Janar 1913, kur Shkodra vuante rrethimin e serbo-malazezëve
Plot 95 vjet më parë, nga tetori i vitit 1912 e deri në prillin e 1913-ës, qyteti i Shkodrës me rrethinat e tij ndodhej i tëri nën rrethimin e trupave ushtarake serbo-malazeze të princit Danilo të Cetinës, të cilat për gjashtë muaj me radhë zhvilluan një luftë të ashpër për ta shtënë në dorë atë qytet, i cili u mbrojt me një heroizëm të rrallë nga garnizoni turk që komandohej nga koloneli Hasan Riza Beu Toptani (që njëkohësisht ishte dhe valiu i Shkodrës e komandant i përgjithshëm i trupave turke në atë qytet) dhe zëvendësi i tij, gjenerali Esat Pashë Toptani. Lidhur me ato ngjarje të bujshme të ndodhura në qytetin e Shkodrës plot nëntë dekada e gjysmë më parë, të cilat vunë në lëvizje disa prej kancelarive më të rëndësishme të fuqive të mëdha evropiane, që nga ajo kohë e më pas janë shkruar dhe publikuar disa libra. Një prej tyre është dhe ai i gazetarit italian, Gino Berri, i cili si korrespodent i luftës, qëndroi për plot gjashtë muaj me radhë në qytetin e rrethuar, duke ndjekur nga afër luftimet dhe duke përcjellë në gazetat italiane çdo gjë që ndodhte në atë qytet. Gjatë qëndrimit të tij në qytetin e rrethuar të Shkodrës, gazetari Gino Berri mbajti një ditar, në të cilin përshkruante me hollësi gjithçka ndodhte aty, ditar të cilin më pas, në vitin 1913, e botoi si libër në Milano, me titullin "Rrethimi i Shkodrës". Disa pjesë nga ky libër i cili disa vjet të shkuara është përkthyer me mjeshtëri nga studiuesi e përkthyesi Ali Ohri, (aktualisht kryetar i Oborrit Mbretëror të Leka Zogut), ne kemi përzgjedhur dhe po i japim në këtë shkrim që po botojmë në numrin e sotëm dhe në vazhdim në numrin e nesërm të së dielës.
Shkodër 1913, ditari i gazetarit italian Gino Berri
Tellalli ka thirrur dy herë. Herën e parë bëri të ditur se të gjithë ata kasapë që në të ardhmen do të refuzojnë t‘u shesin mish ushtarëve, do të dënohen me shtatë goditje shkopinjsh, do t‘u bëhet konfiskimi i gjithë mishit që kanë dhe një gjobë që do t‘u vihet herë pas here sipas rasteve, por gjithmonë me bujari. Është njoftuar se kush do të kapet në rrugë pas orës 2 allaturka, që do të thotë 18 e 45, do të pushkatohet. Nga të gjithë u vërejt një ndryshim i madh nga kjo e thërritur dhe nga të tjerat. Në të parën kush nuk i përmbahej orarit do të arrestohej, kurse në këtë të fundit i gjori pushkatohet; në të parën nuk dihej se çfarë dënimi mund të vinte pas arrestimit, dhe gjithmonë kishte një farë shprese për të mirë, kurse me thirrjen shtesë zhduket çdo dyshim. Kush zihet në befasi nga një polic mbas orës 2, mund të quhet fare mirë një kufomë. Por edhe duke pasur nju orë në xhep, nuk mund ta ndjesh veten të qetë. Është e lehtë të kuptosh se sa rëndësi të madhe merr në këtë situatë ora; shumë që nuk e zotërojnë atë, futen në shtëpi që nga ora 17, një orë e gjysëm përpara afatit të caktuar. Nuk prish punë, më mirë të jemi brenda - thonë qytetarët shkodranë. Ky objekt që duhej të jepte siguri, në fakt kthehet në një instrument torture. A do të punojë mirë? Mos është ndaluar me hile ndonjëherë? Mos është mbrapa? Dhe në mëndje tingëllon zëri i tellallit: "Në ora 2 preçiz, asnjë minut më vonë". Kur shumë