E Diel, 1 Nëntor 2026

Loja e fundit e Bobi Fisherit

Në orën 8 të darkës të 21 janarit, në një natë të errët, një makinë funerali kishte marrë rrugën e mbuluar nga dëbora, diku në periferi të Rejkiavikut. Ajo pasohej nga një e dytë. Në automjetin e parë ndodhej arkivoli, brenda të cilit prehej trupi i Bobi Fisherit, shahistit virtuoz amerikan, i cili kishte ndërruar jetë 4 ditë më parë. Në makinën e dytë, shoqëruese, ndodhej një çift islandez, fqinjët e Bobit, si dhe një prift katolik, të cilin i madhi i shahut, duke qenë se kishte lindur dhe ishte rritur sipas riteve hebraike, nuk e kishte parë e njohur kurrë në jetë. Makinat ecën për 45 kilometra në lindje të kryeqytetit islandez dhe ndaluan në kishën luteriane të një fshati të vogël. Aty i priti një grua japoneze, një budiste që kishte ardhur nga Tokio një natë më parë. Gruaja tha se ishte e shoqja e të ndjerit. Fermeri, në pronësinë e të cilit ndodhej kisha, vend ku Fisher shkonte herë pas here për të shëtitur në rrethinat e saj, kishte bërë gati një gropë të madhe në periferi të varrezës së moçme. Grupi i vogël i njerëzve u mblodh rreth varrit dhe prifti nisi të mërmëriste disa lutje. Ishte thëllimë dhe errësira e një qielli pa yje e hënë bënte kontrast me tokën e mbuluar nga dëbora e bardhë. Në orën 10 të darkës, ceremonia e vogël mortore kishte marrë fund. Arkivoli ishte futur në tokë dhe gruaja e të ndjerit, fqinjët, fermeri dhe prifti u larguan në heshtje njëri pas tjetrit. Lajmi i vdekjes së Fisherit në 17 janar, bëri xhiron e botës, por askush veç atyre që morën pjesë në varrim nuk e kishte idenë që i madhi i shahut, amerikani kontradiktor, hebreu ish-kampion i botës, ishte varrosur tashmë. Lajmin e varrimit e bëri të ditur fqinji, i cili pas kthimit nga ceremonia bëri disa lajmërime përmes telefonatave. Gjithçka ishte mbajtur aq e fshehtë, saqë edhe vetë prifti luterian u njoftua për varrimin në minutën e fundit, madje edhe kunati amerikan i Fisherit, ish-bashkëshorti i motrës së vdekur, shumë vonë mundi të marrë vesh gjithçka. Nga një fakt i tillë, kunati u ndje disi i poshtëruar, duke qenë se kishte ndërmend të nisej nga Amerika për të marrë pjesë në funeral, si dhe për të marrë një pjesë të trashëgimisë prej 2 milionë dollarësh që la i ndjeri Fisher. Në fakt, ceremonia ku ai donte të merrte pjesë po zhvillohej pikërisht në orët e fluturimit të tij drejt Islandës. Madje, për varrimin as miku më i ngushtë i Fisherit, Saemi Palsson, nuk mësoi gjë. Palsson është një hero në Rejkiavik, pasi përveçse mik i Fisherit, ai ka qenë edhe truproja e tij. Kur mësoi lajmin, ai tha se ndihej i hidhëruar që nuk iu dha shansi t‘i jepte lamtumirën e fundit mikut të shtrenjtë. Por në njëfarë mënyre njerëzit në Islandë e dinin se si në jetë, edhe në vdekje, Fisher, mjeshtri i madh, do të kishte ikur në mënyrë shumë origjinale. "Fisher nuk kishte besim tek askush. Urrente median dhe nuk kishte dashur që të tjerët të merrnin vesh, deri pas vdekjes së tij, se Myoko Watai kishte