Midis mëkatit, krimit dhe virtytit
Lyk Ferri në librin e tij "Homo Aestheticus" shkruan : "Ajo që kërkon arsyeja, në fakt, është që natyra dhe mendja të pajtohen, siç do të duhej të ishin nga pikëpamja e një shkence të përfunduar ose që është e njëjta gjë, e një intelekti të pakufishëm, gjithëditës siç duhet të jetë intelekti hyjnor" (bot. shqip, shtëpia botuese "Elena Gjika", Tiranë 2002, përkth. A.Omari, f. 135). Kështu, jo vetëm në këtë rast, por, në përgjithësi, pyetja që mundon më shumë studiuesit, lexuesit dhe opinionin në tërësi, është se përse një vepër, një objekt, një dukuri është e bukur?! Ndërkaq, të gjithë janë në një mendje se perceptimi i parë, sidomos në rastin e një vepre të shkruar, vjen nga kënaqësia emocionale që provon kur e lexon atë libër. Kështu ndodh me veprat e mëdha, kështu ndodh me veprat dhe shkrimtarët që kanë arritur të prekin e të kapin bukurinë hyjnore përmes formave të natyrshme të jetës. Kështu ndodh me Koço Kostën dhe me librin e tij të fundit "Nata e Sofie Kondilit" (4 romane + 1, tetralogji), sepse në këtë formë, me këtë paradigmë e ka emërtuar këtë vepër shkrimtari virtuoz, artisti i papërsëritshëm, personaliteti i letrave shqipe që, në shumë raste, me jetën dhe me veprën e tij, është shndërruar shpesh në një mit, në një hero aq sa e ke të vështirë ta besosh në ka ekzistuar, nuk ka mundësi të ketë ekzistuar. Deri në vitin 1990 Koço Kosta ishte pa dyshim shkrimtari më popullor në Shqipëri bashkë me Kadarenë e Agollin. Mirëpo ndryshe nga këta të dy, Koço Kosta ishte pranuar nga të gjithë edhe si një sfidë reale e kohës, ishte triumfi i guximit dhe ironisë, ishte shkrimtari që në jetën e përditshme, në atë jetë që ne të tjerët e jetonim me frikë dhe me vetëpërshtatje, ai e jetonte ndryshe, e përqeshte dhe satirizonte gjithë sharlatanizmin e periudhës komuniste me tiparet e një heroi që më shumë të kujtonte Pushkinin. Me veprën e tij ai krijoi në letërsinë shqiptare traditën e prozës virtuoze që e rrok jetën në plotësinë ekzistenciale, pa përzgjedhur prej saj lëndën me kritere ideologjike. I vetmi kriter që përdor Koço Kosta në përshkrimin dhe në realizimin e portreteve të veprave të tij është mpleksja tragjike e sharmit hyjnor që ka jeta, e kompleksit kontradiktor midis pasionit të shpallur të dukshëm dhe dëshirës së ndrydhur në pavetëdije, midis emocioneve të korrektuara dhe shpërthimit të pavetëdijes emocionale në kufijtë e një zjarrmimi të padurueshëm. "Dademadhja", "Era e udhëve", "Buka e një stine me borë" janë prologu shpesh i ndërkryer i një dëshire ende të parealizuar deri në fund. "Ata të dy e të tjerë" novela e gjatë që shkërmoqi gjithë ngrehinën absurde të letërsisë skematike shqiptare, u bë ngjarja që pararendi epokën e re që po vinte, por ajo, në mënyrë paradoksale dhe gati tragjike shënoi edhe parathënien e mbrapshtë për fatin njerëzor të shkrimtarit. Këtu nuk është fjala vetëm për masën ekstreme që u mor ndaj tij, duke e syrgjynosur në brigadat kooperativiste të Mallakastrës, megjithëse diktatori komunist kishte vdekur (libri u shkrua më 1985 dhe u botua më 1986), jo, nuk është fjala për këtë, pra për pagën me 20 lekë të vjetra për ditë pune. Duket se