Të vegjlit: Referendum, nëse nuk tërhiqen PD-PS
Dhjetë partitë e vogla firmosën dje deklaratën që kundërshton çdolloj sistemi që favorizon "Dushkun" dhe shprehin përkrahjen për sistemin proporcional të personalizuar. Nëse PD dhe PS nuk do t‘i bashkohet vullnetit të forcave të vogla parlamentare atëherë 10 partitë e vogla do të kërkojnë edhe referendum. Pasi hartuan deklaratën e përbashkët ditën e enjte, partitë e vogla kërcënojnë me referendum për reformën elektorale. Ata shprehen se kanë 28 firmat për t‘u përfaqësuar në Kuvend dhe bëjnë fajtor dy liderët e partive më të mëdha se po ndjekin politikën e vjetër. Gjashtë parti kanë firmosur gjatë paradites së djeshme dhe më pas nga pasditja kanë dhënë firmat edhe 4 partitë të tjera të vogla. Është vendosur nga të vegjlit që komisioni për reformën të thërritet në Kuvend më tre mars 2008 dhe çështja e sistemit zgjedhor duhet të miratohet në Kuvend brenda muajit mars. PR, PSD, LSI, PAA, PAD, PDR, PDS, PBDNJ, PDK, PBLD, janë partitë që janë ngritur kundër bashkëpunimit të njëanshëm PD-PS. Kryetari i PDS, Paskal Milo, ka paralajmëruar se brenda PD dhe PS do të ketë rrjedhje votash për çështjen e reformës. Por a i kanë partitë e vogla 28 votat e duhura për referendum? "Nuk diskutohet kemi 48 jo 28, kështu që do të jetë referendum. Ne nuk duam të shkojmë deri atje, por personalisht dhe ju ftoj dhe ju ta perceptoni se sa e bukur do të jetë një referendum që në një krah do të ketë përfaqësuesit e politikës së vjetër Rama e Berisha dhe në krahun tjetër do të jenë të gjitha partitë e tjera dhe do dalim në popull dhe do shohim se kush do fitojë", tha Arben Demeti. Sipas tij, partitë e mëdha treguan në shkurt se të dyja bashkë nuk bëjnë më shumë se 50%. "Imagjinoni me një indinjatë popullore të dyja palët do shkojnë po ashtu 50% dhe referendumi jo vetëm që do fitohet, por ata do pësojnë një zhgënjim të madh", tha ai. Të gjithë përfaqësuesit e partive të vogla kanë deklaruar se sistemi duhet të miratohet në Kuvend brenda muajit mars, që të shkohet në zgjedhjet e ardhshme me sistemin proporcional të personalizuar, me qëllim shmangien e fenomenit ‘Dushk‘, votimin me një votë të unifikuar, me një raund dhe tavan të hapur, me lista të hapura dhe me prag elektoral 2.5 për qind. "Kjo bën që çdo parti të marrë saktësisht atë që i jep populli. Do të kundërshtojmë çdo sistem i cili deformon votën e elektoratit tip "Dushk" apo çdolloj tipi tjetër. I bëjmë thirrje dhe dy partive të tjera që të bashkëpunojmë ne për reformën zgjedhore, por bashkëpunimi do të jetë vetëm në rrugë institucionale jo me kulisa, në rrugë institucionale me komisionin zgjedhor dhe më pas në Kuvend", tha deputeti i PAD, Arben Demeti. Deputeti Demeti ka hedhur akuza ndaj dy bashkëkryetarëve të reformës zgjedhore, duke i cilësuar ata mjeranë dhe të neveritshëm, të cilët i kanë bërë me dhimbje koke njerëzit në Shqipëri. "Lidhur me politikën e re dhe të vjetër. Kur Rama fliste për politikë të vjetër, të gjithë e kuptuam se dy kolonat kryesore të politikës së vjetër ishin dy dinozaurët e politikës shqiptare, Nano dhe Berisha, duam apo nuk duam nëse flasim për politikë në 17 vjet ata dy njerëz kanë qenë violinat e para të politikës. Kush ishte përfaqësues i politikës së Nanos dhe Berishës ishte përfaqësues i politikës së vjetër. Sot Rama mburret me marrëveshjen me Berishën dhe për më keq marrëveshje e fshehtë, atëherë çfarë politike është kjo? Është politikë e vjetër", tha Demeti.
Partitë
Partia Republikane
Partia Socialdemokrate
Lëvizja Socialiste për Integrim
Partia Agrare Ambientaliste
Partia Aleanca Demokratike
Partia Demokrate e Reformuar
Partia Demokracia Sociale
Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut
Partia Demokristiane
Partia Bashkimi Liberal Demokrat