E Diel, 1 Nëntor 2026

Në krahët e Sofisë

Koço Kosta ka jetuar gjatë me Sofinë. Ajo grua që mbart brenda saj një trishtim të madh ia ka ndryshuar netët brenda atij apartamentin ku ndan jetën në Rrugën e Kavajës. Për muaj të tërë ai është endur në fatin e saj. Ka besuar ashtu si çdo shkrimtar u beson personazheve të tij, pa mundur t‘i ndryshojë rrjedhën e jetës, për t‘ia bërë ndoshta pak më të lumtur. Një natë dashurie mjafton për të jetuar gjatë. Ndoshta kjo natë ishte e vetmja mbrëmje e lumtur që ai mund t‘i jepte gruas që jetoi aq gjatë në studion e tij. Më pas fati i saj, do të ishte i lidhur me kohën ku jetoi dhe pavarësisht dashurisë që mund të ndiente ndaj saj, Koço Kosta e kishte të pamundur t‘ia ndryshonte...

Shkrimtari, emri i të cilit u rrethua nga një zhurmë në vitin 1986 pas botimit të novelës "Ata të dy dhe të tjerë", rikthehet sërish në letërsi, por këtë herë me një roman voluminoz të cilin e quan "Tetralogji plus një". Një rikthim pas gati 17 vitesh (në vitin 1990 Koço Kosta botoi librin "Paradite me shi") për të cilin nuk ke si të mos ndalesh për të analizuar se cilat janë përfytyrimet që na sjell tashmë një personazh i njohur i letrave shqipe para viteve ‘90.

Një roman për të cilin Koço Kosta thyen paktin e bërë prej kohësh me veten (për të mos folur) dhe na rrëfen gjithçka për këtë grua të cilën e ka quajtur Sofie...

Burri me një trup të imët, vazhdon të besojë se letërsia është gjëja e vetme ku ka besuar në këtë jetë. Ndryshe nga Djaloshi i Pashëm dhe Peshku i Kuq te novela "Ata të dy e të tjerë", personazhe për të cilat ai nuk pati mundësi t‘i komentonte gjatë kohës kur libri doli në treg, për Sofie Kondilin dhe natën e saj ai mund të flasë gjatë. Kjo pasi gati 20 vjet më pas kohët kanë ndryshuar..." Ajo mbetet tani personazhi më i plotë, më e arrirë dhe më e preferuara në tërë hemisferën që ka shkelur përvoja apo përfytyrimi im. Është manual i shpirtit të njeriut që jeton", thotë Kosta.

Koço Kosta u lind në vitin 1941 në Suhë. Mësimet e para i mori në vendlindje. Shkollën 8-vjeçare e kreu në Gjirokastër. Në Tiranë vazhdon shkollën e mesme ekonomike dhe më pas nis studimet në Fakultetin Histori-Filologji kohë kur shkruan tregimin e parë "Në rrugë". Vjen pas tij "Shënime përmes shiut" një libër me reportazhe, portrete, skica. Me "Unë dhe komiti" merr çmimin e parë në konkursin kombëtar të letërsisë me rastin e 25-vjetorit të Çlirimit të Atdheut. Me të mbaruar studimet emërohet mësues në fshatin Picar. Në 1973-in romani "Qafa e Botës" shpallet më i miri në një përvjetor tjetër kombëtar, por ndalohet pas Plenumit IV si roman i gabuar ideologjikisht. Shkruan më pas "Dademadhja", "Bisedë në mesnatë", "Buka e një stine me borë", "Era e udhëve".
"Nata e Sofie Kondilit" është i vetmi roman që shkrimtari e boton tashmë kur historitë e ideologjizmit në letërsi i përkasin një kohe të shkuar. Ndoshta kjo është një arsye më tepër për të analizuar atë se çfarë ka sjellë të qenurit i lirë në krijimtarinë e tij. Por Koço Kosta kërkon të flasë vetëm për personazhet, duke besuar se nëpërmjet tyre mund të thotë shumë…

Prej disa ditësh është vënë në shitje romani juaj "Nata e Sofie Kondilit". Në shpinë të librit keni shkruar se me këtë roman keni bërë "Iliadën e dashurisë"...