shoqëria po përgatiste një internim më të butë, më gjumëndjellës. Pasi kalon gati katër vjet si i internuari i fundit i regjimit komunist, ai bëhet i internuari i parë i regjimit demokratikas, për ardhjen e të cilit ai frymëzoi një brez të tërë sidomos me novelën e tij të famshme. Tamam në vitin 1990 Koço Kosta vjen në Tiranë, pra lë Fierin ku ishte vendosur si shkrimtar në profesion të lirë dhe vjen në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe po atë vit boton librin tjetër "Paradite me shi", i cili u botua në 10000 kopje dhe sot nuk gjendet askund. Siç duket, bashkë me atë libër humb dhe vetinternohet edhe Koço Kosta. I tërhequr me dinjitet dhe duke vështruar se si ata që ai i kishte përqeshur dhe satirizuar jo vetëm në jetën reale, por edhe në atë virtuale, tani vraponin të integroheshin në demokracinë e sharlatanëve, Koço Kosta pranon të rrethohet me heshtje, zgjedh "Rrugën e Kavajës" vetëm për të bërë një shëtitje dhe nis e banon herë në një magazinë, herë në një dhomë poliklinike. I shoqëruar vetëm nga bashkëshortja e tij e urtë, ai i beson tashmë vetëm forcës së pasionit që fshihet në trupin e tij të imët dhe ndonjë kafeje të shkurtër me miq shumë të rrallë. Kështu, i vendosur mbi piedestalin që ai e kishte zgjedhur dhe ndërtuar me veprën e tij, për tre vjet rresht shkruan dhe vetëm shkruan. Më në fund, vjen romani "Nata e Sofie Kondilit". Po ç‘është ky roman dhe përse është ngjarja më e shënuar për letërsinë shqiptare tash në fund? Për shumë arsye. Natyrisht, këto vite letërsia shqiptare pësoi një tronditje të kuptueshme. U harrua bashkë me letërsinë politike edhe letërsia skematike shqiptare, e quajtur e realizmit socialist. Në këmbë kanë mbetur veprat e Kadaresë, Zyloja i Agollit dhe natyrisht librat e Koço Kostës, ndër të cilët, novela "Ata të dy e të tjerë" do të mbetet në historinë e letërsisë shqiptare si kufiri që shënon rënien e letërsisë dogmatike, skematike e shabllone të nxitur nga parimet politike e ideologjike të realizmit socialist. Romani i fundit, "Nata e Sofie Kondilit" shënon një pikë të lartë në krijimtarinë e Koço Kostës dhe e vendos letërsinë shqiptare në radhën e letërsive të mëdha veprat e të cilave kanë trajtuar me art e mjeshtëri ankthet e padeshifruara të qenies njerëzore, kufirin midis mëkatit dhe virtytit, krimit dhe realizimit të jetës. Ngjarja e romanit është e thjeshtë. Një çetë partizane, pasi ka varrosur mitralierin, niset në një marshim. Nata i zë në një fshat që në atë kohë njihej si fshati që përkrahte një formacion tjetër politik, Ballin Kombëtar. Mirëpo, partizanët janë të detyruar të kalojnë natën në këtë fshat. Dhe ashtu ndodh. Të gjithë ndahen nëpër shtëpi. Në shtëpinë e Sofie Kondilit bujnë Kristofor Kutulla dhe partizani Ashtus, me emër të formuar nga përsëritja e fjalës parazitare "ashtu". Sofie Kondili ka fatkeqësinë më të madhe që mund të ketë një femër. Burri i saj është deledash, pra i paaftë të kryejë marrëdhënie me të shoqen. Ajo është tepër e bukur. Perëndia pa u kursyer ka hedhur mbi të gjitha hiret e një femre. Befas në shtëpinë e saj vijnë dy meshkuj dhe njëri prej tyre, Kristofor Kutulla, mitralieri i ri i çetës, me një bukuri mashkullore