E Diel, 1 Nëntor 2026

Serbia duhet ta njohë Kosovën e pavarur

Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe reagimit "spontan" të asaj që Kryeministri e cilësoi si "mllef e hidhërim", pas ambasadave të thyera, linçimit publik e politik ndaj atyre me mendime të tjera politike, si dhe thirrjes deklarative për "paqe dhe protesta paqësore", Serbia tashmë e ka prekur pikën më të ulët të katandisjes së saj. Problemi më i vogël për ne është që gjatë dekadave të kaluara jemi mësuar të shohim dhunë, që çdo ditë ta përjetojmë dhe që spontanisht t‘ia shkaktojmë atë të tjerëve përreth nesh.

Problemi më i madh ndërkaq është se politika shtetërore e Sllobodan Millosheviçit, politika e dhunës, është kthyer zyrtarisht si politikë kryesore dhe nxitëse, rreth të cilës ekziston konsensusi i kryetarit demokrat Tadiç, i atij që për pak u bë kryetar, Tomislav Nikoliç, por edhe i të gjithë të tjerëve që ndoqën Vojisllav Koshtunicës në përpjekjet për ruajtjen e Kosovës. Kjo pikë e ulët e katandisjes së Serbisë dhe kjo frikë që secili qytetar/qytetare e ndjen në raport me të ardhmen, njëkohësisht përbën një shans të madh, që ne edhe njëherë po e humbim. Këtu bëhet fjalë për rastin që na është dhënë që shoqëria e Serbisë të ballafaqohet me gënjeshtrat e saja, ta rivlerësojë politikën e udhëhequr gjatë dekadave të fundit, t‘i kthehet vetvetes dhe t‘i vërë kapakun dekadës së pushtimeve, vrasjeve, spastrimeve etnike, terrorit ndaj popullsisë së vet dhe banorëve të rajonit. Kosova nuk është nën sundimin e Serbisë që nga ajo ditë kur Millosheviçi projektin e tij e përfundoi me tërheqjen e ushtrisë dhe policisë nga Kosova. Për Serbinë, e keqja që Beogradi u ka shkaktuar shqiptarëve, zyrtarisht ka përfunduar me 17 shkurtin.

Natasha Kandiç është armiku numër një i shtetit për shkak se, në emër të vlerave të tjera, ka pasur guximin të ulet në Parlamentin e Kosovës. Disa media thonë se ajo nuk ka nevojë të ekzistojë. Të tjerëve u pengojnë Sonja Biserko apo Biljana Kovaçeviq Vuço. Të tjerët i gëzohen ndalimit dhe shkatërrimit të LDP-së dhe me këtë rast edhe me sulmeve ndaj banesës së Çedomir Jovanoviqit apo fyerjeve dhe linçit që po u bëhet qytetarëve dhe qytetareve të cilët ai i përfaqëson. Këto janë metoda të mirënjohura sepse me to është shërbyer Millosheviçi. Koshtunica tani vetëm po e zbaton matricën e trashëguar nga paraardhësi i tij, njësoj siç e ka huazuar retorikën e tij. Ai ka bërë gjithçka që Serbinë ta lërë në baltë dhe që përmes frikës dhe terrorit ta bëjë Serbinë një provincë të re ruse, gjë që qartazi duket të jetë synimi i tij. Kolonia e fundit evropiane e ka fituar pavarësinë e saj më 17 Shkurt 2008. Që nga viti 1912, Kosova është sunduar me shpatë dhe me çizme. Njerëzit që jetojnë aty nuk janë pyetur për asgjë. Që nga fillimi i okupimit u është imponuar regjimi ushtarak. Në atë kohë u tha se ishin popull i papjekur për demokraci. Në vend të shtetit dhe rendit civil, atyre u erdhën një varg oficerësh dhe zyrtarësh, kryesisht nga ata më të këqijtë, të dërguar në Kosovë si dënim.

Ndërsa ushtria e sundonte Kosovën, inteligjencia e Beogradit bënte plane për ndryshimin e demografisë së saj. Dokumentet e Klubit Kulturor Serb, që kryesohej nga Slobodan Jovanoviq, dëshmojnë për zbavitjen e tmerrshme dhe të vrazhdë të elitës nacionale serbe. Për njerëzit diskutohej sikur të ishin mall në treg, diçka jo e gjallë, bëheshin kalkulime se sa dhe ku duhen lëvizur. Të njëjtat standarde do të zbatoheshin në mënyrë shumë më të efektshme gjatë fundit të shekullit XX nga ana e akademikëve, shkrimtarëve, poetëve dhe priftërinjve. "Zhvendosja humane" do të bëhej politikë zyrtare, e cila si rezultat përfundimtar do të prodhonte Republikën Serbe në Bosnjë.

