E Diel, 1 Nëntor 2026

Serbët djegin ambasadën amerikane në Beograd, Koshtunica në protestë

Në Beograd, dje pas orës 17.00 filloi një protestë e organizuar nga qeveria e Serbisë, me moton "Kosova është Serbi". Në të morën pjesë rreth 100 mijë vetë. Kryeministri i Serbisë, Vojisllav Koshtunica, tha: "Sa të jetë shtet Serbia, nuk do ta pranojë pavarësinë e Kosovës, që ka lindur mbi shkeljen e parimeve të botës së civilizuar". "Deri sa të jetojmë, Kosova është Serbi dhe vëllezërit tanë në Kosovë nuk janë vetëm dhe nuk janë të harruar". Ai falënderoi Presidentin rus, Putin, për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës dhe të gjitha shtetet që nuk e kanë njohur atë. Fjala e Koshtunicës u shoqërua me thirrjet "Kosova është Serbi", "Kosova", "Rusia", "Nuk e japim Kosovën". Protestuesit mbanin parulla "Kosova është Serbi", "Stop SHBA"-së etj.

Turma mbante flamuj serb dhe të Partisë Radikale Serbe, kryetar i së cilës është Tomisllav Nikoliç. Radikali serb iu drejtua turmës me fjalët: "Serbia nuk do të qetësohet deri sa Kosova të kthehet prapë nën kontrollin e saj". Në protestë, të pranishmëve iu drejtua edhe Kryeministri i Republikës Sërpska, Millorad Dodik, duke përsëritur se Kosova është Serbi. Koshtunica mori pjesë në protestë në emër të institucioneve shtetërore, ndërsa Nikoliç në emër të disa partive parlamentare serbe (Partisë Radikale, DSS së Koshtunicës, Partisë Socialiste).

Ndërsa partitë e tjera parlamentare si DS e Tadiçit, G 17 Plus e Mllagjan Dinkiçit, Liga Socialdemokrate e Vojvodinës e Nenad Çanakut dhe liberal-demokratët e Jovanoviçit nuk morën pjesë. Vetë Presidenti Tadiç ishte për vizitë në Rumani. Protestuesit u ftuan për të shkuar në Kishën e Shën Savës, për të mbajtur lutje për Kosovën. Por, rreth 100 huliganë, pas përfundimit të mitingut "Kosova është e Serbisë", sulmuan disa ambasada në Beograd. Disa huliganë dogjën flamurin amerikan para ambasadës së SHBA-së në Beograd. Një grup zjarrvënësish hynë nëpër dritaret e ambasadës amerikane dhe dogjën ndërtesën, që është afër ambasadës kroate. Pas orës 19.00, njësitë speciale të policisë me dhjetë makina "Hamer" me gaz lotsjellës kanë ndërhyrë dhe kanë shpërndarë turmën, njoftoi reporteri i B 92. Pas ambasadës amerikane, huliganët kanë sulmuar ambasadën e Kroacisë dhe kanë djegur disa kontejnerë në afërsi të saj. Grupi plaçkitës ka hequr edhe flamurin e ambasadës turke, duke e djegur atë dhe duke vendosur në vend të tij flamurin serb. Disa të rinj kanë goditur me gurë ndërtesën e ambasadës, kanë hequr kamerat e vëzhgimit dhe kanë prishur vendrojën. Para ambasadës së Kanadasë është djegur një makinë dhe përgjatë rrugës janë djegur disa kontejnerë.

Në qendër të Beogradit u dogj dhe një restorant "Mc Donald‘s" dhe kioska para konsullatës gjermane. Policia nuk ka ndërhyrë për të penguar djegiet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›