Ndoka kërkon ndihmë nga gjermanët
Ministri i Shëndetësisë, Nard Ndoka, gjatë një vizite pune në Gjermani, me ftesë të rrjetit të spitaleve françeskane dhe të Bashkisë Recklinghausen, Landi Nordrhein-Westfalen, ka kërkuar ndihmë për sistemin shëndetësor shqiptar. Ai theksoi nevojën e zgjerimit të bashkëpunimit mes institucioneve gjermane dhe shqiptare, ku përveç vizitave mjekësore, bashkëpunimi të shtrihet edhe në shkëmbimet e përvojës, ndihmën në pajisje dhe ekspertizë nga mjekët e rrjetit të spitaleve të Fondacionit "St. Franziskus". Pala gjermane mësohet se pranoi kërkesën për dërgimin e një grupi ekspertësh që të asistojë legjislacionin e ri shëndetësor dhe implementimit të tij në Shqipëri. Në një takim me kryetarin e Bashkisë Recklinghausen Wolfgang Pantförder, u fol dhe për bashkëpunimin midis këtij qyteti dhe atyre shqiptare. Përfaqësuesit zyrtarë të MSH pohuan se "të dyja palët ranë dakord për nisjen e procesit të njohjes dhe binjakëzimit midis Bashkisë së Recklinghausen dhe asaj të Rrëshenit në Shqipëri, duke ndjekur një program shkëmbimesh midis punonjësve të bashkisë, trajnime profesionale, shkëmbime midis shkollave. Kryetari i Bashkisë Recklinghausen e ftoi ministrin Ndoka të bëhet pjesë në Librin e Artë të qytetit.