E Diel, 1 Nëntor 2026

Dobjani: Referendum për 4 çështje madhore

Avokati i Popullit, Ermir Dobjani, hedh idenë se çështjet e sistemit zgjedhor, niveli i pragut elektoral, struktura e Parlamentit dhe zgjedhja e Presidentit të Republikës duhet të vendosen nga populli me anën e një referendumi. Rekomandimi i është depozituar kreut të shtetit, Bamir Topi, me argumentimin që për çështje të tilla madhore dhe jetike për ecurinë demokratike të vendit t‘i lihet hapësirë ushtrimit të demokracisë direkte përmes organizimit të referendumit popullor. "Avokati i Popullit mendon se sfidat e integrimit të vendit në strukturat euroatlantike kushtëzojnë njëkohësisht përpjekje të ndërgjegjshme dhe të përgjegjshme për rritjen e emancipimit të klasës politike në vend, si dhe përsosjen e kapaciteteve intelektuale dhe administrative të vendit. Kjo do të thotë se ka ardhur koha që populli, si trupa zgjedhore e vendit, të ndihet realisht pjesëmarrës në vendimet që politika do të marrë për fatet e tanishme dhe të ardhme të vendit", deklaron Avokati i Popullit. Më tej deklaron se nëse ndodh një gjë e tillë, atëherë do të jetë një shans për politikanët e të gjitha partive të komunikojnë drejtpërdrejt me votuesit shqiptarë. "Një motiv tjetër është këndvështrimi, sipas të cilit çdo votues shqiptar është taksapagues i këtij shteti, dhe për pasojë është në dorën e tij se për cilin, si, dhe për sa kohë e gjykon të paguajë për të mbajtur në krye ata që e qeverisin në shkallë vendi", pohon Dobjani.

Në rekomandimin dërguar Presidentit Topi, Avokati i Popullit thotë se duke pasur parasysh se me reformën zgjedhore janë lidhur ngushtë edhe struktura e trupës legjislative, propozojmë që ky referendum të legjitimojë të drejtën kushtetuese të popullit për t‘u shprehur për katër çështje madhore. E para, për sistemin zgjedhor, i cili aktualisht paraqitet i përzier dhe ku zënë vend të dyja sistemet, si ai mazhoritar dhe ai proporcional. Çështja e dytë për nivelin e pragut elektoral, si një nga çështjet më të debatueshme në të shkuarën dhe atë aktuale. Struktura e Parlamentit është një çështjet për të cilën Dobjani mendon se populli duhet të vendosë për strukturimin me një apo dy dhoma. Në vartësi me këtë zgjedhje do të jetë edhe numri i deputetëve. "Populli duhet të vendosë për zgjedhjen e Presidentit të Republikës në vitin 2012 e më pas, për të përcaktuar nëse do të jetë atribut i Kuvendit të Shqipërisë apo i votimit të drejtpërdrejtë nga populli", thotë Dobjani.

Më tej argumenton se me këtë rast do të arrihet të realizohet edhe një standard i ri i sjelljes demokratike në vend, i cili do të krijonte precedentë pozitive për pjekurinë e votuesve shqiptarë, për qetësinë e përfaqësuesve politikë, që në fund të fundit do të rrisnin besimin e publikut shqiptar te drejtësia e numërimit të votës. "Referendumi si një mjet demokratik për përcaktimin dhe zgjidhjen e këtyre çështjeve madhore duhet të shoqërohet me një fushatë sensibilizuese për të gjithë votuesit aktivë", shton Avokati i Popullit, i cili uron që partitë politike ta mbyllin me konsensus dhe me sukses reformën zgjedhore që kanë nisur për zgjedhjet e përgjithshme të rregullta parlamentare në verën e vitit 2009. "Por 4 çështjet e propozuara për referendum popullor gjykojmë se mund të vendosen në axhendën tuaj edhe pas atyre zgjedhjeve, pasi ju si kryetar i shtetit dhe përfaqësues i unitetit të popullit, punoni me qëllim për të forcuar sistemin politik dhe parandaluar krizat që janë vërtetuar se krijohen nga sistemet në fuqi", përfundon Dobjani.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›