qenë zyrtarisht e shoqja", rrëfen Palsson. Ky i fundit, një ish-polic dhe ekspert i xhudos, ka qenë truproja e Fisherit gjatë ditëve të lavdishme e heroike të mjeshtrit të madh, atëherë kur Fisher çuditi një botë të tërë me lëvizjet e magjishme në skakierën bardhezi. Islanda ishte vendi ku në vitin 1972 u zhvillua dueli më i paharrueshëm i të gjitha kohërave në shah, ai mes Fisherit dhe kampionit sovjetik të shahut, Boris Spasski. Ishte një ndeshje që do të nxirrte fitimtarin e kupës së botës. Ndikimi i kësaj ndeshjeje, që ishte në fakt mes një amerikani dhe një rusi në kulmin e Luftës së Ftohtë, pati një jehonë shumë më të madhe nga sa i takonte të kishte një ndeshje shahu, edhe pse një ndeshje mes viganëve. Ajo mori përmasat e një lëvizjeje gjeopolitike, pati një rezonancë të jashtëzakonshme te fuqitë dhe superfuqitë që morën pjesë në Luftën e Ftohtë. 29-vjeçari gjatosh Fisher doli fitimtar, pavarësisht gjithë vështirësive të jashtëzakonshme që iu desh të kalonte për të kapur fitoren. Henri Kisinger, në atë kohë Sekretar Shteti i Presidentit amerikan Riçard Nikson, i telefonoi atij dhe pas urimit i kujtoi se fitorja e tij ishte mbi të gjitha një gjest shumë domethënës patriotik. Fisheri, një person me mangësi të theksuara në komunikim dhe në marrëdhëniet shoqërore, bëri sherr me çdo kënd në Islandën e akullt. I vetmi njeri të cilin Fisheri mundi ta duronte pranë për një kohë të gjatë dhe me të cilin mundi të komunikonte, ishte pikërisht truproja e tij, Palsson. Ajo çka Fisher vlerësonte te ky njeri ishte heshtja dhe të thënit e gjërave në mënyrë të drejtpërdrejtë. Palsson vendosi t‘i qëndronte pranë si truproje në Shtetet e Bashkuara 6 muajt që pasuan fitoren e madhe të Fisherit. Më pas, për Fisherin pakkush arriti të merrte ndonjë lajm, deri në vitin 1992, kur ribëri një lojë me kundërshtarin e tij të vjetër, Spassky, në Serbi, çka i dha shumë para, por në të njëjtën kohë e bëri armik të qeverisë amerikane. Në vitin 2005, 33 vjet pas ndeshjes historike të Islandës, Fisher i telefonoi Palssonit nga një burg në Tokio të Japonisë, ku e kishin mbyllur me propozim të autoriteteve amerikane, që kërkonin ta ekstradonin me akuzën e lëvizjes pa një pasaportë të vlefshme, si dhe për akuzën e shmangies fiskale dhe pastrimin e parave. Pas veprimit dënues të amerikanëve fshihej inati që ata kishin ndaj tij, ndaj veprimeve të tij spektakolare antipolitike. Prej kohësh ai kishte dhënë deklarata kundër qeverive amerikane, madje me rastin e sulmeve të 11 shtatorit tha se ndihej i lumtur që amerikanët u goditën. Pra, Fisher nga një hero i Amerikës, u kthye në një anatemues të pushtetarëve të saj. Megjithatë, Palsson, i cili që nga koha kur qëndronte me të e kishte kuptuar se kur duhet ta merrte seriozisht dhe kurrë jo mikun e tij, vendosi që t‘i vijë në ndihmë. Miku u nis në Tokio dhe mori edhe bekimin e një grupi të madh tifozësh islandezë, të cilët i kërkuan qeverisë islandeze që të mbështeste Fisherin të vinte në Islandë. Pavarësisht