E Diel, 1 Nëntor 2026

Pronat, gabimet me regjistrimin

Flet me pasion për ato që ka realizuar gjatë një viti në krye të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive, e megjithatë është i ndërgjegjshëm se problemet e pronave në Shqipëri janë shumë të ndërlikuara dhe të vështira. Arben Qirjako, drejtori i Përgjithshëm i Zyrës së Regjistrimit të Pasurive në një intervistë për "Shqip" flet për ato që ai i konsideron reforma në drejtim të përmirësimit të shërbimit ndaj qytetarëve, por edhe për vështirësitë për të zhdukur përfundimisht sekserët dhe korrupsionin. Sipas tij, atëherë kur shërbimi i ZRPP do të jetë i gjithi i dixhitalizuar, askush nuk do mund të luajë më me sigurinë e pronës së shqiptarëve.

Problemi i pronave në Shqipëri është kthyer jo vetëm në një nga çështjet më të mprehta të qytetarëve, por tashmë edhe një nga "detyrat e shtëpisë" që partnerët euroatlantikë i kanë lënë qeverisë shqiptare. Si do ta gjykonit ju situatën aktuale dhe punën e bërë nga Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme?

Problemet e pronësisë në Shqipëri janë shumë të ndërlikuara. Meqë më jepet rasti, dua të bëj një sqarim për të gjithë qytetarët: ZRPP-ja nuk është një institucion që jep apo merr pronë, ne nuk bëjmë as nuk zhbëjmë pronarë, ky institucion thjesht regjistron një pronë që është përfituar në mënyrë të ligjshme nga institucionet që kanë tagrin ligjor për të realizuar këtë proces. Dua të theksoj se ky institucion ka pasur dhe vazhdon të ketë, në përmasa më të vogla natyrisht, një sistem jo shumë funksional. Elementet e sigurisë së pronës në ZRPP, ose më parë e quajtur Hipotekë, kanë qenë shumë të vogla, çka ka lënë edhe hapësira për abuzime. Unë mund t‘ju siguroj një gjë, që tani e tutje siguria e pronës nga ky institucion është e garantuar shumë herë më shumë se ç‘ishte para dy vjetësh, ta themi. Kam ndërmarrë një sërë reformash në drejtim të përmirësimit të shërbimit ndaj qytetarëve. Është vendosur shërbimi elektronik i aplikimit. Një qytetar paraqitet në ZRPP, merr një biletë ku ka të përcaktuar orarin e aplikimit, vjen në sportel dhe për pesë minuta kryen aplikimin dhe pret përgjigjen e zyrës me postë. Janë shmangur një herë e mirë radhët e gjata që ishin më parë dhe në këtë formë edhe paratë nën dorë për të zënë radhën. Mund të pyesni a ka shmangur kjo sekserët dhe korrupsionin? Natyrisht që jo, por e ka minimizuar. Mbetet ende shumë punë për t‘u bërë dhe një sërë reformash janë në implementim e sipër. Brenda një afati kohor 4-vjeçar, shërbimi i ZRPP-së do të jetë i gjithi i dixhitalizuar. Atëherë po që askush nuk mund të luajë më me sigurinë e pronës së shqiptarëve.

Si e kontrolloni ju punën e vartësve dhe pse mendoni se e keni minimizuar korrupsionin?

ZRPP-ja është objekt kontrolli nga të gjitha institucionet që kanë këtë tagër ligjor. Ju siguroj se ne e shohim kontrollin si një shans që na jepet për të nxjerrë konkluzione dhe për të përmirësuar punën. Unë, si i emëruari i qeverisë shqiptare në këtë post, jam i vendosur të ndëshkoj çdo abuzim dhe abuzues. Edhe nga kontrollet që ka bërë vetë zyra qendrore janë marrë me dhjetëra masa administrative, madje shumë çështje janë dërguar në prokurori. Ne e perceptojmë luftën ndaj korrupsionit dhe abuzimeve si një përpjekje e përditshme, jo si një fushatë momentale.

Gjithsesi, duket se në opinion ekziston një imazh negativ për Zyrën e Regjistrimit të Pasurive...

Është e vërtetë që imazhi për ZRPP-në ka qenë negativ dhe ne kemi ndërmarrë një sërë reformash në drejtim të përmirësimit të shërbimeve për të rikuperuar këtë imazh. Ky imazh është ndërtuar kryesisht për shkak të radhëve të gjata në ZRPP, si dhe për shkak të shumë përgjigjeve të padhëna ndaj qytetarëve. Një nga qëllimet e mia kryesore ishte shmangja e radhëve dhe përgjigjet e sakta ndaj qytetarëve. Siç e thashë edhe më lart, për këtë arsye ne implementuam sistemin e ri të aplikimit në zyrat vendore të gjashtë rretheve më të mëdha të vendit. Së dyti, kontrollet në zyrat vendore të regjistrimit të pasurive janë pjesë e punës sime të përditshme. Si rezultat i këtyre kontrolleve janë marrë masa konkrete administrative dhe kallëzime penale në organet përkatëse.

Sipas një udhëzimi të Ministrisë së Financave, qytetarët duhet të paguajnë një taksë prej 10 për qind në transaksionet e pronave. A e ka bllokuar kjo punën në ZRPP?