vetë ndodhen bashkë në mbrëmje, e kalojnë kohën duke pyetur: "Sa është ora"? Dhe krahasojnë orët me njëra- tjetrën. Është një shaka e rëndë, e pahijshme të tregosh para syve të një miku orën që shënon 19. Të lexosh një orë të tillë në rrugë - thoshte njëri - është tamam si të humbasësh kohën. Kështu, pra, ai që e ka sahatin (orën), nuk i beson; kush nuk e ka e beson edhe me pak. Ajo që ka rëndësi është një ikje para kohe nga ora e caktuar. Nuk dihet se kujt i atribuohet kjo shtërngesë; fakt është se nuk ka shaka dhe burgjet janë ngjeshur me njerëz të dënuar ose për t‘u gjykuar për thyerje rregullash të vendosura gjatë këtij rrethimi. Ndër të plagosurit është dhe një italian, një farë Xhuzepe Zanoni, lindur në Bolonja dhe në kohët e fundit banues në Xhenova. Por ky ka për çfarë t‘i përgjigjet Riza Beut, për vetë faktin se kur filloi rrethimi ai ndodhej në burg. Xhuzepe Zanoni, shërbyes kuzhine (lavapjate), në anije, siç e cilësonte libreza personale që kishte me vete, në gushtin që shkoi, ndodhej në Mal të Zi, afër Cetinës. Vendosi të shkojë në Austri, prandaj morri rrugën e Tivarit. Për një që nuk e jeh krahinën (vendin), është shumë e natyrshme që të marri rrugën e kundërt të asaj që duhet. Nga Tivari gjithmonë për të shkuar në Austri ai vazhdoi për në Ulqin, e pastaj deri në Bunë, të cilës iu ngjit nga krahu i djathtë. Këtu i vjen një dyshim që nuk është në rrugën që i duhet. Pyet, por duke mos ditur shqipen, nuk mundi të arrijë të merret vesh. Shpesh, as nuk i përgjigjeshin dhe e shihnin me dyshim. Eci akoma përpara, pa një mal, iu afrua, u soll pak rreth tij, shikoj lart e pa njerëz. Por në atë kohë tre xhandarë i kërcyen sipër duke i lidhur duart dhe duke deklaruar menjëherë të arrestuar. Këtë radhë Zanoni e kuptoi fare mirë shqipen. E dërguan atë në një qytet më të afërt, që më vonë e kuptoi se nuk ishte Shkodra; u kontrollua dhe u pyet me ndihmën e një përkthyesi. Me mjete të mira hetuesi i tha: "Tashmë është e kotë ta mohosh, ju kemi zënë në faj. Nuk ju mbetet të thoni veç të vërtetën, me atë çiltërsi që nuk mund të shkëputet nga detyra që mbani". Zanoni nuk ishte trajtuar kurrë në jetën e tij me kaq madhështi. I prekur i tregoi të vërtetën. Hetuesi filloi të dyshojë: "Më keq për juve në qoftë se do të gënjeni. Personaliteti juaj është i dukshëm dhe misioni i juaj është i qartë si drita e diellit". - Unë jam një pjatalarës, - iu përgjigj Zanoni. - Jo, ju jeni një oficer. - Pjatalarës,- ripohoi italiani, duke treguar librezën personale të hapur mbi tryezë. Mbi atë librezë hetuesi hedh një shikim të tërthortë, me një buzëqeshje në mes ironisë dhe nervozizmit, sikur donte t‘i thoshte: "E di mirë unë vlerën që kanë dokumentet në përgjithësi dhe çertifikatat në veçanti"! Ai ngulmoi: "Jo, ju jeni një oficer". - Jo për t‘u lavdëruar, por jam një pjatalarës,-iu përgjigj italiani. - Aha, ju një pjatalarës. Një pjatalarës sillet në territorin e armikut, shtyhet deri në rranxat e Taraboshit e shikon nga të gjitha anët; shikon veprat e mbrojtjes e vrojton territorin përreth. Zanoni mbeti i habitur nga fjala Tarabosh dhe kërkon hollësira. - Po çfarë është Taraboshi, - belbëzoi ai. - Jeni arrestuar poshtë Taraboshit, - iu përgjigj me