Pas festes te deshmojme se dime edhe te bejme shtet
Pavarësia nga Serbia u kry! U finalizua dhe u festua produkti i kontributit të disa brezave tanë. U realizua aspirata e gjithë paraardhësve që ëndërruan dhe sakrifikuan për brezin tonë edhe pse ende ka mosbesim e frikë nga pakicat serbe që jetojnë në Kosovë.
Paraardhësit u përpoqën, sakrifikuan dhe u ndanë nga jeta me brengën se nuk arritën ta shihnin Kosovën të lirë. Në këto momente historike, kur pavarësia u shpall dhe po njihet shpejt botërisht si e tillë, gjithsecili prej nesh u është "drejtuar" shokëve, ka rikujtuar bashkëkohësit e bashkëluftëtarët e vet, që dhanë jetën për pavarësi, si dhe baballarët e gjyshërit, që provuan sundimin e Karagjeorgjeviqëve, praktikën e egër antishqiptare të Rankoviqit dhe gjenocidin e Millosheviqit. Të gjithë u ndjemë të nderuar dhe të detyruar t‘u drejtoheshim dhe të falënderonim bashkëkohësit dhe paraardhësit për atë që u arrit më 17 shkurt. Ky rit, i kushtëzuar nga një koncept elementar moral, qytetar, etnik dhe fetar, që është "mirënjohja", është kryer në të katër anët e Kosovës. Por vetëm Veton Surroi e njoftoi publikisht në gazetë Babanë e vet për arritjen e madhe të Kosovës; shpalljen e pavarësisë. Le të shpresojmë e të besojmë që me ne, të gjallët, gëzojnë edhe të ikurit!
Festa mbaroi! Pas festës, që sipas romakëve të lashtë shënon cakun e kalimit nga entuziazmi emotiv, te pozicionimi i arsyeshëm, kërkohet një reflektim i menjëhershëm dhe ndërmarrja e masave të menjëhershme. Pas shpalljes dhe njohjes së suksesshme nga shtete me potencë të konsiderueshme në politikën globale të pavarësisë së Kosovës, na mbetet përgjegjësia dhe detyrimi ne, institucioneve shtetërore e politike, të jemi jo vetëm mbështetës, por edhe paraprijës. Dhe paraprijës do të arrijmë të jemi, kur të afirmohemi se dimë të bëjmë një shtet demokratik të vërtetë dhe veprues.
Është shumë shpejt që ne të konfirmojmë strukturat demokratike të një shteti të pavarur e sovran. Kosova, aktualisht ka realizuar gjithë parametrat e "manualeve" për ndërtimin e një shteti demokratik. Ka Kuvend, President dhe Kryeministër të zgjedhur dhe të pakontestuar nga institucionet ndërkombëtare. Është jo vetëm e padobishme, por edhe e dëmshme dhe në disfavor të shtetit të Kosovës vazhdimi i festës dhe injorimi i "protokollit" shtetëror edhe në ditët pasuese të 17-shkurtit. Në pritje të shpalljes e të njohjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës, kemi lëvizur nëpër Kosovë nën garancinë e popullsisë, e miqve e të afërmve, siç kemi lëvizur edhe me miqtë tanë, me shoferët dhe kush ka pas mundësi edhe me bodigardët. Duke filluar nga unë, të gjithë kemi detyrime ndaj tyre. Të jenë të bindur që të gjithë këta janë dhe do të mbeten miqtë tanë (të shtetarëve të Kosovës shtet). Askush nuk ka për t‘ua harruar kontributin dhe gjithsecili prej tyre do të jetë në vëmendjen e drejtuesve shtetërorë të Kosovës për t‘u sistemuar në punë në përputhje me aftësitë dhe kontributin konkret të secilit.
Por nuk është normale (sipas logjikës protokollare shtetërore), që përfaqësuesit e zgjedhur, të miratuar e të respektuar kombëtarisht e ndërkombëtarisht si të tillë, të neglizhojnë e të mos respektojnë protokollin shtetëror. Shteti (që është një strukturë gjithëkohore organizimi) ka strukturën, pra formën dhe funksionin e vet. Tani jemi shtet i pavarur. Ideja e shokut, mikut, të afërmit tashmë gjykohet e vlerësohet, duke marrë e duke mbajtur parasysh postin shtetëror.
Shteti demokratik, të cilin e shpallëm dhe jemi të vendosur ta realizojmë, synon të arrijë zbatimin uniform, të barabartë të drejtësisë. Kosova do ta meritojë dhe do të bëhet anëtare e OSBE-së, BE-së, OKB-së, kur ne të zbatojmë ligjin, të drejtën, aftësinë kulturore e arsimore, kontributin për pavarësinë, duke u përpjekur t‘i sigurojmë secilit vendin e merituar. Ne, kosovarët, duhet të njohim e të respektojmë shtetin tonë, Kosovën si shtet sovran e të pavarur. Dhe, para vendosjes së taksave e tatimeve nga Prishtina, të njohim e të respektojmë hierarkinë shtetërore të Kosovës.
Pavarësia u shpall; post-festa i takon shtetit legjitim, që jo vetëm të "shlyejë shpenzimet", por kryesisht e parësisht të legjitimojë "gëzimin" e festuesve të këtyre ditëve. Për t‘i realizuar këto detyrime, institucioneve legale shtetërore u duhet jo vetëm pak kohë, por edhe respekt nga qytetarët. Tashmë është e rëndësishme të njohim, të respektojmë e t‘u bindemi ligjeve të shtetit tonë. T‘i duam, të vazhdojmë e t‘i konsiderojmë drejtuesit dhe titullarët e shtetit të ri të Kosovës miqtë tanë, por duke mbajtur kurdoherë parasysh që çdo shtet organizohet e funksionon mbi bazën e një protokolli, mbi bazën e procedurave, rregullave e ligjeve, që duhen njohur, pranuar, respektuar e zbatuar nga të gjithë ne. Shteti i ri i Kosovës, për të qenë vërtet veprues, jetëgjatë, siç e dëshirojmë dhe i aftë e dinjitoz në raportet ndërkombëtare, duhet të ketë mbështetje, besimin dhe bindjen e gjithë qytetarëve të vet.
Shtetin e pavarur të Kosovës e bëmë. Tani na takon të gjithëve, shqiptarëve dhe qytetarëve kosovarë të etnive të tjera, ta afirmojmë, ta forcojmë e ta bëjmë veprues, e të dobishëm për çdo banor të këtij shteti.