Letërsia është guxim, gjithashtu. Dhe mua që herët më ka ndjekur kjo fatkeqësi (Qesh). Jam krijues dhe shkruaj kështu. Bëj mendim se shkrimtari vetë e ndien, e di ç‘ka krijuar. Veç që ky mendim ka zënë vend në tërë ata që kanë lexuar dorëshkrimin. Dhe këta s‘janë firma dosido.

Nuk ju ka shkuar në mend se kështu lini shteg që t‘ju godasin?

Aq më keq për të ose ata, po qe! Pastaj: paskam mëkatuar se duhet të jem krenar për veten? Me veten?

Si ndiheni tani që e keni shkruar këtë roman kaq voluminoz?

Ndihem komod që arrita ta shkruaj. Kaq.

Atëherë: Sofie Kondili është heroina e romanit, përveç shumë personazheve të tjera?

Ajo mbetet tani personazhi më i plotë, më i arrirë dhe më e preferuara në tërë hemisferën që ka shkelur përvoja apo përfytyrimi im. Është manual i shpirtit të njeriut që jeton.

Mund të vazhdoni...?

Sofie Kondili, nuk është një shembull i veçantë. Kjo Sofi është shumë e ndjeshme. E ndjeshme sa një femër e plotë. Sa një poet planetar. Miti i Sofie Kondilit lëvizte tek unë, në mendjen time, shumë vite. Ajo thërriste dhe unë dëgjoja klithma Sofish.

Mendoni se ky rrëfim është një gjetje inteligjente?

Jo se është një gjetje inteligjente. Ai është shkruar pa sforcim dhe pa menduar për lexuesin!

Domethënë?

Në letërsi motori im janë ndjenjat. Dhe unë shkruaj vetëm për faktet që i prek me dorën e shpirtit. Sa filloj të shkruaj, ndizem i sulmuar nga përfytyrime. Kur duhet të nis lindjen: të shkruaj, provoj një imagjinatë të përbindshme me trille që më shkojnë për shtat, doemos. Sa më tronditet imagjinata, ndjeshmërinë e kam të jashtëzakonshme. Dhe, shpesh, një pesimizëm, gati, proverbial, gjithashtu. Libri është i tëri letërsi, i gjithi frymë poetike. Me këtë roman, ku shfaqet një nuse, jam përpjekur të arrij, të çikë e të hap gjërat deri në skaje, deri në turpe (?!) Që të flas me të vërteta mizore dhe me shpirt e logjikë humane. Libri është vepër me elasticitet poetik. Po romani, siç e dini, është një përplasje morale.

Midis shumë ngjarjeve e personazheve te ky libër, Sofie Kondili është heroina që të mbetet gjatë në mendje me fatin e saj. Ju e keni analizuar deri në detaje personazhin e saj. Është një femër e moralshme ajo?

Kjo është e shenjtë dhe në rastin tim nuk shkruhet për një prostitutë. Nuk është mizantrope, sigurisht. Dhe nuk është shumë romantike. Sipas saj, zbulojmë se dashuria duhet të motivohet edhe nga seksi. Gjaku i saj, lëmfa, e tëra dashuron paçka se jeta, rrethanat e mbyllin të jetojë me aluzione seksuale dhe të gëlltisë e të gëlltisë pikëllimë. Sofie Kondili është një nga femrat e botës që s‘pranon të heshtë, kur këtë, padrejtësisht, ia kërkojnë. Dhe nuk i shmanget paraqitjes, deklarimit të ndjenjave në hollërimat më të skajshme. Ajo është e parehatshme, e fuqishme, gjithashtu. Dhe tërë energji. Siç e lexove, ajo jeton në një vetmi të paimagjinueshme. Ajo vetmi s‘e qetëson, nuk e bën më të urtë. Ajo është e plotë dhe e shenjtë, pra: Asaj nuk i mungon delli i marrëzisë, por jo, jo: nuk bën mesazhe të turpshme. Ajo e shkreta shpërtheu tek unë si një elegji, që s‘mund ta fshihja. Ajo mbetet shenjtore dhe proteston. Nuk i rresht klithmat hyjnore prej BisheFemre për... Për Dashuri. Dhe përtëritjen e jetës, veçan! Sidomos natën, pikërisht, në të atillë burg! Ajo shndërrohet në një tërmet të vërtetë. Dhe s‘e vë dot në gjumë veten, po i fryn një zjarri që bubullon i tronditur. Nuk bindet të prehet në gjumë apo në gjunjë. Ajo pra, s‘bindet të heshtë. Se është shumë e nxehtë si femër. Dhe ka shume tension, po s‘ka nuanca feministe. Ëndërron me shumë uri Sofie Kondili. Ato ëndrra ngjajnë dhe me gurgullimat e një burimi të pastër, të pandalur. Vazhdimisht, befas, asaj i zgjohet e i rizgjohet kopeja e ëndrrave. Dhe lemeritet e lemeritet nga ajo jetë e vet.

