E Diel, 1 Nëntor 2026

"Dua të kthehem në shtëpi..."

Sfida e Kosovës për shkëputje dhe de jure nga Serbia është nganjëherë më komplekse se sa duket. Për shembull, pak është folur për një tjetër krim serb, atë të rrëmbimit dhelpërisht të vlerave të trashëgimisë kosovare. Në këtë kuadër, procesi i përcaktimit të statusit përfundimtar parasheh dhe kthimin e këtyre vlerave nga ana e autoriteteve serbe. Për atë se si ka ndodhur ky "krim kulturor" me rrëmbimin e artefakteve dhe si është përcaktuar strategjia e vendosjes së drejtësisë në vend, flet drejtori i Muzeut të Kosovës, Arbër Hadri.

Kur janë marrë këto artefakte nga Kosova dhe pse, arsyetimi?

Koleksioni kryesor arkeologjik dhe etnologjik i Kosovës, i përbërë nga 676 eksponate arkeologjike dhe 571 eksponate etnologjike, mbahet momentalisht padrejtësisht në Beograd dhe pret kthimin në shtëpinë e tyre, në Muzeun e Kosovës.

Kjo pasuri e madhe e Trashëgimisë Kulturore të Kosovës është marrë përkohësisht për ekspozim me qëllim të organizimit të Ekspozitave "Thesari Arkeologjik i Kosovës" dhe "Thesari Etnologjik i Kosovës" në muajt shkurt-mars të vitit 1999. Këto dy ekspozita të përkohshme janë realizuar në bazë të marrëveshjes për ekspozim të përkohshëm ndërmjet dy institucioneve kulturore ndërkombëtarisht të pranuara, Muzeut të Kosovës, pronarit të ligjshëm të tyre dhe huazuesit, Galerisë së Arteve të Akademisë së Shkencave, respektivisht, Muzeut Popullor dhe Muzeut Etnologjik në Beograd. Kjo qasje ka pasur edhe prapavijë politike meqë është ndjekur jo zyrtarisht një politikë e nxjerrjes jashtë Kosovës, të Trashëgimisë së saj të Luajtshme, nga ana e administrimit institucional të dhunshëm në Kosovë. Me fillimin e ndërhyrjes ushtarake të NATO-s ky koleksion është vendosur përkohësisht në depot e Muzeut Popullor të Beogradit, eksponatet arkeologjike dhe në depot e Muzeut Etnologjik, eksponatet etnologjike.

Çfarë lloj artefaktesh janë marrë. Më specifikoni disa prej tyre dhe cilëve shekuj i përkasin?

Ky koleksion përbëhet nga eksponatet më të përzgjedhura të thesarit arkeologjik dhe etnologjik të Kosovës. Përfshijnë eksponatet arkeologjike më karakteristike të periudhës së Neolitit 6.000 p.e.r.- 3.500 p.e.r., Epokës së Bronzit 2.100 p.e.r.-1,200 p.e.r., Epokës së Hekurit, 1.200 p.e.r. dhe Periudhës së ndritur të Mbretërisë Dardane, shekulli IV p.e.r.-I e.r., Periudhës së Dardanisë Romake, respektivisht Provincës së Dardanisë në kuadër të Perandorisë Romake shek. I e.r.-V e.r. dhe periudhës së Mesjetës së Hershme shek. V-X e.r., respektivisht Dardanisë Arbërore dhe periudhës së kontinuitetit iliro-arbëror. Këto eksponate janë monumente të Trashëgimisë së Luajtshme të Kosovës dhe pasqyrojnë identitetin kulturor dhe historik të Kosovës.

Po ashtu, koleksioni etnologjik përbëhet nga eksponatet më reprezentative të veshjeve popullore të Kosovës, punimeve të dorës nga ari dhe argjendi, eksponateve të tjera etnologjike që pasqyrojnë jetën në Kosovë gjatë shekujve XV-XX, në kontekstin etnologjik.

Cila është vlera e tyre për trashëgiminë kulturore të Kosovës?

Vlera e tyre është jashtëzakonisht e madhe meqë ky thesar arkeologjik dhe etnologjik i Kosovës është thelbi i Trashëgimisë së Luajtshme të Kosovës dhe rezultati i gërmimeve sistematike të Muzeut të Kosovës, që nga vitet ‘50-të të shekullit të kaluar e deri në fund të shekullit XX, e aq më shumë meqë ndriçimi i historisë sonë të lashtë mbështetet shumë në të gjeturat arkeologjike dhe kulturën materiale që ajo na afron. Trashëgimia Arkeologjike e Kosovës është edhe më me peshë meqë Trashëgimia e Paluajtshme e kësaj periudhe të lashtë nuk është eksploruar ende në formën e duhur. Kjo mospërfillje ndaj hulumtimit të periudhave të caktuara historike si ajo e Mbretërisë Dardane dhe Periudhës së Dardanisë Arbërore ka qenë e qëllimshme dhe e dirigjuar nga pushteti okupues serb gjatë gjithë shekullit paraprak, me qëllim që identiteti dhe historia jonë të mos ndriçohet dhe pasqyrohet në tërë dimensionin e saj. Për këtë arsye, në kuadër të politikave kulturore të krijimit dhe studimit të koleksionit të Trashëgimisë Arkeologjike prioritet parësor duhet t‘u jepet gjurmimeve arkeologjike gjithëpërfshirëse të këtyre dy pikave kryesore ende të pa hulumtuara në formën e duhur.

Është kthyer vetëm Hyjnesha në Fron. A mund të na rrëfeni pak për fushatën që u bë për këtë statujë?

