Mustafaj: Qeveria ka humbur lidhjet me PD-në
Ish-shefi i diplomacisë shqiptare, Besnik Mustafaj, ka komentuar në emisionin "Top Show" të Alban Dudushit çështjen e pavarësisë së Kosovës, marrëdhëniet brenda PD-së dhe funksionimin e qeverisë "Berisha". Mustafaj, në rolin e politikanit, shprehet i zhgënjyer në shumë aspekte nga KOP-i, në rolin e diplomatit thekson se Serbia është një vend i vogël për të vendosur embargo ndaj Kosovës dhe në rolin e shkrimtarit ka ripërsëritur qëndrimin e tij mbi veprat e Ismail Kadaresë.
Të larguarit e PD-së
Përplasjet, largimet, skandalet publike që kanë pushtuar partinë më të madhe të vendit nga viti 2005 e deri më sot, deputeti i vjetër i PD-së ka preferuar të ndalet gjatë në analizën e situatës brenda partisë së tij. Në gjykimin e tij, Mustafaj ka komentuar edhe "ngrirjen" që kryetari i Partisë Demokratike i bëri deputetit të PD-së dhe avokatit të njohur, Spartak Ngjelës.
"Ngjela nuk ka qenë asnjëherë organikisht pjesë e PD-së. Është një import që e mori Berisha dhe e solli e doli prapë për arsye që ne i dimë. Një njeri që shkon në zyrën e Kryeministrit me mikrofona në xhep zhvlerësohet si politikan", tha Mustafaj. Por, sa e ka dëmtuar largimi i figurave cilësore, si ajo e Spartak Ngjelës, Partinë Demokratike. Sipas Mustafajt, "në këtë kuptim PD-ja nuk ka ndjerë ndonjë dhimbje nga ikja e tij, ashtu siç nuk ka ndjerë ndonjë energji suplementare nga ardhja e tij në parti". Sipas Mustafajt, ajo çka e dallon nga Ngjela është se "ai shpeshherë ka një motivim krejtësisht provokativ. Ngjela nuk ka një analizë që niset nga motivi që ta shërojë PD-në dhe ta ndihmojë të ecë përpara. Ai e di që është jashtë kësaj partie". Gjithsesi, opinioni ngelet i ndarë në gjykimin se çfarë i shqetëson më shumë, veprimi i avokat Ngjelës, apo qëndrimi i doktor Berishës. Ish-ministri i kabinetit "Berisha" thekson se ajo që e shqetëson më shumë në këtë rast është veprimi i Ngjelës. "Gjesti i një deputeti, që shkon te kryetari dhe e nxjerr bisedën në tregun mediatik, për mua është i gabuar. Unë nuk jam dakord me atë mënyrë të foluri të Kryeministrit; ajo është një mënyrë të foluri që nuk mund të përjashtohet në një moment nervozizmi", vijoi ai, duke u ndalur te një tjetër figurë e PD-së, që kërkoi largimin nga partia për shkak se kjo forcë udhëhiqej sipas një fryme komunizmi, Mustafaj u shpreh se Gilman Bakalli është një njeri që ka të ardhme në politikë. "Deri tani nuk po mund të strukturoret mirë, por ai ka një analizë politike. Kritikat bëhen për të kërkuar përmirësimin e PD-së. Unë nuk përdor as provokacionin as ndonjë formë tjetër që t‘i bëj dëm PD-së. Unë kam lidhur karrierën me PD-në. Në këtë kuptim, mendoj se Gilmani është pjesë e PD-së", tha ai. Nëse rikthehemi pas në vite, kujtojmë se në vitin 1992 ishte një grup që doli me kritika ndaj lidershipit të partisë, Sali Berishës. Pas 16 vjetëve, deputeti Mustafaj, në mbrojtje të miqve të tij, të cilët u larguan ato vite nga partia, ka bërë me dije se "ai ishte i vetmi grup i larguar nga PD-ja dhe që kishte një platformë. Të gjithë të tjerët që kanë ikur më vonë në ‘94, ‘97, ‘99 asnjë nuk ka shfaqur para strukturave të partisë një platformë që ti të gjykosh nëse je dakord apo jo". Sipas tij, kjo ka qenë një shenjë vlerësimi permanent për këta njerëz, ku brenda këtij grupimi bënin pjesë emra si Gramoz Pashko, Preç Zogaj, Arben Imami. "Unë ia njoh vetes një ndikim pozitiv në kthimin e tyre në parti. Kjo më shumë sesa gjykim ka pas veprim, sepse këta njerëz, duke u nisur edhe një miqësi, por edhe për faktin që ata kishin një platformë u thirrën sërish. Ata nuk u përjashtuan, por dolën vetë nga partia", u shpreh ai.
