Nen ankthin e nje mandate te re elektorale
Pas dështimeve të përsëritura, mandati i komisionit bipartizan për reformën elektorale u shty sërish. Shqiptarët, ndoshta edhe ndërkombëtarët, përjetojnë ankthin e një mandate të re elektorale që dita ditës po afron. Ky ankth që shpërndahet në hapësirat politike dhe mediatike koncentrohet vazhdimisht në të njëjtën dilemë: A do të jenë të lira e të ndershme zgjedhjet e ardhshme në Shqipëri? Politika e sotme e ka reduktuar këtë dilemë jetike në pyetjen debat: Cili do të jetë sistemi i ardhshëm elektoral? Përgjigjja e lidershipit qeverisës për çështjen madhore të zgjedhjeve të lira e të ndershme që nga çasti i premtimit në mbrëmjen e fitores e deri më sot vazhdon të mbetet vetëm një demagogji. Nëse do të hedhim vetëtimthi një vështrim në historitë pambarim të komisioneve bipartizane parlamentare, do të shohim se sa me saktësi janë përsëritur të ashtuquajturat reforma elektorale që kanë përfunduar me falsifikime deri katastrofike të rezultatit zgjedhor, me procese të kontestuara nga partitë dhe ndërkombëtarët.
Vetëm për katastrofën elektorale të 3 korrikut 2005 partitë e sotme parlamentare nuk akuzuan njëra-tjetrën. Arsyeja është tepër e thjeshtë. Të gjitha këto parti, me përjashtim të LSI-së, u përfshinë në një proces të përgjithshëm manipulimi dhe falsifikimi të rezultatit zgjedhor. Ato dëmtuan rëndë institucionin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, duke e maskuar këtë dëm hata me falsitetin e dorëzimit paqësor të pushtetit dhe duke e shkarkuar fajin te sistemi zgjedhor kushtetues.
1. Sistemi elektoral kërkon ndershmëri nga partitë dhe institucionet
Reforma elektorale vazhdon të mbetet ngërçi i proceseve të zhvillimit të demokracisë dhe të institucioneve të shtetit të së drejtës në Shqipëri. Me sa duket, kulisat e vjetra politike po përgatitin variante të sistemeve në interes të tyre për t`i paraqitur në prag të fushatës së ardhshme elektorale. Vullneti politik për zgjedhje të lira dhe të ndershme ka mbetur vetëm në deklarime periferike sa për të mbajtur "gjallë" ekzistencën e këtij problemi kruçial. Sa për ndershmëri të këtij vullneti politik, as që mund të bëhet fjalë, përderisa diabolizmi i lidershipit të politikës së vjetër për pushtet qeverisës me çdo kusht vjen vazhdimisht në rritje.
Kjo duket edhe në propozimet apo dhe reagimet që bën kjo politikë mbi sistemet zgjedhore, që shihen si të mundshme për të zëvendësuar sistemin e sotëm kushtetues të dhunuar keqas prej saj në procesin famëkeq të MegaDushkut 2005. Tashmë në tryezën e boshatisur të komisionit dështak bipartizan të reformës zgjedhore kanë filluar të hidhen disa sisteme elektorale që përdoren në vende të ndryshme të Evropës dhe që vetëm emërtohen si pa të keq, sistemi gjerman, ai spanjoll, bullgar, grek etj. Duke mos analizuar se me cilat sisteme elektorale është përafruar Shqipëria gjatë serive të zhvillimeve dhe dështimeve elektorale në këtë kohë tranzicioni, çfarë shkallë deformimi pranonte sistemi i zgjedhur elektoral dhe ç‘deformim katastrofik shkaktoi politika e derisotme etj., duket sheshit se komisioni dhe ekspertët e tij do të vegjetojnë në mënyrë të rrezikshme deri në prag të zgjedhjeve të ardhshme, apo në një datë të imponuar, ku për mungesë kohe ai do të detyrohet të marrë një vendim, sigurisht të gabuar.
Në këtë kontekst, komisioni bipartizan i reformës zgjedhore duhet të analizojë me seriozitet edhe rezultatet e shpallura në Buletinin e Zgjedhjeve për Kuvendin 2005 të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), i cili mund të quhet edhe Libri i Kontabilitetit Elektoral, ku dokumentohet, ndonëse pjesërisht, falsifikimi masiv i votave proporcionale, ku në faqe të tëra ka një mungesë kuadrimi elektoral tepër të dukshme dhe deri në faqe tërësisht të bardha, prej të cilave kanë dalë deputetët e zinj të "MegaDushkut".
***
Buletini i Zgjedhjeve për Kuvendin 2005 tregon për shkallën e lartë të komprometimit të KQZ, e cila shkeli haptas dhe botërisht ligjin themelor të shtetit, duke legalizuar një Parlament të përçudnuar me doza të larta antikushtetushmërie. Kjo antikushtetutshmëri mbartet në qeverisjen e deformuar të nxjerrë prej tij dhe në të ashtuquajturat reforma që ajo zbaton, si dhe në legjislacionin dhe institucionet e rëndësishme shtetërore që ky Parlament jolegjitim vazhdon të prodhojë. Në tërë këtë proces të dhunimit të institucionit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, KQZ si dhe Gjykata Kushtetuese treguan se vazhdojnë të mbeten institucione eunuke të pushtetit ekzekutiv.
