Modelet nuk kanë ngjyrë
Mbase e keni vënë re, thuajse asnjëherë në rrugët e kryeqytetit, nuk bekohet guri i parë i themelit, por "guri" i fundit. Kështu dhe në rrugën e saporestauruar, "Komuna e Parisit". Është e qartë ajo çka duam të nxjerrim në pah, mund të vihet guri i parë, por jo gjithnjë mbërrihet tek i fundit... Kurse, kur "guri" i fundit shihet në dritë të diellit, merret me mend që është vënë si duhet dhe ai i pari. Kjo mund të ngjajë si një anekdotë filozofike, që gjithsesi nuk e cekim rastësisht në krye të këtij shkrimi, porse, në të tilla raste, nuk ka ceremonira (si rëndom në objektet jashtë Tiranës), shirita që priten, fjalime për publikun, pasi kjo për kryeqytetin nuk përbën më lajm.
Kryebashkiaku është aty për të thënë se, ja, u përmbush dhe një premtim, u krye dhe një detyrë. Nuk po ia dhurojmë publikut këtë, apo atë rrugë, urë, shkollë, kënd lojërash, qendër rinie apo të moshuarish, thjesht po bëjmë atë për çka jemi këtu, si të votëbesuarit tuaj. Ky është stili i punës në këtë "perandori", që është kryeqyteti ynë, ku nuk ndërton vetëm bashkia, po dhe qeveria, subjektet e shumta private etj. Tirana, megjithatë, është (ri)ngritur mes besimit dhe mosbesimit. Kjo dhe për shkakun se mungonte një model metropol-bërje, si infrastrukturë dhe si qytetërim. Qytetet e mëparshme ishin të shtrirë, por pa shije, pa arkitekturë moderne, mjafton të kishte sasi banesash për strehimin e popullatës, me pallate parafabrikate, që qenë kthyer në modë në vitet ‘80 etj. Pa i hyrë odisesë së tranzicionit, kur kioskat dhe objektet e tjera pa leje rrethuan gjer sheshin "Skënderbej", selitë e partive politike, Muzeun Kombëtar, pushtuan parkun "Rinia", përmbytën Lanën, duke e shndërruar në një përrua të shëmtuar.
Duhej një stil, një metodë dhe një model ndryshe, që Tirana, fillimisht të kthehej në identitet, pastaj të nisej për kah ndërtimtaria bashkëkohore e kullave, komplekseve të banimit etj. Po nuk është ky qëllimi, që të analizojmë gjithçka që ka ndodhur në këto dhjetë vjet me Tiranën, por vetëm fokusimi i risisë, modelit që u krijua nga një kryetar i paepur, një këshill bashkiak vizionar dhe një administratë vendore e aftë për të menaxhuar punët e kryeqytetit, projektet me donatorët e huaj etj. Të gjithë i gëzohen një Tirane në ndryshim të përditshëm, që gjithnjë e më shumë po merr tiparet e një metropoli evropian. Dhe në këtë betejë të pashembullt për një Tiranë të së nesërmes, nuk ka asgjë prej të majte, pasi kreu i saj prej afro një dhjetëvjeçari, Edi Rama, kur e nisi aksionin e tij, nuk e pati menduar mbase se mund të vinte një ditë që të ishte dhe në kreun e politikës. Ai kishte përkushtimin intelektual për ta bërë Tiranën, jo siç ishte, por siç duhej të ishte dhe kjo ishte e mjaftueshme për të. Thuajse vetëm kur vijnë fushatat elektorale gjendet dikush që, dhe pse e do dhe e vlerëson pamjen e sotme të kryeqytetit, përpiqet ta minimizojë apo denigrojë atë që është bërë, pasi njeriu që e ka udhëhequr këtë proces është tashmë kryetari i Partisë Socialiste. Por ka qenë një zakon i shqiptarëve, që punës së kryer t‘i thuhet: të lumtë, pa pyetur për "biografinë" e ustait. Shoqëria e sotme, më shumë se për gjithçka tjetër, ka nevojë për modelet e reja bashkëkohore, pa të cilat nuk ka as progres dhe as integrim. Dhe pa mëdyshje që Tirana e dëshmon këtë model zhvillimi në tërësinë e vet. Me gjithë problemet, ajo është e para vepër komplekse që tregon një Shqipëri që po del nga tranzicioni i gjatë. Si e tillë, ajo e ka reflektuar vetveten e ndryshuar dhe në lulet apo pemët që u mbollën në qytetet e tjera, pavarësisht nëse njësitë vendore atje i qeverisnin të majtët, apo të djathtët, pasi progresi, ndryshimi, modeli i ri nuk mund të ketë ngjyrë partiake.
