Këta djem të mrekullueshëm që ka sot skuadra bënë një punë për t‘u admiruar, duke marrë parasysh se ajo ishte një periudhë delikate, pasi nga skuderia ishin larguar shumë njerëz të rëndësishëm". Nuk e ke menduar kurrë se mund të ishe ti ai që mund ta kishte fituar kampionatin për herë të tetë? "Nuk e di nëse do të kisha fituar apo jo, por më vjen mirë që dikush mendon akoma se mund ta kisha fituar unë". Po për Hemilton, për pak mund të ishte shpallur ai fituesi i ri i kampionatit? "Nuk jam aspak i habitur nga paraqitja e tij. Ka bërë një sezon fantastik. Tregoi se është një pilot i zoti dhe që meriton të ketë vende nderi në skuadra të mëdha si MekLareni. Ah, më duhet të them se ka qenë ai një nga arsyet për të cilat kam ndezur televizorin dhe kam parë garat". Çdo të thotë për një kampion që di t‘i japë makinës aq mirë, të shohë një garë nga televizori? "Më duhet ta pranoj se ndieja një boshllëk të madh në shpirt. Megjithatë, thellë-thellë kur e mendoj, të jesh pensionist si puna ime është diçka që më argëton, sepse edhe tani arrij ta tregoj atë që di të bëj më mirë në këtë botë: të ngas një njëvendëshe dhe të garoj si i çmendur. Në fund të fundit nuk janë tensionet dhe emocionet drithëruese para çdo gare". Mendoni se pilotët e rinj kanë nevojë për të marrë disa leksione nga ju? "Absolutisht që jo. Janë aq të zotë sa nuk kanë nevojë për këshillat e mia. Por, nëse do t‘u nevojitej ndonjëherë ndihma ime unë do të jem gjithmonë i pranishëm". Le të mos flasim më për Ferrarin. "Më vjen keq, nuk mundem", shton Shumakeri duke qeshur. Edhe Korina ndan të njëjtin mendim me bashkëshortin e saj. "Jemi argëtuar shumë në ato vite, sepse kanë qenë vërtet të bukura për ne, nuk mund t‘i harrojmë kollaj". Tani mund të themi se përfundimisht familja Shumaker ka dalë nga Formula Uno, meqenëse edhe vëllai juaj, Ralf, ka deklaruar se do të tërhiqet. "Në të vërtetë më vjen keq, sepse kishim krijuar një emër. U mundova të flisja me Ralfin, por nuk i di të gjitha opsionet që e shtynë të merrte këtë vendim. Mendonte se mund të bënte të tjera gjëra se sa të rrinte të luftonte për vendin e fundit dhe parafundit në vijën e nisjes. Personalisht i kam sugjeruar që të mendohet mirë para se të thotë fjalën e fundit". Në shtëpinë e tij të re në Zvicër, ashtu si e kishte ëndërruar familja Shumaker, është edhe një fushë e madhe futbolli, një fushë golfi dhe një kartodrom. Sigurisht të gjithë e dimë që pasioni i dytë i tij është të luajë futboll, të luajë golf dhe të kalërojë. "Më pëlqen futbolli, edhe pse mund të them se nuk luaj kushedi se çfarë. Pëlqyeshëm, këtu mund ta klasifikoj veten. Së bashku me Korinën jemi shumë të dhënë edhe pas kuajve. Kjo gjë u pëlqen edhe fëmijëve dhe më bën të lumtur", shton ai. Si lojtar i skuadrës lokale zvicerane FC Echichens, Shumi ka marrë pjesë në shumë ndeshje bamirësie dhe në ndeshjet e futbollit të organizuara midis pilotëve të Formula 1. Federata Zvicerane e Futbollit e ka emëruar atë si ambasadorin zviceran për finalet e Kampionatit Evropian 2008. Ndërsa 2007 mund të konsiderohet si një vit shumë i mbarë, si për sa i përket anës financiare, ashtu edhe asaj personale: një libër biografik shkruar nga zëdhënësja e tij personale, një ishull artificial dhuratë nga sheiku Mohammed bin Rashid Al Maktoum me vlerë rreth 7 milionë dollarë dhe renditja nga "Forbes" në pesëshen e sportistëve më të paguar në botë. Na duhet të shtojmë gjithashtu se përveç atyre që fiton, Mikael Shumaker njihet si një nga njerëzit më bamirës të globit. Morisë së angazhimeve të tij do t‘i shtohet edhe ajo në kategorinë Kart, që nga fillimi i këtij viti njëlloj si në hapat e para të karrierës së tij. Këshilltari 38-vjeçar aktual i Ferrarit do të angazhohet si profesionist në këtë kategori, por këtë herë ai do të jetë në rolin e një aksioneri në një skuadër të kësaj kategorie. Bashkë me shokun e tij të vjetër, Peter Kaiser, dhe me Tomas Mukov, Mikael Shumakeri do të angazhohet në kategorinë Kart. Ai është një ambasador special i UNESCO-s, që vepron edhe me fonacionin "Kinder" për të ndihmuar njerëzit në nevojë dhe sidomos fëmijët në të gjithë botën. Thuhet se shuma e parave të dhuruara prej tij i kalon 70 milionë dollarë.

Pasion i fëmijërisë

Mikael u lind në 3 janar të vitit 1969 nga Rolf dhe Elisabet Shumaker. "Që fëmijë koleksionoja makina të vogla, më pëlqente shumë shpejtësia. Që 4 vjeç garonte në kartodromin e familjes me makinat Kart, që e kalonin shpejtësinë 100 kilometra në orë. Shpejt e kuptova se e gjithë jeta ime ishte e lidhur me makinat", tregon ai. Pasi garoi për disa vjet në Formula 3, debutimi në Formula 1 do të vinte në vitin 1991 në çmimin e madh të Belgjikës me një makinë të skuderisë "Xhordan", për të kaluar më pas në vitin 1992 te "Benetoni" i Flavio Briatores, me të cilin do të fitonte edhe dy tituj kampionë në vitet ‘94-‘95. Më pas do të niste "era Ferrari", me të cilin do të fitonte pa u ndalur 5 herë titullin e kampionit të botës, duke u kthyer në legjendën e kësaj skuderie. Gjermani adhurohej nga miliona fansa në të gjithë botën, ndërsa vrulli i sukseseve dukej i pandalshëm. E që atëherë, nga viti i largët 1991 e deri sa u tërhoq përfundimisht në vitin 2006 nga Formula, gjermani fluturues koleksionoi plot 7 tituj kampionë, 91 fitore, 68 pole position dhe 244 gara. Shumë mendojnë se vetëm Sena mund të kishte konkurruar me të për sa u përket rekordeve, megjithatë edhe për shumë breza Mikael Shumaker ka për të ngelur një pikë e rëndësishme referimi dhe padiskutim një mit në librin e artë të Formula 1.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›