Së pari dua të siguroj të gjithë qytetarët se puna në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme vijon normalisht. Çështja për të cilën po pyesni lidhet vetëm me një prej shërbimeve të ZRPP-ve, që prek transaksionet e pronësisë nga një individ tek një individ, pa prekur subjektet juridike. Ministria e Financave dhe Ministria e Drejtësisë, në zbatim të ligjit për taksën e sheshtë që ka dalë nga mesi i vitit të kaluar, kanë nxjerrë një udhëzim që sanksionon taksimin me dhjetë për qind të vlerës së shtuar në një transaksion pronësie nga një individ te një tjetër. Taksimi ka ekzistuar edhe më parë dhe varionte nga 0.5 deri në 3 për qind të vlerës totale të transaksionit, ndërsa 10 përqindëshi që ka hyrë në fuqi në janar të këtij viti takson vetëm fitimin e përfituar nga ky transaksion. Për ta konkretizuar më tej, nëse një qytetar ka blerë një apartament me një vlerë prej 60 mijë dollarësh dhe do ta shesë këtë apartament 80 mijë dollarë, ai do të taksohet mbi vlerën e shtuar që është 20 mijë dollarë. Dhjetë përqindëshi i 20 mijë dollarëve të përfituar është 2 mijë dollarë, pra një qytetar do të paguajë 2 mijë dollarë për shtetin. Me ligjin e mëparshëm, një qytetar mesatarisht do të paguante 2400 dollarë. Gjithsesi, duhet shpjeguar se Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në këtë rast është thjesht një agjent tatimor që zbaton udhëzimet e dala nga institucionet e linjës.

Vitin e kaluar, në bashkëpunim me Bankën Botërore, ju keni nisur projektin për menaxhimin dhe administrimin e tokës. Si ka ecur ky projekt dhe në ç‘fazë të zbatimit të tij jeni?

Qeveria shqiptare ka nënshkruar një marrëveshje kredie me Bankën Botërore për Projektin e Administrimit dhe Menaxhimit të Tokës. Kjo marrëveshje është miratuar nga Kuvendi në muajin maj të vitit të shkuar dhe është bërë efektive në muajin shtator, kur është bërë edhe lançimi i projektit. Projekti përfshin tre komponentë dhe menaxhohet nga tre dikastere: komponenti i parë menaxhohet nga Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive, komponenti i dytë nga Ministria e Transportit dhe Telekomunikacionit dhe i treti nga Ministria e Brendshme, drejtoria e pushtetit vendor. Komponenti i parë i projektit parashikon regjistrimin e 500 mijë pasurive të paluajtshme në zonat urbane brenda katër vitesh. Fatkeqësisht kemi zona kadastrale në Tiranë-Durrës dhe qytete të tjera që nuk kanë një regjistër fillestar. Një tjetër aspekt i rëndësishëm i projektit është edhe ideimi dhe zhvillimi i sistemit të kompjuterizuar të ZRPP-së, proces i cili tashmë ka filluar. Përmirësimi i të dhënave në regjistrimin fillestar, është një tjetër aspekt shumë i rëndësishëm i projektit. Nga shqyrtimi që i kemi bërë regjistrimit të mëparshëm, janë vërejtur gabime ndaj përmirësimi i të dhënave konsiston në korrigjimin e këtyre gabimeve. Ne mund të themi me plot gojë se në fund të këtij projekti madhor do të realizojmë shërbime me shpejtësi për të gjitha veprimet që kryhen në ZRPP, rritje të transparencës ndaj të gjitha subjekteve të interesuara, si dhe një staf të kualifikuar që do të përmirësojë shërbimin e institucionit.

A mund të jepni një afat kohor se kur kjo dyndje për regjistrimin e pronave do të mbarojë dhe më në fund të mund të themi se prona në Shqipëri është e formalizuar?

Projekti ka një kohëzgjatje të parashikuar prej katër vitesh. Shpresojmë se në fund të këtij projekti, prona në Shqipëri të jetë e regjistruar në sistemin e ri të regjistrimit të pasurive të paluajtshme. Shërbimi do të jetë mjaft i shpejtë dhe të dhënat e pronësisë do të jenë lehtësisht të verifikueshme.

Në kryeqytet, por edhe në rrethe, ka një numër të madha pallatesh të pahipotekuara. Çfarë është bërë në drejtim të regjistrimit të tyre?

Në muajin maj të vitit të kaluar, duke parë prapambetjen në regjistrimin e objekteve shumëkatëshe, së bashku me Unionin e Dhomave të Tregtisë dhe Shoqatën e Ndërtuesve nënshkruam një marrëveshje të përbashkët për të eliminuar prapambetjet e akumuluara ndër vite në këtë drejtim. Mund të them se deri tani, vetëm në Tiranë është bërë regjistrimi i 15 mijë apartamenteve. Kjo marrëveshje e suksesshme është shtrirë edhe në qytete të tjera si Vlora dhe Durrësi e pastaj edhe në Lezhë, Fier dhe Sarandë. Një vëmendje e veçantë i është kushtuar biznesit, për të cilin janë krijuar sportele të veçanta dhe transaksionet bankare nuk vonojnë më shumë se 48 orë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›