përçmim hetuesi dhe pyesni se çfarë është? Atë ditë bisedimet për paqen në mes Italisë dhe Turqisë nuk qëndronin në ujra të qeta. Reisoli kishte shënuar një rifillim të fortë dhe fatlum të luftës; thuhej se skuadrat detare ishin gati për nisje, kurse këtu në Shqipëri pritej zbarkimi i një korpusi të ushtrisë italiane. Por maja e kësaj pararoje nuk mund të ishte një pjatalarës. Zanoni patjetër duhet të ishte një oficer, mendonin, dhe meqënse nuk po vendoste të tregonte e shtruan në dajak. Një ditë më së fundi përfundoi që u dorëzua dhe "i rrëfeu" të gjitha, plotësisht. Pra, ai tha çdo gjë jo të vërtetë, por që torturuesit e tij donin që të ishin të vërteta. - Tregoni se jeni një oficer italian. - Jam një oficer italian. - I shtatmadhorisë? - I shtatmadhorisë. - Jeni një spiun? - Jam një spiun. - Ah, tani shkon mirë - tha hetuesi. Dhe me pas e denoncoi në Gjykatën e Lartë Ushtarake. Kur e pyetën më vonë Zanonin si pranoi të thoshte se ishte një oficer, ai u përgjigj se e kishte bërë duke shpresuar që, duke mos e acaruar më tepër hetuesin, do të trajtohej më mirë. Ndërkaq, një përfitim të çmueshëm dhe të menjëhershëm e kishin arritur; pushimin e rrahjeve. "Do të kishte qenë më mirë për juve të kishit qëndruar i fortë", i thanë. "E di, u përgjigj, po shkopijtë kishin qenë më të fortë se unë". Gjykata, duke u mbështetur kryesisht në deponimet e të pandehurit, i dha vendimin me vdekje. Lajmi u shpërnda. Ambasada Austriake në Stamboll, u interesua, por iu përgjigjën se çdo gjë ishte proceduar me legalitetin maksimal dhe në asnjë mënyrë nuk mund të pengohej ekzekutimi i dënimit. Pore këtë herë zgjatjet proçeduriale i sollën fat viktimës. Më në fund paqja u përfundua, pushoi gjendja e luftës dhe Zanoni nuk mund të pushkatohej më; faji i tij ishte i dënueshëm vetëm me burgim. Mbasi u rivendosën marrëdhëniet në mes dy shteteve, për konsullin e përgjithshëm në Shkodër, kontin Maniceli, nuk ishte e vështirë të zbulonte identitetin e pjatalarësit. Autoritetet u bindën me lehtësi dhe e shkarkuan Zanonin nga çdo akuzë. I dënuari me vdekje iu rikthye prapë jetës, por ende jo i lirë. Autoritetet turke, pretendonin që ta mbanin të arrestuar dhe në këtë gjendje ta shoqëronin me xhandar deri në kufi. Konsulli e kundërshtoi, duke kërkuar lirimin e tij të menjëhershëm. Ai kishte vuajtur për një kohë të gjatë në burg dhe tani nuk i detyrohej më për asgjë drejtësisë. Por, ndërsa vazhdonin debatet, u mbyll rruga për Shëngjin e rrethimi po kompletohej. Dhe, Zanoni nuk mund të shkonte më as vetëm, as i shoqëruar dhe mbeti në burg edhe tani. Por nuk ishte nënshtruar asnjë regjimi disiplinor si të burgosurit. Mund të komunikojë me kë të dojë; nga konsullata italiane, merr ndihma në të holla, rroba, veshmbathje dhe batanije për t‘u mbrojtur nga të ftohtit. Ia shpjeguan shkakun e peripecisë së fundit dhe përpjekjet e konsullit për mbrojtjen e tij. "Unë falënderoj zotin Konsull, iu përgjigj pjatalarësi, për sa ka bërë, por do të kisha shkuar me çfarëdo mënyre. Për sa i përket përballimit, o Zot, mbas një dënimi me vdekje mund të mendohet se për mua ishte një gjë fare e vogël. Jam i bindur se as që do ta kisha ndjerë vdekjen përballë torturave që kam hequr".