Si punoni për të zbuluar të tilla fenomene?

Jetën e jap siç e ndiej dhe mundohem të ruaj me besnikëri strukturën bazë të shpirtit të njeriut. Dashurinë, urrejtjen dua t‘i shkruaj me germa.

Libri ka një fjalor të pasur...

E refuzoj fjalorin e rëndomtë.

Ǒështë romani për Juve?

Një përrallë e vërtetë që patjetër duhet të të prekë në shpirt. Duhet të jetë vepër e mirëfilltë letrare. Magji, magjishmëri. Se letërsia mbetet punë dhe detyrë e të talentuarve të ndërgjegjshëm, e punëtorëve të fuqishëm, të patërhequr, të vendosur. Por, nëse të thashë se romani është një përrallë, nuk do të thotë se duhet të shërbejmë e të pranojmë libra me gënjeshtra. Se kur i thua një gënjeshtër dikujt, i vjedh të drejtën që ai të njohë të vërtetën. Letërsia është rezultat i sinqeritetit. Vetë i krijoj njerëzit siç m‘i sjell jeta, impresionet. Frymëzohem nga një lloj imagjinate që shpërthen nga mitra e realizmit, nga zëra të të tjerëve me të cilët flas, nga trojet ku kam qenë. Nga një gjeografi e hazdisur. Vendet ku zhvillohet romani janë një kostelacion gjeografik: Shqipëri, Stamboll, Greqi, për shembull. Po jeta ime, kryesisht, diktohet nga emocionet.

Do ta quanit këtë roman një vlerë?

Për mua është vlerë (Po qe?!) Njeriu i parë që krahasoi faqet e një gruaje me trëndafilin ishte, padyshim, një gjeni. I dyti, që e ka bërë këtë, mund të ketë qenë fare mirë një idiot!

Kështu ka thënë Salvador Dali.

Domethënë Sofie Kondili është e vërtetë?

Sofie Kondili është e vërtetë. Ajo nuk mban maskë. Ka shumë syresh prej nesh që jemi të rremë. Sofie Kondili është Gjel që këndon më herët, se Gjeli i Mëngjesit, me të cilin jemi mësuar. Ja mëkati i saj. Sepse natyrshmëria e saj, bukuria llaftarpsëse e saj, ajo kreatyrë muzikore e mahnitshme, shfaqet si rrapëllimë përpara njeriut mediokër, konservator, të trashë dhe impotentëve imoralë. Ndaj aq shpesh i shpërthen në zemër ndriçimi, pasioni, rinia. Dhe liria, dëshira për liri. Dhe rebelohet. Rebelimi i saj s‘ka të sosur. Sikur kërkon të shqyejë egërsirë.

Më flisni pak për personazhin tjetër, Deleshë Maçi, burrin e saj?

Është një lloj Timurlëngu. Është fatkeq Deleshë Maçi, se është sakat. Ai punon që ta mbushë shpirtin, jetën me pronë. Po të shoqen ta mbyllë brenda?! Të jetë e tij?! E vetmuar! Një lloj soliloke, vetmimtare që fjaloset me vete. Ajo është nën dhunë që ne e shohim, e prekim.