Është i njohur fakti, se në mjaft qytete të vendit, ndryshimet kanë ndodhur, si atëherë kur në drejtim kanë qenë të djathtët, si kur kanë qenë të majtët, siç është vënë re dhe pamja tjetër, që korruptimi i disa drejtuesve ka ndodhur po ashtu, pa pasur dhe ai ngjyrë. E nëse Tirana e ndryshuar (nuk) është një model i majtë për të majtën, po ashtu dhe vepra tjetër madhore, autostrada Durrës-Kukës (nuk) është një model i së djathtës për të djathtën. Nuk ka vend për t‘u mburrur me të, ashtu siç është e pafalshme që kjo rrugë të shihet me sy të keq, pasi është qeveria e djathtë që po e bën realitet. Rruga në fjalë, në vështrimin tonë, pas Tiranës së ndryshuar, është modeli i dytë superior, që gjithashtu tregon se Shqipëria po del nga tranzicioni. Nëse Tiranës iu desh një dekadë të shenjëzohej si model, rruga e re është modeli i menjëhershëm, i krijuar brenda kornizës së një viti, pa dyshim duke pasur dhe përkushtimin e pazakontë të Kryeministrit Berisha. Është një vepër që të krijon befasi, për ritmet, cilësinë e punimeve, menaxhimin - si një gërshetim i masave të qeverisë me stilin në punë të kompanisë ndërtuese "Bechtel-Enka". Por, ashtu si Tirana, edhe rruga Durrës-Morin po ngrihet mbi besimin dhe mosbesimin dhe ky është sigurisht një paradoks. Edhe në këtë rast nga qortuesit nuk iu shpëtua "personalizimit" të saj me emrin e Berishës, siç kishte ndodhur më parë me atë të kryebashkiakut për kryeqytetin. Dukej sikur po kthehej kështu një resto e panevojshme.
Modelet e ndryshimit nuk janë vetëm ato "shtetërore", madje më të shumtë mund të jenë në sipërmarrjen private, ku mund të veçohen disa kompani të suksesshme, por ne po ndalemi te "Top Channel", i cili u duk që në ditët e para se kishte hyrë në betejën mediatike për të qenë një prijës i pathyeshëm dhe i pakthyeshëm, që nuk do të ndalej, as kur zyrtarët e shtetit do të përpiqeshin ta likuidonin me gjoba marramendëse, përkundrazi do të kurorëzohej së fundi dhe zyrtarisht si "televizion kombëtar". Ky operator gjigand po reformonte median elektronike, ashtu siç pati bërë në fillim të viteve ‘90 në median e shkruar, gazeta e pavarur "Koha Jonë". (Dihet tashmë historia e saj, jo vetëm shkëlqimi dhe tirazhi në zenit, por dhe djegia drastike në vitin 1997, ku, sidoqoftë, ai që mbeti, ishte modeli i krijuar, si një shkollë e gazetarisë shqiptare.)
