Milani, i lodhur dhe me dëmtime
Forma e dobët në kampionat nuk është më diçka e re, por një Milan që vuan edhe në Ligën e Kampioneve i ka çuditur të gjithë. Në ndeshjen e kthimit me Arsenalin, skuadra e Karlo Ançelotit shpreson të rigjejë shkëlqimin e humbur. Megjithatë, asgjë nuk do të jetë e thjeshtë, pasi në këtë fazë të sezonit skuadra duket e lodhur, por mbi të gjitha është në alarm prej dëmtimeve të shumta. Të martën, Sedorf nuk do të jetë i gatshëm për të luajtur, ashtu sikurse edhe Emerson dhe Jankulovski. Kuqezinjtë shpresojnë te rikthimet e Kakasë, Pirlos dhe Nestës, edhe sepse sfida me Arsenalin është tejet e rëndësishme dhe trajneri Ançeloti duhet të mbështetet te lojtarët kryesorë. Lojtari më i mirë i momentit është portieri Zeljiko Kalac, që luan pavarësisht se ka një gisht të thyer. Megjithatë, edhe "gardiani" ka pohuar se skuadra po penalizohet nga lodhja fizike dhe psikologjike: "Kemi hasur vështirësi, po luajmë shumë ndeshje". I vetmi sinjal pozitiv vjen nga Kaka, që pas pushimit, duket në gjendje shumë të mirë.