I keni diçka borxh Sofie Kondilit?

Po, Sofie Kondilin unë e njoh, i njoh! Po..., gjithsesi, ... Muzika e Vagnerit, ka thënë një shkrimtar, është më e bukur sesa tingëllon.

A ka ngjyrim fetar vepra?

Feja, e dimë, është kulturë. Është, ndaj është e pranishme. Të pranishme, janë te libri im minaret dhe kishat, Stambolli dhe fshati diku në Jug. Po: në vepër ka dhe frymë ortodokse. Sofie Kondili asnjë çast nuk e ndan shpresën te Zoti. Ajo shikon te Perëndia dhe e heton hollë jetën: të tashmen, dhe veçan, të shkuarën. Fillon e kthehet te kujtimet dhe me shumë rregull rimerr korrespondencën nga jeta e shkuar. Sofie Kondili është femër me histori.

Për femrat?

Ju falem. I adhuroj. Gjithashtu, i përfytyroj dendur me pasion. Ka qëlluar që kam vuajtur edhe për atë femër që s‘e njihja. Jam emotiv.

Domethënë, Sofie Kondili jeton?

Sigurisht. Dhe duke gërmuar tek ajo zbulon kafshën e mirë të njeriut të mirë, si të ... të shprehem. Por tek ajo nuk gjen kafshën e Frojdit.

Sofie Kondili është e bukur dhe e moralshme?

Aq e bukur dhe e moralshme sa çdo mbiemër më rezulton i pamjaftueshëm.

Aty flitet edhe për luftën: për Partizanët e Ballin?

Vetëm diktatura bën vlerësime politike, siç e dini. Por unë jam sjellë fisnikërisht me luftën. Atë e shkruajnë historianët.

Dhe kur përfundon, sipas jush, mbetet libër me jetë të gëzueshme?

Ky roman s‘është një libër gazmor. Vini re ç‘po ndodh!

Te ne, për shembull?

Midis politikanëve e shkrimtarëve ka tepër vulgaritet, gënjeshtra, imoralitet. Tek unë, për ata, banon neveria, përbuzja, urrejtja. Vetë s‘e përlyej veten në ta. Jam pa borxhe, ndihem i papërulur dhe e kam të shtrenjtë Njeriun. Unë punoj letërsi. Ika nga Suha e bukur e Lunxhërisë dhe hyra në betejën e madhe të letërsisë. Po Suhën s‘e le. Ajo jeton me përsosmëri tek unë. Por ajo rrudhet si në një jetë që pret vdekjen. I ziu! Sikur po e vajtojnë gurët Suhën! Dhe fare pak njerëz që sillen atje vështrojnë te varret. O Zot!

Si e shihni fëmijërinë?

Ajo vjen si një kohë e ndritur.

Je bestyt?

Kam aftësira telepatike: Gjej domethënien e çdo ëndrre që shoh vetë.

Si ke jetuar?

Si ushtar me nder, dinjitet.

Ishte i vështirë për t‘u shkruar ky roman?

Kur shkruaj nuk lodhem. Sikur s‘lodhem! Po thotë Pikaso: "Mençuria është të dish kur duhet të ndalesh."

Fyheni?

I dua ata që kanë forcë të fyhen.

Gruaja?

Me gruan gjithçka është themelore. Në intimitete më ka dhënë faqe të tëra për romanin: shumë detaje. I falem!

Dikur emri juaj lakohej si rebel.

Po, por edhe mjaft i vëmendshëm.

Vuani kur shkruani?

I tëri ngazëllehem si poet. Por ... rruga te ne për të botuar është e vështirë, megjithëse unë u ndjeva tepër komod me zonjën Arlinda Dudaj për botimin e kësaj vepre. Etj.

Jeni krenar?

Krenaria ime është civile. Dhe e di se romani nuk fillon e nuk mbaron me imazhin e njohur. Ky libër e modernizon letërsinë. Flas kështu se e di që modestia është dogmë.

Ǒpo shkruani?

Ndodhet brenda meje dhe është një mister që zbulohet ngadalë. Po e fola, ftohem.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›