Ndonëse kolonizatorëve të dikurshëm iu ndalua kthimi në Kosovë, shumë shpejt erdhën disa të rinj. Sundimi u vendos përmes masakrave të përgjakshme në Drenicë dhe në tërë Kosovën. Sërish, "nuk kishte kushte" për qeverisje civile. UDB-ja ka qeverisur si sovrane e Kosovës deri në vitin 1966. Shumë njerëz që sot janë të pasur, pasurinë e tyre familjare e kanë nga ari i vjedhur nga shqiptarët e Kosovës. Pas plenumit të Brionit vjen deri te një relaksim i sundimit, por menjëherë pasi qarqet udhëheqëse vunë re se në Kosovë jetojnë njerëz që i kërkojnë të drejtat e tyre dhe të cilët nuk pajtohen me gjendjen ekzistuese, sërish u kthyen në përdorim metodat e vjetra. Një vit pas vdekjes së Titos, Armata Popullore Jugosllave "vendos rend" në rrugët e Prishtinës, Pejës, Prizrenit... Numri i shqiptarëve të vdekur kurrë nuk u bë publik. Në fund, në vitin 1989, "shpejtësia lehtësisht e premtuar" zuri plotësisht vendin e politikës legjitime. Me tanke shkatërrohet sovraniteti kosovar, vendoset gjendja e jashtëzakonshme dhe vendoset një sistem i ngjashëm me aparteidin. Nëse keni qenë shqiptar gjatë viteve ‘90, nuk keni mundur të jetoni pa frikë, e lëre më të punoni në shkollë, spital, polici ose institucione qeveritare.

Kur shqiptarët e kësaj gjendjeje iu përgjigjën me dhunë, elitat serbe sërish nuk pyetën se përse kjo po ndodhte, por iu kthyen sulmeve ndaj fshatrave, civilëve, fëmijëve dhe grave. Të qenit shqiptar ose shqiptare nënkuptonte të ishe i/e dënuar me vdekje. Shumë prej tyre shpëtuan falë sasisë së arit ose parave që zotonin. Për të tjerët nuk kishte shpëtim. Vitet ‘90 janë turpi i historisë serbe, dhe kjo duhet të thuhet qartë ku flitet për Kosovën. Sot në Kosovë, njësoj sikur edhe në Serbi dhe në vendet e tjera të rajonit, një numër i madh i njerëzve pyesin se ku ndodhen më të dashurit e tyre, çfarë u ka ndodhur atyre dhe kush i ka vrarë. Përgjigjet në këto pyetje i mban të fshehura Vojisllav Koshtunica dhe shërbimi i tij sekret. Përgjigjen në këtë pyetje e mban fshehur edhe Boris Tadiçi, në emër të "stabilitetit dhe të ardhmes" dhe interesave të oligarkëve. Nuk do të ketë drejtësi as për serbët nëse të tjerëve nuk u tregojmë se çfarë u kemi bërë. Nuk do të ketë të ardhme tjetër nëse i mbajmë fshehur faktet. Kot bërtasin për krimet ndaj Serbëve, për padrejtësitë e botës, për fuqinë e pabarabartë të Serbisë... Ivica Dacic na dërgoi shumë qartë porosinë nga salla e Kuvendit se politika e viteve ‘90 u dëshmua sërish të ketë qenë e drejtë. Kur në vitin 1999 në Kosovë ndodhën hakmarrjet dhe sulmet ndaj serbëve në Kosovë, asnjë akademik ose shkencëtar nuk u përpoq të gjente se burimi i kësaj ishin sjelljet e shtetit të Serbisë. Ata nuk e përcaktuan se kjo ndodhi për shkak të zhvendosjes me dhunë të 800000 njerëzve, vrasjeve masive në Mejë, Gjakovë, Suharekë, Podujevë, Izbicë apo Vushtrri. Ndoshta një konstatim i tillë do të shpëtonte më shumë jetë serbësh sesa cilido libër i shkruar në emër të mbrojtjes së Kosovës ose ndonjë prej atyre shkarravinave të shumta gazetareske që sot bëjnë thirrje për linçim.