Nuk mund të mos vësh re se sjellja politike me modelet ndryshe ka qenë cinike, e papërmbajtur, sulmuese, deri në denigrim. Për t‘u kthyer te "Top Channel", dihet lufta shtetërore që iu bë, furia politike-tatimore që u lëshua mbi të. Por përballë zërave militantë kundër, më të shumtë ishin mbështetësit e tij, ku ka mbetur proverbiale ajo thënia e Avokat Ngjelës, që e quajti këtë operator mediatik, një perandori të kulturës shqiptare. E habitshme është se sulmet ndaj secilit model kanë ardhur nga krahët e kundërt politikë: Tirana është parë si vepër e Ramës, kështu që PD e ka fshikulluar në vazhdimësi kreun e kësaj bashkie, duke kërkuar fajësi dhe abuzime në dhënien e lejeve të ndërtimit etj. Nga ana tjetër, rruga numër një, për nga përmasat dhe rëndësia, është parë si njëlloj eksluziviteti i Berishës, kështu që sulmet më të forta kanë qenë konferencat e pafundme të shtypit të zv.kryetarit të grupit parlamentar të PS-së, për shkelje të ligjit, favorizime etj. Këto modele kanë çarë përpara përmes vështirësish, dyshimesh, akuzash të ndërsjella, por deri sot të paprovuara. Bashkia e Tiranës, ndërkohë që kishte zotëruar shtypin botëror dhe merrte çmime ndërkombëtare, nga opozita e djathtë sulmohej ashpërsisht, jo për shkak të ndryshimit, por të njeriut të saj, ndryshuesit. Mandati kryebashkiakut u konkurrua disa herë, por nuk u mor dot nga e djathta, duke fituar bindshëm dhe në mandatin e tretë, me rreth 20 mijë vota tepër, çka tashmë ishte dhe sfida politike e tij.
Pavarësisht kësaj, banorët e kryeqytetit, në thelb ishin larg nga politika partiake dhe do t‘i jepnin, si gjithnjë, Çezarit atë që i takonte. Ishin po ata kryeqytetas, që me votën e tyre, pushtetin qendror e kishin kaluar djathtas, aspak si për kompensim (meqë e majta po qeveriste në pushtetin vendor), porse ata e donin Tiranën ndryshe dhe në institucionet e larta të shtetit, si qytetarë të lirë të papajtueshëm me korrupsionin që qeverisja e majtë kishte "birësuar" gjithandej. Prandaj këto dy modele të krijuara nga qeverisjet, duhen lexuar siç janë. Mbase "fati" ka dashur që njëri të jetë bërë nga e majta dhe tjetri nga e djathta. Dhe nëse për një çast e mendojmë kështu, ky është padyshim sukses, pasi na thotë se për këtë vend kanë përkushtim të dyja krahët e politikës, se vepra të mëdha këtu bëkan si të majtit, si të djathtit, si në pushtetin lokal, si në atë qendror. Ka sigurisht dhe plot projekte të tjera në sfera të ndryshme, por që shpesh ato shiheshin si të njerkës, aq sa kemi herë përurime që bëhen nga të djathtët dhe herë përurime që bëhen nga të majtët... Ka ardhur koha të ketë një qëndrim më civil ndaj punës dhe vlerave të krijuara, ndaj produktit politik, social dhe kulturor, pavarësisht se cili është iniciuesi apo realizuesi, natyrisht pa e pushuar oponencën ndaj keqbërjes së gjërave, kinse në emër të ndryshimit.
Bota me kohë e ka kapërcyer këtë sëmundje foshnjore të stilit të opozitave në Shqipëri, sigurisht duke iu rënë më shumë kambanave të ligjit dhe më pak tambureve partiake. Modelet, nuk do të thotë kurrsesi se mund të përligjin abuzimet e natyrave të ndryshme, aq më tepër korrupsionin, që do t‘i shembte ato njëlloj si "piramidat" e 12 viteve më parë. Por për modelet e mirëqena si të tilla, politika duhet të ketë një minimum mirëkuptimi, pasi, nëse ajo nuk do t‘i kuptojë si duhet, se ashtu ia duan interesat elektorale, ata që kanë votën në dorë i shohin gjërat siç janë dhe jo: bardhë për vete e zi për tjetrin. Nuk ka më "dhurata" për shqiptarët nga qeveria, bashkia, shteti, ka para të shqiptarëve që janë vjelur në formën e taksave për t‘u bërë këto ndryshime. Tek e fundit, pavarësisht zik-zak-eve, njëanësisë së politikës etj., këto janë modele që e pasurojnë historinë moderne të shqiptarëve, ku dhe vetë politika është kontribuuese.