7 janar 1913
(A do të ketë një përfundim? Ngjarjet në llogore. Lufta për vajgurin dhe bukën. Mëshira e konsullatës italiane. Arrin një gjysëm gazete. Letra të grave të uritura).
Ende, me insistim qarkullojnë fjalë, sipas të cilave rrethimi është nga fundi. Në të vërtetë nuk ka asnjë arsye të mjaftueshme për ta menduar atë seriozisht. Por kjo nuk pengon që fjalët të përsëriten më me këmbëngulje. Sidoqoftë, ky optimizëm, pa një mbështetje të shëndoshë tregon haptazi gjendjen shpirtërore të popullit, që sipas tij, ngulmon duke ëndërruar fundin e vuajtjeve të veta edhe pse kundër realitetit. Redifët (refugjatët), janë më tepër se asnjëherë të padurueshëm për t‘u kthyer në shtëpitë e tyre. Këtë ua thonë të gjithëve. Patjetër që nisja e tyre do të tregonte fundin e rrethimit. Ata mund të ishin 15.000 veta që do të braktisnin qytetin. Por deri tani kjo nisje ishte vetëm në mendjen e redifëve. Ata të Dibrës mbi 4000 veta janë më turbulluesit, ndaj për të thyer kompaktësinë e tyre i kanë shpërndarë nga pak në të gjitha pozicionet. Shumë redifë kanë blerë në Pazar këpucën dhe sigurisht që do të udhëtojnë. Dhe ajo që ka bërë më shumë përshtypje ka qenë blerja e lojrave, xhinglave, kordeleve të ngjyrosura, parfumeve e shamijave të ngjyrosurave mëndafshi, si dhurata për fëmijët e gratë e tyre. Sigurisht është komentuar që nisja duhet të jetë e afërt, se gjera të tilla nuk mund të mbahen për një kohë të gjatë në llogore, pa rrezikuar që ato të prishen ose të humbasin. Grumbullimi i këtyre shenjave është edhe më i dyfishuar. Riza beu deri para disa ditëve, ishte armik i betuar i përçapjeve për të nxjerrë në fotografi fytyrën e tij. Sherr i madh me të, kush i flet. E mjerë në se i bie në dorë fotografia e shkrehur tradhtisht. Askush nuk e ka portretin e tij ose të paktën ai që e ka e mban të fshehur si një mauzer ose si një dokument komprometues. E mirë pra; javën që shkoi, Riza beu doli në fotografi vetëm, pastaj me Esat Pashën e me Shtatmadhorinë. Ai e ka urdhëruar fotografin që të mbajë në dispozicionin e tij të gjithë filmat. Më duhet, - kishte thënë, - për të fotografuar veprat e mija të mbrojtjes. Ato për të cilat ai është shumë xheloz dhe i ka më të shtrenjtat. Deri tani askush përveç ushtarëve, nuk ka mundur t‘i afrohet. Tani Riza Beu ka shpërndarë edhe shumë portrete të tij. Sot tellalli ftoi të gjithë ata që janë të dëmtuar qoftë në njerëz, qoftë në mallra të shkojnë në Gjykatën Ushtarake të bëjnë denoncimin. Nuk mund të imagjinohet se si optimistët i bënin qejfin vetes. Ata thoshin: a i dëgjuat britmat e tellallit? Kjo është një shenjë e mirë. Me që po thirren të dëmtuarit, do të jetë për t‘i shpërblyer ata. Po ndoshta do t‘i takojë Malit të Zi të paguajë. Ndërkaq, palët ndërluftuese vazhdojnë të zënë pozicionet e tyre, përballë njëri-tjetrit, pa dhënë asnjë shenjë për ndonjë lëvizje vendimtare. Nga që shihen vazhdimisht, kanë arritur midis tyre të bëjnë edhe shërbime fjalësh të mirësjellta. Një gjeneral malazez ka thënë për Riza Beun: "Ka punuar si ndonjë japonez dhe mbrohet si luan". Riza Beu nuk ka munguar të miratojë atë gjykim që i përkiste: "Është e vërtetë, është shprehur ai, e kam shëndruar Shkodrën në një Port Artur të vogël. Me gjithë kohën e shkurtër kam ndërtuar llogore madhështore... "Edhe ushtarët shkëmbejnë ndonjë fjalë të mirë midis tyre. Pardje një ushtar malazez i thërriti rojes turke: "Eja të jap një kafe pa sheqer". Ftesa nuk ishte për ta përçmuar, se nuk kishte ende kafe nuk kishte as sheqer.