të jashtëzakonshme. Atë natë i shoqi Deleshë Maçi nuk ndodhet në shtëpi, aty është vetëm plaku që më shumë nuk dëgjon. Dhe kështu nis e zhvillohet romani, i cili është vetëm digresion e retrospektivë. Që këtu Koço Kosta nis e bën rivlerësimin e jetës. Sofia Kondili rrëmbushet e tëra nga kujtimet dhe përballë provës më të vështirë të jetës së saj, përballë një mashkulli që ajo e kishte ëndërruar deri në masakër, nis e shkund gjithë anët e errëta e ato me drita të jetës në përgjithësi e të jetës së saj në veçanti. Ndërsa Koço Kosta, ka rastin që të shpërthejë si një i ndërkryer dhe të lëshohet në përshkrime nga më të imëtat të nënvetëdijes së njeriut. I papërmbajtur dhe me një fantazi të ndezur ai e bën fshatin e vogël diku në një këmbë mali si qendrën e botës. Aty jetojnë njerëzit më të çuditshëm të planetit. Babazoti, gjyshi i Sofie Kondilit, që vjen në roman përmes kujtimeve të heroinës është i qetë vetëm kur flet për jetën në Stamboll, për Bullutin e Gylshen hanëmin apo kur kridhet në Kretë e sjell që andej kujtime të tjera. Fshati i Sofie Kondilit ngjan si qendër e një perandorie në të cilën Koço Kosta nuk përshkruan vetëm zakonet, por rikrijon imazhet e pasioneve që lëvizin këta njerëz. Në të gjitha përshkrimet duket se autorin e mundon ankthi i jetësisë, i riprodhimit, akti i vazhdimit të jetës. Bimët, lulet që pjalmohen që shumëzohen e bëjnë këtë gjë nga që edhe ato kanë kënaqësinë e pasionit, të epshit që mban gjallë jetën; kafshët që i jepen njëra-tjetrës, demi që mbars lopën nuk kryen vetëm një akt utilitar dhe të domosdoshëm për fshatarin apo për pronarin, ai rindez dhe u kujton njerëzve se jeta ka në themel pasionin. Nga kjo marrëdhënie e ngushtë e bagëtive me njerëzit, e bimëve me njerëzit, Agllaia, Alias Kako Thimla shkërmoq trupin në ekstazë. Gjithë kjo botë që ka në themel përdëllimin hyjnor dhe njerëzor të kënaqësisë dhe të riprodhimit të jetës e ka dënuar Sofie Kondilin me mungesë. Ajo, si për ironinë tragjike të fatit, nuk mund ta provojë kënaqësinë e riprodhimit të jetës. Burri i saj kurohet që të bëhet mashkull me lëngje barërash të egra te plaka e Guva Darit. Gjithë ajo natë, pra nata e Sofie Kondilit është tortura e ëmbël që ajo provon duke kundruar në dhomën ku flinte partizani Kristofor, trupin e tij prej mashkulli. Në atë natë, gjatë atij kundrimi, ajo, përmes qindra faqesh, zbulon gjithë sekretet e pathëna të jetës së femrës, ajo zbulon himnin e fshehur të penetrimit. Është hera e parë në letërsinë shqiptare që zbulohet me forcë tronditëse magjia e pathënë, e ndrojtur dhe pasionante e penetrimit. Ka shumë teori që e shpjegojnë komunikimin njerëzor si një marrëdhënie erotike, si një marrëdhënie penetrimi. Deri edhe toka që të prodhojë ushqimin që mban gjallë njeriun ka nevojë për penetrim. Plugimi sipas kësaj teorie është një marrëdhënie erotike që njeriu ka me tokën. Mirëpo, në romanin e Koço Kostës kjo filozofi e zbuluar me anë të gjuhës së gjallë e plot variacion të njerëzve të një fshati diku në jug, me kishë e selvi, me shegë të kuqe e personazhe që janë në kufijtë e veprimit të arsyeshëm, e të çmendurisë, zbulohet me një pasion të papërmbajtshëm; madje edhe zgjidhje e