gjithë problemeve që iu hapën me Shtetet e Bashkuara, Parlamenti 1000-vjeçar islandez votoi unanimisht që t‘i jepte nënshtetësinë islandeze kampionit të madh, amerikanit të shquar, që i kishte dhënë shumë famë Islandës me fitoren e bujshme e të paharruar. Në mars të vitit 2005, Fisheri zbriti në tokën islandeze dhe sipas përshkrimit të Palssonit, ai ngjante më shumë me një Sollzhenjicin pas ditëve të rënda të kampit të punës në Siberi. Dhëmbët i ishin thyer dhe flokët e bardhë, së bashku me mjekrën, ia mbulonin krejtësisht fytyrën. U pastrua dhe u la vetëm sepse i duhej të shkonte, edhe pse me bezdi të madhe, në një banket mikpritjeje nga autoritetet më të larta të Islandës. Megjithatë, përveç atij banketi, Fisher parapëlqente të mos kujdesej shumë për pamjen e jashtme, duke thënë se nuk kishte besim as te berberët për të prerë flokët, as te dentistët për të ndrequr dhëmbët e as te shitësit e veshjeve. Ai nuk kishte besim, pasi përmes kontakteve që mund të kishte me njerëz të ndryshëm, rusët apo amerikanët mund t‘i përçonin rrezatime të cilat mund t‘i shkaktonin dëme të rënda në tru. Gjëja e çuditshme për Fisherin ishte se pavarësisht gjithë anti-amerikanizmit të tij, ai ishte shumë-shumë amerikan si natyrë. Ai kurrë nuk largohej nga shtëpia pa një kapele bejsbolli. Pjesën më të madhe të kohës e kalonte duke dëgjuar në MP3 e tij muzikë "Country". I pëlqente që në Rejkiavik të ushqehej me hamburgerë dhe i pëlqente pa masë filmat amerikanë. E gjithë paranoja e Fisherit nuk ishin amerikanët, apo zakonet e tyre, por qeveritë e Uashingtonit. Kjo paranojë e bënte që të shihte armiq kudo. Kjo ishte arsyeja që Fisher u zu keq me dy nga anëtarët e komitetit që u ngrit për shpëtimin e tij nga burgu japonez. Të gjithë ishin fansa të lojës së shahut dhe e konsideronin Fisherin një yll, sikundër konsiderohet edhe David Beckam. Dy personat me të cilët Fisheri u zu, sipas tij, ishin agjentë amerikanë, të cilët donin që t‘i bënin keq e t‘i ngrinin kurthe në Islandë. Pavarësisht gjithë marrëdhënieve të vështira që kishte me njerëzit, ndër të vetmit persona të cilët Fisher mund të duronte pranë vetes gjatë viteve në Islandë ishte fqinji i tij, Gardar Sverrison, i vetmi që mori pjesë në varrimin e fshehtë të Fisherit. Ai u kishte rezistuar gjithë përpjekjeve të medias për të dhënë intervista në lidhje me Bobi Fisherin, pavarësisht shumave të mëdha të para që i ishin ofruar. Arsyeja e "paqes" së Fisherit me Gardarin ishte se fqinji jo vetëm që ishte shumë i dashur dhe i mirë me kampionin, por nuk mburrej për një gjë të tillë, ishte modest deri në fund. Një tjetër person që i qëndroi disi pranë Fisherit në Islandë ishte edhe një psikiatër, drejtor i një spitali të posaçëm në Islandë, i cili kuron ata kriminelë që shteti i konsideron të paaftë mendërisht. Pikërisht ky ishte personi që u takua me Fisherin tre muajt e fundit të jetës së shahistit. Ai u përpoq që ta kuronte edhe nga infeksioni i rëndë i veshkave, sëmundja që i mori jetën.

