Frikë nga hakmarrja, Puci pranon fajin dhe shfajëson familjarët e tjerë
I braktisur nga familjarët, ndoshta të fshehur nga frika e gjakmarrjes dhe i mbrojtur nga një avokat i caktuar kryesisht nga gjykata, Hajdar Puci është paraqitur dje përpara togave të zeza, i qetë dhe pa ndonjë shenjë pendese për vrasjen e Bilbil dhe Mimoza Ferhatit. "I vrava për të marrë gjakun e djemve të mi", tha 62-vjeçari gjatë shqyrtimit të masës së sigurisë, në Gjykatën e Shkallës së Parë në kryeqytet. Ai e ka pranuar fajin me një lloj krenarie, por ka nxituar të deklarojë se gjithçka e kishte planifikuar, organizuar dhe kryer i vetëm, pa asnjë bashkëpunëtor. Në këtë mënyrë Puci duket se ka dashur të përgënjeshtrojë informacionet e policisë dhe prokurorisë, të cilat thanë se ishin duke hetuar mundësinë e përfshirjes në këtë krim të dy bashkëpunëtorëve të tjerë. Në të njëjtën kohë ai është përpjekur të mbrojë nga vazhdimi i gjakmarrjes familjarët e tjerë, megjithëse një gjë e tillë duket pak e mundshme për sa kohë që ai vetë nuk kurseu një vëlla dhe një motër që shumë pak kishin lidhje me vrasjen e djemve të tij. Pasi ka dëgjuar edhe provat dhe argumentet e paraqitura nga prokurori i çështjes, gjykata ka vendosur të lërë në burg pa afat 62-vjeçarin.
Katër ditë më parë Hajdar Puci ekzekutoi me pistoletë Bilbil dhe Mimoza Ferhatin në vendin e quajtur disheza e Kamzës, afër kryqëzimit të Bathores në Tiranë. Por zanafilla e ngjarjes duket se është në vitin 2004, kur në qendër të Bathores, dy vëllezërit, Ferit dhe Din Puci u vranë me thika nga tre persona, ndër të cilët ishin dy vëllezër. Vrasja e vëllezërve Puci ndodhi pas një konflikti për pronën, e saktësisht për një arkë që ishte hedhur nga oborri i njërit dyqan te tjetri. Për këtë vrasje, drejtësia arrestoi vëllezërit Petrit dhe Kujtim Gjeta, ndërkohë që shpalli në kërkim Bashkim Ferhatin, vëllai i dy viktimave të së enjtes. Për shkak se nuk u bë arrestimi i Ferhatit, 62-vjeçari vendosi të merrte hak vetë, duke vrarë me gjakftohtësi Bilbilin dhe Mimozën. Burime nga grupi hetimor thanë një ditë pas ngjarjes se po hetohej mundësia e bashkëpunëtorëve në këtë krim. Sipas këtyre burimeve dy persona të tjerë kishin ndjekur lëvizjet e viktimave dhe kishin informuar Hajdarin, i cili më pas kishte gjetur momentin më të përshtatshëm për t‘i ekzekutuar ata.
Tashmë Hajdar Puci do të qëndrojë pas hekurave të burgut deri në fund të procesit hetimor dhe atij gjyqësor. Ai akuzohet për veprat penale të "vrasje" dhe "vrasjes për shkak të cilësive të veçanta të viktimës" dhe rrezikon dënimin me burgim të përjetshëm.