12 janar 1913
Në pazar kane sekuestruar shtatë arka me vajguri deh tregtari që i mbante të fshehura u arrestua, sepse nuk kishte treguar. Qe një zbulim i vërtetë. Dhe menjëherë turma e zakonshme shkoi në Bashki, duke u irrituar si gjithmonë. Qeveria nja njëqind arka me vajguri (të depozituara në depot e lëndëve djegëse), i përdori për të mbajtur në lëvizje dy mullinjtë, që i ka me motorë me vajguri, mbasi është i pamjaftueshëm prodhimi i tre mullinjve të tjerë, që nuk punojnë shpesh për mungesë uji. Për këtë vajgur popullata nuk ka asnjë pretendim. Për të shtatë arkat e sekuestruara po. Dhe qeveria e tregoi bujarinë e saj, duke i lënë ato në favor të publikut. Janë pra, 14 teneqe me vajguri që u jepen mijra njerëzve. Shpërndarja është një problem i vështirë për t‘u zgjidhur në të gjithë atë popullsi. Për të eliminuar një pjesë kërkesash nga Qeveria u trilluan disa procedura, ndaj të cilave duhej një dozë e mirë gjakftohtësie, për të mos humbur durimin dhe qetësinë. Duhet të vërtetohet nga çdo qytetar që prej sa kohësh është pa vajguri. Në se dihet që ka blerë tani afër, pavarësisht nga sasia, të mos shpresojë më për asnjë gramë. Pas kësaj, duhet vërtetuar se nuk zotëron asnjë pikë vajguri nëpërmjet dëshmisë së kryeplakut apo të një personi të besuar të policisë. Natyrisht mjafton një dyshim i çdo lloji, për të mos marrë asgjë. Nëse çdo gjë, pastaj shkon mirë duke paraqitur një mandat të rregullt, mund të vihesh në zotërim të një gjysëm litri vajguri, sasia më e madhe për çdo person. Për të pasur pak vajguri bëhet sakrifica më e madhe edhe nga njerëz të varfër; kush nuk ka të holla, jep diçka nga sendet ushqimore, deri edhe grur, që është gjëja më e shtrenjtë. Drita është e domosdoshme si buka, është jeta. Në një shtëpi pak dritë e largon ankthin e natës së gjatë, i qartëson pak fytyrat e ngrysura, është lehtësuese ndaj trishtimit të rëndë, që zbret nga këto net të errta të dimrit. Tani shkëmbimet janë të shpeshta. Edhe unë kam dhënë një shishe "Marsala" për një shishe vajguri. Të hollat kështu e humbin pak vlerën e tyre. Skena trishtuese përpara furrave përsëriten çdo ditë dhe vijnë duke u rënduar, sidomos në darkë, kur të varfrit duhet të blejnë bukën, me ato që kanë arritur të fitojnë gjatë ditës. Në muzg, pak më përpara se të mbyllet furri, ka gjithmonë turma njerëzish), që nga frika se mos mbeten pa marrë bukë, ashtu siç i ndodh shpesh shumëkujt), përleshjet janë të ashpra. Buka është shpresa e fundit për të jetuar. Para disa ditës në rrëmujë e sipër, një grua u rrëzua përtokë nga të fiktit. Po mbrëmë në një dyqan një furrtar shprehu mendimin fatal se buka gati po mbaron. Dhuna për të arritur derën e furrit ku shitej buka, ishte e tërbuar; një vajzë e re, u nxor gati duke vdekur me shpinën kurrizore të thyer nga një goditje me bryl. Konsullta italiane është e rrethuar çdo ditë nga një grup të varfërish. Ndërsa të kënaqurit largohen, të tjerët arrijnë duke ndjekur radhën rregullisht, si në një shërbim rojë.
(vijon nesër)