E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndjekje penale "zyrtarit" të Ministrisë së Jashtme

Hiqej si zyrtar i Ministrisë së Jashtme dhe mashtronte njerëzit se do t‘u nxirrte viza për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Protagonisti i këtij mashtrimi dyshohet se është Zef Pali, 37 vjeç nga Tirana. Ai është proceduar penalisht dy ditë më parë nga antikrimi ekonomik, pasi dyshohet se nëpërmjet mashtrimit i ka vjedhur një shtetasi dymijë euro. Burimet nga grupi hetimor i antikrimit ekonomik në Drejtorinë e Policisë së Tiranës bënë të ditur se disa ditë më parë është paraqitur në ambientet policore Kadri Shameti. Ai ka deklaruar se ishte mashtruar nga një 37-vjeçar, i cili hiqej si zyrtar i Ministrisë së Jashtme. Sipas denoncimit të tij, këtij zyrtari i kishte dhënë dymijë euro me qëllim nxjerrjen e një vize për të shkuar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Por, pas kryerjes së pagesës, ai nuk i ishte përgjigjur më në telefon dhe nuk i kishte kthyer paratë. Këto rrethana e kishin detyruar ta denonconte në polici. Ndërkohë, pas marrjes së denoncimit, policia ka marrë në pyetje të dyshuarin, i cili nuk e ka pranuar akuzën e ngritur ndaj tij. Megjithatë, inspektorët e antikrimit ekonomik kanë vendosur që ai të ndiqet penalisht në gjendje të lirë deri në dokumentimin e plotë të kësaj vepre penale. Nga ana tjetër, për plotësimin e kësaj dosjeje, dokumentet i kaluan Prokurorisë së Tiranës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›