Nafta, tregtarët: Të ulet akciza
Çmimet e naftës në tregun
ndërkombëtar po karakterizohen
nga një paqëndrueshmëri
e lartë dhe analistët
thonë se ecuria e tyre është
bërë e paparashikueshme.
Ditët e fundit, ndryshimet e
çmimit të arit të zi në bursa
kanë qenë shumë të shpeshta
dhe me diferencë të madhe.
Kjo ka bërë që tregu i karburanteve
të përfshihet nga një
situatë frike dhe për herë të
parë në histori ari i zi të kuotohet
të martën me 100 dollarë
për fuçi për të rënë më pas në
çmimin aktual prej 97 dollarë
për fuçi. Por parashikimet
mbeten pesimiste. Analistët e
tregjeve parashikojnë se çmimi
në tregun ndërkombëtar
do të kapërcejë shumë shpejt
100 dollarë për fuçi për shkak
se kërkesa për naftë është shumë
më e madhe se oferta dhe
se në periudhë afatshkurtër
ky deformim i tregut është pa
zgjidhje. Kjo situatë e turbullt
në bursat ndërkombëtare kërcënon
edhe tregun shqiptar.
Tregtarët po blejnë aktualisht
në bursën e Platzit me 537
dollarë për ton, çka bën që
çmimi i naftës deri në Portin e
Durrësit, së bashku me detyrimet
tatimore, të arrijë në 118
lekë për litër. Në pikat e pakicës,
një litër naftë e tipit D2 po
shitet me 140 lekë. Por tregtarët,
jashtë kamerave, thonë
se nëse çmimi në bursa do të
arrijë sërish në 100 dollarë për
fuçi, atëherë në tregun vendas
pritet të ketë një tjetër rritje të
shpejtë të çmimeve drejt nivelit
145 dhe pse jo dhe 150 lekë
për litër.
Fajin e ka akciza
Rritja e çmimit të arit të zi
në tregjet ndërkombëtare ka
rikthyer për të disatën herë
debatin në vendin tonë për
mënyrën se si mund të administrohet
kjo situatë. Ekspertët
në afat të shkurtër e shohin
si pa zgjidhje dhe mendojnë
se ekonomia shqiptare do të
jetë e detyruar të përballet me
goditjet që vijnë nga tregjet e
huaja. Por tregtarët thonë se
ka një mundësi për zbutjen
e efekteve të kësaj rritjeje të
çmimit. Një pjesë të mirë të
fajit për çmimet e larta të naftës
ata ua adresojnë politikave
fiskale të qeverisë. Sipas tyre,
niveli i akcizës në vend është
i lartë dhe kjo sjell çmime më
të larta për karburantet në tregun
e brendshëm. Për këtë ata
i kërkojnë qeverisë të rishikojë
barrën tatimore, kryesisht
akcizën e karburanteve, e cila
sipas tyre në vendin tonë është
më e lartë nga ato të rajonit.
Kjo, sipas tregtarëve, shpjegon
dhe faktin se pse çmimet
e naftës në Shqipëri janë ndër
më të lartat në rajon.