Sipas mjekut, Fisher e kalonte pjesën më të madhe të ditës i vetëm, nën shoqërinë e radios, ose të gazetave. Preferonte britaniket "The Guardian", apo "The Independent", si dhe amerikanen "The New York Time". Më pas i pëlqente të kalonte orë të tëra edhe në librari e biblioteka. Shpesh e zinte gjumi duke lexuar mbi stola. Librat e preferuar të Fisherit ishin ato që kishin të bënin me Luftën e Dytë Botërore, për të ashtuquajturit "të jashtëligjshëm", personat që kishin dezertuar, por e tërhiqnin edhe librat për fëmijë, ato me figura të bukura e të mëdha. Doktor Skulason, kur i shkonte në vizitën e përditshme Fisherit në shtëpi, bënte biseda nga më të ndryshmet me të. "Bisedonim për tema nga Frojdi e teoritë e tij mbi ëndrrën e deri te lufta e ndyrë e amerikanëve në Irak", rrëfen doktori. Në përfundim të gjithë bisedave me Fisherin, mjeku është në gjendje të japë një përshkrim të situatës së kampionit. Sipas tij, ai kishte vënë re një hendek të madh mes aftësive të shkëlqyera mendore të Fisherit (thuhet se e kishte koeficientin e inteligjencës më të lartë se Ainshtajni) dhe botës fëminore emocionale, nga kurthi i së cilës nuk kishte mundur të dilte dot. "E shihte jetën me sytë e një fëmije, të një foshnje që donte gjithmonë t‘i dilte e vetja dhe bëhej nervoz nëse i refuzohej drejtësia. Problemin kryesor në lidhje me gjendjen e tij cerebrale duhet ta ketë pasur nga zhvillimi i vrullshëm i trurit në moshën 14-vjeçare", rrëfen mjeku. Sipas tij, duhet të ketë qenë një barrë e rëndë për një 14-vjeçar, i cili që nga mosha 2-vjeçare u rrit vetëm nga e ëma, që ishte më shumë jashtë se brenda shtëpisë. Fisher ishte një fëmijë i vetmuar dhe i varfër. Shahu ishte një strehë mbrojtëse për të, një strehë së cilës i besonte shumë më tepër se sa njerëzve. Natën para vdekjes së Fisherit, Skulason e kaloi kohën pranë shtratit të tij. "Unë i flisja ngadalë, në një lloj monologu, dhe atë e zinte gjumi sikur të ishte një foshnjë. Më pas ai kotej e dëshironte që t‘i flisja sërish. Kur qetësuesi i mbaronte e dhimbjet i fillonin, situata rëndohej shumë. Atëherë më kërkonte lëng rrushi të shtrydhur, ose pak qumësht të ngrohtë. Bëja ç‘mundesha dhe në të aguar shqiptoi edhe fjalët e fundit, pikërisht kur po e fërkoja për t‘ia lehtësuar dhimbjet: "Asgjë nuk është më shëruese se sa një prekje njerëzore", tregon miku i orëve të fundit të Fisherit. Ishte pikërisht kjo prekje njerëzore që i kishte munguar Fisherit gjatë gjithë jetës dhe këtë dëshirë të tij e tha vetëm ndërsa po ndahej prej saj. Tani që Fisher ka ikur, ai ia ndjen mungesën deri në dhimbje. "Është e pabesueshme sa kontradiktor që ishte. Një gjeni i madh, një kundërshtues i gjithçkaje, i ashpër e aspak social, por që kishte raste që të jepte gjithë ngrohtësinë e një qenieje njerëzore të mrekullueshme", tregon mjeku. Sipas tij, Fisher do të mbahet mend jo për shpërthimet e tij fëminore, apo për urrejtjet e shprehura gjatë gjithë jetës, por për faktin se ishte një gjeni i plagosur, i cili mundohej të mbulonte me ashpërsinë dhe arrogancën e jashtme, shpirtin e mirë e të brishtë që kishte thellë brenda vetes. Fisher bënte pjesë në atë kategori njerëzish që ishin ushqyer me dhunë në fëmijëri, që ushtruan dhunë në të ri dhe që shoqëria ua ktheu sërish me dhunë. Mendja e Fisherit mbeti deri në fund një "rrëmujë", madje edhe pas vdekjes. Duke filluar që nga mënyra e varrimit, dukja e bashkëshortes misterioze japoneze, për të cilën i kunati tha se ishte gruaja e paligjshme e Fisherit dhe paratë që i la për bamirësi. Sipas mjekut, nëse ai nuk mban ndonjë të fshehtë, Fisher nuk la ndonjë dëshirë të fundit. Shënimi i fundit që shkroi u gjet në librarinë e tij të preferuar. Shënimi, i cili është vënë në një kornizë nga librashitësi, është shkruar me stilolaps dhe me dorë. Ishte një kërkesë e thjeshtë që Fisher i kishte bërë librashitësit, që ky t‘i gjente një libër komik për të lexuar. Libri titullohej: "Ata do të jenë gjithmonë kështu", me autor Jimmy Halto. Në fund të kërkesës, Fisher kishte firmosur për të fundit herë në jetën e tij: Boby Fisher.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›