Grupimet në PD
Sekretari për marrëdhëniet me jashtë në selinë blu ka bërë me dije se nuk ekzistojnë grupimet brenda PD-së. Ajo çka Mustafaj ka theksuar, është fakti se një nga dëmet që i ka bërë Berisha PD-së është se ka krijuar idenë se për të bërë karrierë në PD duhet të kesh komunikim direkt me të, por, sipas Mustafajt, në praktikë është provuar se kjo nuk është e vërtetë.
"PD-ja është një parti e pjekur tashmë r si një parti moderne e qendrës së djathtë ka nevojë të zhvillojë brenda vetes një lloj mekanizmi kritik që i mungon. Kam qenë partizan i KOP-it, me shpresën se këta, duke qenë të shkolluar mirë dhe duke pasur një lidhje më të dobët me pushtetin, do të mund t‘i lejojnë vetes më pak oportunizëm. Jam i zhgënjyer në shumë aspekte nga KOP-i. Partia Demokratike është një parti e qendrës së djathtë dhe në këtë parti nuk ke fraksione klasike, siç ke në partinë e majtë", tha ai. Deputeti i Tiranës, i cili prej 7 muajsh ndodhet larg kabinetit "Berisha", pas dorëheqjes nga posti i ministrit të Jashtëm ka theksuar se nuk ka pasur dhe nuk ka grup brenda Partisë Demokratike. "Unë kam ndenjur disa herë me Presidentin Topi, në kohën kur ai ishte kryetar i grupit kuvendor dhe ai ka pasur disa miq, me të cilët kalonte më shumë kohë. Për mua grupi ka sens kur ka një platformë. Nëse miqtë e Bamirit kishin si objektiv zgjedhjen e tij si President, këtë e donte e gjithë PD-ja", sqaroi Mustafaj, duke shtuar se partitë e djathta në Evropë nuk kanë fraksione, si ato të majtat. Fushata në kampin blu ka ditë që ka nisur dhe deputetët e djathtë kanë rendur në zonat e tyre elektorale. Sebepi i kësaj rendjeje ishte 17-vjetori i themelimit të PD-së, por që në të vërtetë kishte diçka tjetër më të fortë në thelb. Është hapur zyrtarisht fushata për zgjedhjet në parti, që pas mbledhjes së fundit të kryesisë. Ambicia për një post të rëndësishëm në strukturat e larta të partisë ka pushtuar edhe ish-shefin e diplomacisë shqiptare. "Nuk është një vendim që e kam marrë se çfarë posti do kem, por e sigurt është fakti që nuk iki nga politika", u shpreh Mustafaj.
Puna e qeverisë
E etiketuar shpeshherë si qeveri dembele edhe nga deputetë të PD-së, mazhoranca ka ulur tonet kritike ndaj qeverisë, për shkak se vendi ndodhet përpara një prove të madhe, si ajo e anëtarësimit të NATO-s. Mustafaj rinxjerr në skenën politike anën më të keqe, më pezhorative të kabinetit "Berisha", duke i lëshuar kritika të brendshme. "Qeveria i ka humbur lidhjet me partinë. Nuk është e përfaqësuar aq sa duhet PD-ja politikisht. Në qeveri ka një frymë ose një ndarje me parti të koalicionit me tepri, ose me depolitizim të qeverisë. Së dyti, në mënyrë fare evidente, strukturat politike të PD-së kanë humbur çdo lloj marrëdhënieje politike me qeverinë". Por çfarë duhet të bëjnë ministrat sipas ish-mikut të ngushtë të Berishës. "Nuk i kemi parë asnjëherë ministrat të shkojnë në Këshillin Kombëtar dhe t‘i kërkojnë kësaj qeverie pikat e nevojshme. Struktura ekzekutive dhe ajo strukturë me të cilën PD-ja do të përfaqësohet në zgjedhjet e 2009-ës, do ta dobësojë impaktin dhe mobilimin e partisë në fushatën e ardhshme", tha ai. Besnik Mustafaj është njohur gjithmonë si një njeri që i ka pasur kontaktet e drejtpërdrejta me Kryeministrin Berisha dhe nuk ka pasur nevojë të jetë pjesë e ndonjë grupimi për të qenë pranë lidershipit të partisë. Për këtë, me syrin e ftohtë Mustafaj komenton edhe kritikat e analistit të njohur të PD-së, Mero Baze, i cili akuzon qeverinë për nepotizëm. "Unë nepotizëm nuk kam ndjerë dhe