nyjës së konfliktit, pra edhe çasti kur lexuesi nga ankthi që provon është gati që ta zgjojë vetë partizanin Kristofor që Sofie Kondili të mos vuajë më, edhe në këtë çast gjithçka zgjidhet me një penetrim. Një krimb misri është futur në vesh të partizanit dhe ai zgjohet i lemerisur. Sofia e ndihmon, i nxjerr me letër të djegur me dyllë krimbin nga veshi, ... dhe pastaj, fustani i nusërisë, kapelja e nuses, këmisha, mbathjet, dhoma me zjarr, pra gjithë bota kridhet e bëhet pasion. I lehtësuar lexuesi mendon se ky është fundi i botës. Sofie Kondili mendon se vetë Krishti e kishte sjellë partizanin në atë dhomë, se Maria i kishte dëgjuar lutjet e saj dhe më në fund ajo e kishte provuar dhimbjen e kënaqësisë që provon toka, që provon bari kur shpon tokën, që provojnë shpezët, bota dhe njerëzit. Mirëpo vetëm kaq, se kjo jetë e parë, reale, jeta e emocioneve dhe pasionit, ka si kufi jetën e njerëzve, moralin dhe shoqërinë. Si për të na kujtuar Dostojevskin dhe romanin e tij "Krim e ndëshkim", Koço Kosta e vë pasionin në peshoren e kompleksit të fajit. Dikush i ka përgjuar dhe të nesërmen, kur çeta bëhet gati të vazhdojë marshimin, Cile Marroku vjen i thotë komandantit se partizani ka vjedhur në shtëpi dhe ka bërë dashuri me nusen e asaj shtëpie. Skena e çetës që mblidhet në qendër të fshatit dhe fshati i tërë që i përçmon, Kristofor Kutulla dhe gjyqi që i bëhet atij janë nga faqet më të bukura. Është një skenë që e gjen vetëm në filmat e mëdhenj hollivudianë. Aty është vënë në peshore faji dhe kënaqësia. Mëkati dhe jeta. Partizani Kristofor Kutulla gjykohet nga një gjyq partizan se ka thyer moralin e luftës komuniste. Edhe Raskolnikovi gjykohet se vodhi dhe vrau një plakë, sepse ajo kishte para dhe atij, Raskolnikovit i duheshin paratë që të vazhdonte studimet. Pra vodhi në emër të dijes, vrau një plakë që në fakt e kishte sosur jetën në emër të një ideali që gjithashtu i shërbente vazhdimit të jetës. Ku qëndron faji i Raskolnikovit të Dostojevskit. Po faji i Kristofor Kutullës së Koço Kostës ku qëndron? Pse duhet të vritet ai? Në emër të cilit moral? Sofie Kondili iu dha vetë atij, sepse ajo nuk e kishte provuar dhe ishte dënuar me vyshkje në shpirt e në trup, se ajo ishte më e nëmur edhe se një fije bari që e shijon penetrimin, që shumohet, kurse ajo jo. Dhe Kristofor Kutulla pushkatohet e çeta ikën në Gropën e Icë Majores... Sofie Kondili si e çmendur varet në kambanën e kishës dhe ikën e tretet diku nëpër dëborë... Partizani Ashtus braktis çetën. Prapa mbetet një fshat gjysmë i çmendur. Harrohet lopa e Nase Sisës. Kristofor Kutulla varroset në kishën e fshatit. Dhe romani mbaron duke të lënë pezull, të ngrirë në mëdyshjen më të madhe se çfarë është jeta? Mos vallë është një çengel i madh i ngulur në mish të pasionit dhe sa herë e heqim nga mishi ynë këtë çengel ndiejmë dhimbjen e pasioneve të fshehura dhe të atyre që kemi varrosur me kohë apo...? Koço Kosta ka meritën se me këtë çengel në dorë na tregon gjithë dramën e përgjakshme të pasionit që përtërin barin, tokën dhe ...jetën, por që shoqëria shpesh e varros me heshtje ose me moral hipokrit. Këtë hipokrizi totale ka shtrirë të gjakosur përdhe Koço Kosta.