Real, dëmtohet edhe Arjen Roben
Roma është plotësisht e përqendruar për sfidën me Realin e Madridit dhe premton betejë deri në frymën e fundit, për të siguruar një kualifikim. Verdhekuqtë do të zbresin në tapetin e "Santiago Bernabeut", me objektivin për të mbrojtur avantazhin 2-1 të ndeshjes së parë. Roma është në formë të mirë dhe këtë e ka treguar në takimin e fituar 4-0 me Parmën, ndërsa madrilenët vuajnë formën e dobët dhe lojën pa fantazi. Në fitoren 3-2 të arritur në fushën e Rekreativos, "merengues" u erdhi në ndihmë edhe gjyqtari (goli i parë i shënuar nga Raul ishte në pozicion jashtë loje), ndërkohë që numri i të dëmtuarve është rritur. Tekniku Bernd Shuster rigjen brazilianin Robinjo, por të mërkurën do të duhet të bëjë pa dy holandezët, Van Nistelroin dhe Roben, të cilët janë thelbësorë për skemat e skuadrës. Roma mund të ëndërrojë, edhe sepse kapiteni Toti është në formë të shkëlqyer: "Kam shënuar edhe më parë në ‘Bernabeu‘, e shpresoj që ta bëj sërish, tha numri 10. Duhet të luajmë ashtu si dimë dhe nuk do të dorëzohemi".