I tërë mekanizmi shtetëror ka marrë pjesë në fshehjen e gjurmëve të krimeve masive. Trupat janë varrosur anekënd Serbisë, janë djegur në fabrika dhe termocentrale, janë fundosur në Danub ose në Peruçanc. Në këtë kanë marrë pjesë policë, oficerë, pjesëtarë të sigurimit shtetëror, politikanë, biznesmenë dhe liderë lokalë, gjykatës dhe prokurorë, qeveria dhe partitë politike. Dhe pas gjithë kësaj që ka ndodhur, Serbia prapë se prapë është e habitur me atë që i ka ngjarë. Askund nuk shihet as edhe një pikë pendimi, as edhe një ndjenjë përgjegjësie apo gatishmërie për t‘i ndryshuar sjelljet. Sot fatin tonë e udhëheqin njerëzit të cilët janë përgjegjësit e drejtpërdrejtë për humbjen e të drejtës së Serbisë për ta udhëhequr Kosovën. Gabimin e tyre ata kurrë s‘do ta pranojnë. Në vend të kësaj po përpiqen që të drejtën ndërkombëtare t‘ia përshtatin ëndrrave të tyre. Po përpiqen ta shndërrojnë në një diçka ngurtë që s‘mund t‘u përshtatet rrethanave të reja. Kjo për shkak se ata me këto metoda edhe e sundojnë Serbinë. Në këtë mënyrë ata i bëjnë kushtetutat dhe ligjet. Ato janë përplot me fraza dhe fjalë të forta, por të pazbatueshme. Në mënyrë shumë legjitime dhe legale, pjesa demokratike dhe e lirë e botës ka vlerësuar se ne nuk mund t‘i terrorizojmë banorët tanë përgjithmonë. Ndoshta këtë vlerësim akoma s‘e kanë bërë Rusia dhe Kina, por edhe kjo kohë do të vijë. Kur të jetë kështu, edhe njerëzit në Çeçeni dhe Tibet do ta fitojnë vendin e tyre të merituar në bashkësinë e popujve të lirë.

Vendimin e botës (së paku të asaj pjese të mirë të botës) që ta njohë Kosovën e pavarur, Serbia nuk duhet ta konsiderojnë si dënim. Ky nuk është dënim, por një shans. Jo vetëm për Serbinë, por edhe për tërë botën në rrugën drejt forcimit të mekanizmave për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe kundërshtimit më vendimtar ndaj terrorit të diktatorëve lokalë. Prej Pekinit deri në Havanë, prej Teheranit e deri në Moskë. Serbia sot e ka për obligim që ta njohë Republikën e Kosovës. Që t‘ua shtrijë dorën përfaqësuesve të atjeshëm legjitimë dhe të ndihmojë në krijimin e një shoqërie moderne dhe demokratike. Jo për shkak të ndonjë bindjeje se jemi më të përparuar dhe më të kulturuar, por për shkak se ky është minimumi i borxhit që i kemi shoqërisë kosovare.

Përmes Kosovës, ne duhet ta hapin edhe çështjen e shoqërisë në Serbi. Duhet t‘i rishqyrtojmë të gjitha manipulimet dhe vlerat e gënjeshtërta, t‘i reformojmë institucionet, të fillojmë të krijojmë një mendësi më kritike te të rinjtë, ta kthejmë për koke sistemin e vlerave dhe t‘i vëmë gjërat në vendin e tyre. Nga gabimet e së kaluarës, Serbia duhet t‘i mësojë leksionet të cilat do të na çojnë drejt ndërtimit të një shoqërie të re dhe një të ardhme tjetër. Përmes legjitimimit të dhunës dhe sulmeve ndaj atyre që mendojnë ndryshe, pushteti vetëm se po e vazhdon praktikën e vjetër dhe tashmë të përjetuar. Mashtrohen shumë keq ata që mendojnë se në këtë mënyrë do ta shkatërrojnë mendimin kritik dhe nevojën për marrëdhënie të tjera me fqinjët. Përmes "ngjarjeve popullore" të mëdha ne kthehemi vetëm prapa dhe i përsërisim gabimet. Kjo do të na kushtojë shumë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›