Pango, firmë në statutin e ndryshuar
Shteti shqiptar duket se nuk do të heqë dorë nga sulmet kundër FSHF-së dhe këtë e ka provuar më së miri përsëri gjatë ditëve të fundit. Firma e shumëpritur në statutin e FSHF-së është shoqëruar me një surprizë të pakëndshme dhe të pastudiuar mirë nga ministri Ylli Pango, i cili ka bërë disa ndryshime në këtë dokument, që aprovohet vetëm nga Asambleja e Përgjithshme e institucionit të futbollit. Këto "përmirësime" nga titullari i MTKRS-së janë bërë me qëllimin për të organizuar një Asamble të Jashtëzakonshme, që duhet t‘i miratojë ato. Por një lëvizje e tillë nuk do t‘u pëlqejë shumë FIFA-s dhe UEFA-s, të cilat e shohin këtë si një tjetër sulm politik ndaj kreut të FSHF-së, Armand Duka.
Mendohej se me firmosjen e statutit të FSHF-së, MTKRS-ja u kishte dhënë fund sulmeve ndaj FSHF-së dhe do të lejonte institucionin e futbollit ta vazhdonte qetësisht punën. Por, çuditërisht, pas shqyrtimit të dokumentacionit të dorëzuar dy ditë më parë në FSHF, është vënë re se shumë nene të statutit të firmosur nga ministri Pango ishin të ndryshuara. Në një situatë të tillë, FSHF-ja i ka kërkuar llogari palës shtetërore për këto modifikime, duke marrë si përgjigje se ky ishte statuti që duhej dorëzuar për regjistrim në gjykatë. Normalisht, kjo ka sjellë edhe reagimin e FSHF-së, e cila ka njoftuar menjëherë FIFA-n dhe UEFA-n për shkeljen e radhës të akordeve nga ana e palës shtetërore. "Ne nuk mund ta dërgojmë këtë statut në gjykatë për ta regjistruar, pasi ndryshimet e tij nuk janë miratuar në Asamblenë e Federatës Shqiptare të Futbollit. Ndryshimet e reja të bëra në të janë të ideuara nga MTKRS-ja dhe jo nga komuniteti i futbollit, ndaj nuk mund të dërgohen për regjistrim në gjykatë. Duket se MTKRS-ja kërkon zhvillimin e Asamblesë së Përgjithshme për miratimin e ndryshimeve të bëra nga ministri Pango, por një gjë e tillë nuk është në dorën e tyre. Presim një reagim nga UEFA dhe FIFA, të cilat janë të interesuara për situatën, kur dihet se sot (dje), ka qenë afati i fundit për firmosjen e statutit që ne kemi dorëzuar në MTKRS dhe për të cilin kanë dijeni të plotë edhe organizmat ndërkombëtare", u shpreh përfaqësuesi i zyrës për shtyp në FSHF, Lysjen Nurishmi.
Reagimi i ndërkombëtarëve duket se do të jetë një tjetër "bombë" për MTKRS-në dhe drejtuesit e saj, të cilët e kanë sfiduar hapur FIFA-n dhe UEFA-n. Këta të fundit kanë diskutuar me ministrin Pango rreth statutit të FSHF-së dhe kanë arritur në qershorin e vitit të kaluar një akord me të. Ndryshimet e bëra nga ministri Pango do të interpretohen si një tjetër sulm politik ndaj FSHF-së, siç ishte deklaruar qartësisht edhe në raportin e fundit të Komisionit të Federatave të FIFA-s.
FIFA dhe UEFA do të sjellin sot një përgjigje për konfliktin e fundit mes FSHF-së dhe MTKRS-së.