E Diel, 1 Nëntor 2026

Transplanti i veshkës, përfundon faza përgatitore

Tre çifte pacientësh dhe dhuruesish tashmë janë gati që të kryejnë operacionin e vështirë të transplantit të veshkës. Këto ndërhyrje kirurgjikale do të kryhen në Bari të Italisë, sipas një marrëveshjeje të nënshkruar nga shëndetësia shqiptare. Nestor Thereska, shef i pavijonit të nefrologjisë në qendrën spitalore universitare "Nënë Tereza", pohon se puna parapërgatitore për këta persona është përmbyllur. Thereska është një ndër mjekët kryesorë të grupit të bluzave të bardha shqiptare që po trajnohet në shtetin fqinj, Itali, për kryerjen e këtyre operacioneve të vështira edhe në Shqipëri. Aktualisht, shefi i pavijonit të nefrologjisë në QSUT, sqaron se është në përfundim edhe puna për krijimin e të gjithë infrastrukturës së domosdoshme me pajisje që do të mundësojnë ndërhyrje të tilla kirurgjikale të transplantit të veshkës edhe në Tiranë.

Që prej më shumë se një viti, specialistët shqiptarë në bashkëpunim me homologët e tyre italianë të spitalit të Barit kanë kryer trajnime të vazhdueshme, si dhe kanë asistuar në operacione të tilla. Fakt pozitiv për të tre pacientët që presin të ndërrojnë njërën prej veshkave të tyre është se kanë gjetur dhurues. Në të tria rastet, dhuruesit janë familjarë të ngushtë të tyre.

Qendra spitalore universitare "Nënë Tereza" është brenda afateve të përcaktuara nga ana e shëndetësisë shqiptare dhe sfidës që mjekët e saj i vunë vetes për kryerjen e këtyre operacioneve që do të nisin në Bari për t‘u importuar" shumë shpejt edhe në sallat e QSUT-së. Ndërkohë që, vetëm pak kohë më parë dy pacientë shqiptarë iu nënshtruan operacioneve të tilla të transplantit të veshkës në një spital privat në kryeqytet, duke marrë "meritën" e të qenit të parët në Shqipëri. Megjithatë, mjekët që realizuan këto ndërhyrje tejet të vështira ishin të huaj. Stafi i tyre kryesohej nga një kirurg turk. Pagesa për një operacion të tillë në spitale private varion nga 15 mijë euro e lart.

Në fund të janarit mendohet që edhe në QSUT këto operacione të kryhen nga mjekët shqiptarë, fillimisht nën vëzhgimin e kirurgëve italianë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›