nuk ndiej te mënyra e qeverisjes së Berishës. Mendoj se që kur jam larguar nga qeveria jam shprehur për nevojën për të luftuar vulentarizmin në mënyrën e qeverisjes. Në shumë raste Berisha qeveris me një vulentarizëm që pengon forcimin e institucioneve", tha ai. Mustafaj kritikon Berishën për mënyrën e komunikimit me zv/ministrat apo me zyrtarët e rangut të dytë. "I kam thënë njëherë Kryeministrit se një zv/ministër duhet ta mbajë mend që gjatë katër vjetëve ka takuar një herë ose dy herë Kryeministrin. Por nuk ka mbetur drejtor ndërmarrjeje shtetërore që nuk ka folur në telefon me Berishën, që nuk ka marrë sms nga ai, që nuk është thirrur në një mënyrë apo në një tjetër për të kryer një detyrë me urdhër të Kryeministrit, duke tejkaluar ministrin. Këto janë metoda që për mua e pengojnë forcimin e institucionit. Shteti është hierarki, nuk drejtohet partizançe", tha Mustafaj.
Pikat e dobëta të qeverisjes
"Mendoj se ka një mospërputhje midis rezultatit dhe imazhit. Rezultatet kjo qeveri i ka më të mira sesa imazhet". Sipas gjykimit të Mustafajt, kjo është edhe një nga pikat më të dobëta të kabinetit blu. Sipas tij, imazhi vjen nga një punë jo moderne, që bëhet në komunikimin me publikun dhe perceptimi publik për një qeverisje është mjaft i rëndësishëm, sepse i jep qeverisë energji pozitive. "Në analizën që i bëj qeverisjes ka shpeshherë një eklektizëm filozofik, të identitetit të saj. Kë përfaqëson kjo qeveri, ish të përndjekurit, pronarët etj. Identiteti i politikës është se çfarë filozofie të qeverisjes ka. Pas 17 vjetësh, identiteti i partive në Shqipëri duhet të bëhet me të njëjtat kritere që bëhet në vendet e qytetëruara. "Qeveria ka raste që rrëshqet majtas dhe ka raste që shkon shumë djathtas. Ka vendime të Këshillit të Ministrave që janë shumë majtas", tha ai.
Gjykimi për Kosovën
Pas kritikave të bëra shtatë muaj më parë nga ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj, për pasuesin e tij Lulzim Basha, këtë herë vijnë vlerësime për punën dhe maturinë e Ministrisë së Jashtme. Mustafaj thekson se "e kam kritikuar punën e Ministrisë së Jashtme në gusht të 2007-së, për shkak se kjo ministri kishte katër javë që heshtte për çështjen e Kosovës, ndërkohë pas zhvillimeve të fundit them se puna e kësaj ministrie është për t‘u përgëzuar". Ish-shefi i diplomacisë shqiptare ka komentuar gjithashtu marrëdhëniet e tij personale me lidershipin e Kosovës. "Pas kontakteve që kam pasur nëpërmjet telefonit, e-mail-it, jam kthyer në Kosovë, pasi kam ikur nga funksioni i ministrit të Jashtëm. Jam pritur nga Presidenti, Kryeministri dhe nga të gjithë kryetarët e partive e mendoj se marrëdhëniet e mia me Kosovën janë të mira", tha ai, duke komentuar rolin e Shqipërisë për të ardhmen e Kosovës, pas shpalljes së pavarësisë. Nëse diplomacia shqiptare do të jetë e përgatitur për të qenë një aks i rëndësishëm gjeopolitik në rajon, Mustafaj u shpreh se në mënyrë imediate nuk është diplomacia shqiptare që duhet të redifinohet. "Diplomacia jonë nuk ka nevojë të redifinohet. Ajo prej 15 vjetësh ka një trase të mirë në politikën rajonale", tha ai. Ajo çka kërkon Mustafaj është që në mënyrë urgjente diplomacia e Kosovës ka nevojë të krijohet dhe në mënyrë imediate duhet të përcaktojë raportet e të vendosë ekuilibrat midis Beogradit e Tiranës, në mënyrë që të mos jetë një sanduiç që ta shqyejnë nga të dyja anët, qoftë nga Tirana dhe Beogradi. "Me angazhimet që ka marrë në dokumentin e Ahtisarit, Kosova bëhet kampion evropian në trajtimin e minoriteteve", vijoi ai.