Po, deri më tani është kthyer vetëm Hyjnesha në Fron, një ndër eksponatet më me rëndësi të koleksionit të Kosovës, e cila që nga vitet ‘60-të ka qenë e pranishme në forma të ndryshme në paraqitjet mediatike në kontekstin kulturor dhe simbol i Muzeut të Kosovës e Komunës së Prishtinës. Hyjnesha në fron është 6 mijë vjet e vjetër dhe i takon Epokës së Neolitit-Eneolitit. Kjo është bërë e mundur meqë Muzeu i Kosovës nga viti 2001 ka shpallur një fushatë për kthimin e "Thesarit arkeologjik dhe etnologjik të Kosovës" me moton "Dua të kthehem në shtëpi - Tani", sinonim i së cilës ka qenë "Hyjnesha në Fron". Po ashtu janë realizuar afishe, broshura, prezantim 3D i të gjitha eksponateve në formë të videos etj. Në muajin maj të vitit 2002, në sajë të presionit, media në UNMIK, është kthyer nga Beogradi nga ana e PSSP Mihajl Shtajner, "Hyjnesha në Fron" në shtëpinë e saj, Muzeun e Kosovës. Tani, që nga 17 dhjetori 2007 i është prezantuar në formë të përhershme opinionit të Kosovës dhe atij ndërkombëtar "Hyjnesha në Fron" dhe ekspozita "Kosova Arkeologjike".

Sa është angazhuar politika e Kosovës për rikthimin e artefakteve dhe si?

Fushata, për shkak të rrethanave në Kosovë, është zhvilluar pa ndalje me intensitet të ndryshëm në saj të nevojës dh momentit politik. Kjo, po ashtu ka rezultuar në vëmendjen dhe përkushtimin e politikës kosovare në kthimin e thesarit arkeologjik dhe etnologjik të Kosovës në forma të ndryshme. Kjo çështje ka qenë e pranishme gjatë negociatave për procesin e statusit përfundimtar të Kosovës dhe ka rezultuar pozitive me përfshirjen e saj në një nen të posaçëm të "Pakos së Ahtisarit", në të cilën përcaktohet qartë që 676 eksponate arkeologjike dhe 571 eksponate etnologjike, të marra përkohësisht nga Kosova, duhet t‘i kthehen pronarit të ligjshëm dhe vendit të origjinës - Kosovës, brenda 120 ditëve nga hyrja në fuqi e "Pakos së Ahtisarit" si dokument ndërkombëtarisht i pranuar.

Sa shpresoni që ato do të kthehen me implementimin e Planit të Ahtisarit, duke pasur parasysh reagimin e Serbisë ndaj pavarësisë së Kosovës?

Kthimi i "Thesarit arkeologjik dhe etnologjik të Muzeut të Kosovës" duhet të ndodhë herët, apo pak më vonë, dhe kjo meqë është përcaktuar në një dokument ndërkombëtar për Kosovën, pa marrë parasysh që Serbia nuk do ta pranojë për momentin pavarësinë e Kosovës dhe dokumentin në fjalë. Ky është imperativ edhe për kultivimin e qasjes pozitive ndaj Trashëgimisë Kulturore të Kosovës dhe specifikave të saj, ndaj një pjese të së cilës serbët kanë interesa të veçanta. Vendet në Rajon duhet të japin një porosi të qartë që Kultura dhe Trashëgimia Kulturore duhet të depolitizohet dhe të ketë përkujdesin e duhur në çdo kohë dhe me përkushtim profesional e moral. Kjo qasje e përgjithshme ndaj kujdesit të Trashëgimisë Kulturore të Kosovës si tërësi, detyrimisht përcakton që kthimi i "Thesarit arkeologjik dhe etnologjik të Kosovës" duhet të kthehet sa më shpejtë për krijimin e klimës së mirëbesimit dhe pa paragjykime për Trashëgiminë e Kosovës, në mënyrë që të ulen tensionet dhe që me të vërtetë të kujdesimi në formë profesionale për tërë Trashëgiminë Kulturore të Kosovës, pa asnjë konotacion politik.

Ju keni përmendur Gjykatën Ndërkombëtare, si mjet të fundit. Kur do të ndodhë dhe si?

Kthimi i "Thesarit arkeologjik dhe etnologjik të Muzeut të Kosovës" është i pashmangshëm meqë është i bazuar në të Drejtën Ndërkombëtare në lidhje me kthimin e Trashëgimisë Kulturore në rast të konfliktit të armatosur, Konventave Ndërkombëtare për Trashëgiminë Kulturore dhe dokumenteve të ratifikuara nga ana e shteteve, pjesëtare të organizmave ndërkombëtarë, që do ta pranojnë pavarësinë e Kosovës dhe dokumentet e ndërlidhura me këtë akt.

Krijimi i Shtetit të Pavarur dhe Sovran të Kosovës, përcakton shumë qartë Kthimin e Trashëgimisë Kulturore në vendin e origjinës, në kuadër të së drejtës ndërkombëtare, edhe pse Serbia mund që të mos ta pranojë këtë fakt për një kohë të caktuar. Hapi i fundit do të jetë padia ndërkombëtare në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, me qëllim që të detyrohet edhe në formë ligjore Serbia për dorëzimin e Trashëgimisë, e cila nuk i takon, vendit të origjinës së tyre, Kosovës. I tërë ky koleksion arkeologjik dhe etnologjik është krijuar në sajë të gërmimeve sistematike të organizuara nga Muzeu i Kosovës, është sajuar në territorin e Kosovës dhe nga njerëzit që kanë jetuar në të. Kjo qasje përforcohet edhe më shumë meqë kthimi ndërlidhjet me një marrëveshje ndërinstitucionale të muzeve ndërkombëtarisht të pranuar, për shfrytëzim të përkohshëm, me qëllim të ekspozimit të këtyre eksponateve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›