QSUT, operacion në tru për epilepsinë
Epilepsia, një nga sëmundjet neurotike më të përfolura, mund të kurohet edhe në Shqipëri. Edhe pse operacionet më të vështira zhvillohen në vende me standarde të larta shëndetësore apo me kushte të larta infrastrukturore, Shqipëria nuk e lë pas "krenarinë". Në spitalin më të madh të vendit, kur trajtohen pjesa më e madhe e shqiptarëve nuk flitet vetëm për mungesa filmash për të kryer ekzaminime, mungesa ilaçesh apo dhoma me lagështirë. Në qendrën spitalore të Tiranës flitet edhe për operacione të rangut të lartë apo siç quhet ndryshe superkirurgji. "Ka modë ka dhe ‘alta moda‘, ka kirurgji ka dhe superkirurgji, është kjo që zhvilluan mjekët shqiptarë në bashkëpunim me profesorët në Milano", tha shefi i shërbimit të neurokirurgjisë në spitalin "Nënë Tereza", Mentor Petrela. Në një intervistë për gazetën "Shqip", profesor Petrela tregon se stafi i mjekëve shqiptarë janë të përgatitur aq sa për të zhvilluar edhe superkirurgji. Mbeten për t‘u plotësuar disa kërkesa të pavijonit të neurologjisë për pjesën e diagnostikimit. Por pavarësisht çdo fakti dhe çdo arritjeje, më e rëndësishmja i takon shërbimit të pacientit. Ndërhyrja më e vështirë që është kryer dje në neurokirurgji do t‘u shërbejë të gjithë atyre pacientëve me epilepsi, të cilët janë rezistentë ndaj medikamenteve.
Cili ka qenë pacienti i parë që ka kryer këtë ndërhyrje dhe në cilat mjedise është zhvilluar operacioni?
Pacienti i parë që i është nënshtruar ndërhyrjes ka qenë nga Kosova, 35 vjeç. Pacienti ka kërkuar ndihmë në disa spitale evropiane, por kostoja tepër e lartë e operacionit ka bërë që ai të kërkonte ndihmë në Shqipëri. Pasi kemi analizuar gjendjen informuam pacientin që ndërhyrjen për problemin e tij mund ta bënin në spitalin e Tiranës, por pas diagnostikimit të detajuar. Ka qenë vetë pacienti që ka zgjedhur institutin neurologjik "Carlo Besta" në qytetin e Milanos dhe më pas bashkë me të dhënat ka ardhur për të kryer ndërhyrjen në spital. Operacioni është kryer në shërbimin e neurokirurgjisë. Është zhvilluar nga një grup mjekësh shqiptarë, Arsen Seferi, Ridvan Alimehmeti, Mentor Petrela. Ndërsa në institutin neurologjik "Carlo Besta" një nga specialistet shqiptare që punon atje, Suela Dylgjeri, ka ndihmuar në procesin e diagnostikimit. Puna në ekip ka qenë edhe suksesi i kësaj ndërhyrjeje. Qëllimi i operacionit është ulja e dozës së ilaçeve dhe eliminimi i krizave.
A ka pacientë të tjerë të cilët janë në radhë dhe si do të procedohet në të ardhmen me të sëmurët, do të diagnostikohen në Milano dhe do të operohen në Shqipëri?
Aktualisht, spitali disponon të gjitha aparaturat për të kryer një diagnostikim të rregullt. Sigurisht që për raste specifike mund të ketë bashkëpunime me institutin në Milano përsëri. Ka kërkesa dhe ka pacientë në radhë. Pasi bëhet diagnostikimi vendoset me saktësi zona se ku duhet ndërhyrë. Ekipi ynë i neurologëve duhet të bëjë diagnostikimin për sa i takon stafit të kirurgëve, neurokirurgjia mund të kryejë operacione të tilla. Mund të themi se ka disa kërkesa që duhet të plotësohen lidhur me elektrofiziologjinë.
Mund t‘i plotësojë spitali shqiptar të gjitha kushtet për të kryer kësisoj ndërhyrjesh dhe a kanë një kosto të madhe të tilla operacione?
I sëmuri nga Kosova është drejtuar për ndihmë në disa nga spitalet evropiane dhe kostoja në këto spitale ka qenë tepër e lartë. Më pas u mendua si zgjidhje diagnostikimi në Milano dhe ndërhyrja në Shqipëri. Ky operacion është zhvilluar edhe falë bashkëpunimit nga kolegët në Itali. Prej më shumë se 10 vjetësh ne kemi një bashkëpunim me profesorët andej. Shumicën e kushteve për diagnostikim neurologjia e ka, spitali duhet të kërkojë vazhdimisht për të përmbushur kërkesat.