Duke komentuar Ministrinë e Jashtme nën drejtimin e tij, Mustafaj u shpreh se "në periudhën që unë kam qenë ministër i Jashtëm, drejtimet me të cilat kemi vepruar ne për të qenë konstruktivë kanë qenë përgatitja me aq sa mundej e terrenit për kompromis. Zgjidhja e Kosovës për herë të parë u tha se do të ketë kompromis nga Tirana, e cila nuk ishte thënë më përpara. Unë i pata bërë të gjitha përpjekjet që Tirana të ishte një adresë diplomatike e pashmangshme kur ishte fjala për Kosovën. Pra nuk mund të vendosnin për Kosovën pa pasur miratimin e Tiranës. Kjo, sepse ne jemi një shtet sovran, duke pasur të drejtë vote në OKB, OSBE, kishe mundësinë të ishe një partner dhe të ishe një avokat i Kosovës. Unë kam thënë, ne do të jemi avokat të Kosovës e jo aktorë dhe për mua është shumë e rëndësishme që të gjykohej që të gjendej një zgjidhje, pasi ne merrnin opinionet e Kosovës.
Duke u kthyer pas në kohë, në një deklaratë që Mustafaj e ka bërë nën kostumin e ministrit të Jashtëm, në të cilën është shprehur kundër idesë së dy shteteve shqiptare në Ballkan, duke thënë se Kosova është shteti i kosovarëve e jo shtet i shqiptarëve.
"Unë flas si diplomat dhe politikan. E pamë dhe në deklaratën e pavarësisë, në flamur, në fjalime, Kosova u deklarua si një shtet multietnik. Vetëm si i tillë do të pranohet nga ndërkombëtarët", tha ai.
UÇK-ja
Deputeti i PD-së, Besnik Mustafaj, ka zbutur tonet që Partia Demokratike ka pasur në drejtim të UÇK-së, në 1998-1999.
"Unë di se nuk kam kujtesë që të jenë etiketuar rëndë udhëheqësit e UÇK-së. Berisha i ndiqte me vëmendje këto ngjarje". Në një farë mënyre, UÇK-ja e ka prodhuar qeverisjen e Kosovës, pra tre personalitete të ndryshme e kanë sigluar këtë tranzicion që erdhi te pavarësia. "Berisha, në ato kohë ka pasur marrëdhënie korrekte me këta persona", tha ai. Mustafaj shtoi se "Kosova tani që bëhet shtet i pavarur do të mësojë nga të gjitha shtetet e tjera dhe në këtë kuptim mendoj se Shqipëria do të ketë më pak përgjegjësi".
Embargoja serbe?
"Serbia është shumë e vogël, që mund ta dëmtojë me embargo Kosovën". Ky është qëndrimi i ish-shefit të diplomacisë shqiptare. "Kosova me Serbinë ka kryesisht importe. Kosova ka një shans, që akset e komunikimit i ka me Shkupin, Podgoricën dhe me rrugën që po ndërtohet me Shqipërinë, kështu që është shumë e lehtë riciklimi i këtyre produkteve tregtare. Për herë të parë do të kemi protesta me karakter ekonomik në Kosovë, njerëz që do kërkojnë punë. Kosova është në një situatë ekonomike jo të pëlqyeshme".
Politika Kosovë-Shqipëri
Politika në Kosovë karakterizohet nga një frymë bashkëpunimi, ndërkohë që në Tiranë politika "shpërthen" në luftë politike herë pas here. Këtu përmendim rastin e ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugovës, i cili kërkoi bashkëpunim me të gjitha forcat politike në Kosovë për të mirën e vendit. Por sa mësoi Berisha nga Rugova, Mustafaj i përgjigjet vetëm me "Ǒtë të them"!!!...