Institucionet dhe organizmat ndërkombëtare që monitorojnë Shqipërinë dhe reformat e saj në fushën e integrimit euroatlantik, me sa duket të lodhura me të në këtë proces monitorimi, deklaruan një përmirësim të pamjaftueshëm në drejtim të standardeve për zgjedhje të lira e të ndershme. Duke e konsideruar procesin e trafikimit masiv të votës në "MegaDushk 2005" thjesht si një anomali të këtij sistemi të përdorur në vende të ndryshme, të njohur me emrin "anomali të votimit strategjik", ndërkombëtarët vlerësuan kalimin paqësor të pushtetit qeverisës nga një lidership i kompromentuar politik në një tjetër lidership të kompromentuar me kohë. Një pjesë e kësaj tragjikomedie politike dhe elektorale në Shqipëri u shfaq sërish në zgjedhjet e përgjithshme vendore të 18 shkurtit 2007, të cilat e rrëzuan makijazhin elektoral të atyre partive që u frynë me proporcional fiktiv në procesin zgjedhor të 3 korrikut 2005.
2. Paralele ndërmjet sistemeve elektorale në Shqipëri dhe në Gjermani
Nga analiza krahasuese e sistemeve elektorale të përdorura në Shqipëri gjatë tërë periudhës së tranzicionit, rezulton se në më të shumtën e kohës (1992-1996; 2001-2005 dhe 2005-vazhdim), Parlamenti është zgjedhur përmes një sistemi elektoral, i cili ka ngjashmëri me atë të përdorur në Gjermani që nga viti 1949 e deri më sot, me disa ndryshime. Edhe zgjedhjet e para në Shqipëri në periudhën 1991-1996 u zhvilluan sipas sistemit elektoral mazhoritar me dy raunde TRS (Two Round System), i cili ishte përdorur në kohën e perandorisë gjermane. Më pas, në kohën e Republikës së Vajmarit dhe deri në vitin 1949, në Gjermani u përdor një sistem PP (Përfaqësim Proporcional i pastër)apo PR (Proportional Rapresentative), siç quhet në gjuhën e standardeve ndërkombëtare të sistemeve elektorale. Ky sistem i fundit PP nuk është përdorur në Shqipëri, ashtu sikundër edhe sistemi i përzier mazhoritar & proporcional (Semi-PR apo paralel), që u përdor në Shqipëri në zgjedhjet e viteve 1996-1997 dhe 1997-2001, nuk është përdorur ndonjëherë në Gjermani.
Sistemi elektoral gjerman, i vendosur pas vitit 1949 dhe i pandryshuar në thelbin e tij deri më sot, klasifikohet si një sistem proporcional i personalizuar, ose, siç njihet në Zelandën e Re, si një sistem MMP (Mixed Member Proportional), pra, sistem Proporcional me Anëtarë të Përzier (PAP). Thelbi i tij konsiston në faktin që ai kombinon votën për individin në një zonë elektorale një emërore me parimin e përfaqësimit proporcional. Ky sistem deri në vitin 1997 është aplikuar në shtatë vende të botës si Gjermani, Hungari (me dy raunde), Itali (tashmë e ka ndryshuar), Zelandë e Re, Meksikë, Bolivi dhe Venezuelë. Ai është zbatuar përmes dy fletëve të votimit, ku njëra votë ishte për kandidatin e zonës elektorale (vota e parë) dhe tjetra (vota e dytë), për Listën Kombëtare të Përfaqësimit Proporcional të partisë.
***
Në Parlamentin gjerman (Bundestag) sot ka 656 vende, pa përfshirë vendet e mundshme shtesë. Çdo votues ka dy vota. Vota e parë është votë për individin, e cila jepet për kandidatin e partisë në një nga 328 zonat elektorale një emërore. Vota e dytë është një votë për partinë, e cila jepet për një listë të partisë në nivel të shtetit federal. Kandidatët lejohen të konkurrojnë në një zonë elektorale, si dhe njëkohësisht edhe në listën e partisë. Ata kandidatë që fitojnë shumicën e votave për individin në zonën elektorale, zgjidhen drejtpërdrejt (mandat direkt). Sidoqoftë, është vota e dytë, për Listën Kombëtare të Përfaqësimit Proporcional të partisë, që përcakton se sa përfaqësues do të dërgojë çdo parti në Parlament.
Në nivel nacional, të gjitha votat e dyta që janë për partitë mblidhen. Vetëm partitë që fitojnë mbi 5 për qind të votave në nivel nacional ose, alternativisht që kanë jo më pak se tre deputetë të zgjedhur drejtpërdrejt në zonat një emërore, konsiderohen në alokimin kombëtar të vendeve sipas listës së përfaqësimit proporcional. Numri i përfaqësuesve për secilën parti që ka kaluar pragun ligjor elektoral përcaktohet sipas një formule (kuota Hare) dhe më pas vendet alokohen brenda 16 shteteve federale. Numri i vendeve që fitohen drejtpërdrejt nga partia në zonat elektorale një emërore të një shteti përkatës federal zbriten prej numrit të përgjithshëm të vendeve të alokuara në listën e kësaj partie. Vendet e mbetura i caktohen partisë sipas një liste të mbyllur të saj. Kur një parti fiton më shumë vende drejtpërdrejt (mandate direkte) në një shtet federal të veçantë se sa numri i vendeve të alokuara për të nga votat e dyta, atëherë këto vende shtesë mbahen nga partia përkatëse. Në një rast të tillë, "numri tavan shpërthen" dhe numri total i vendeve rritet përkohësisht për legjislaturën përkatëse.
***
Sistemi gjerman nuk është sistem i përzier, siç supozohet shpeshherë, por një sistem i përfaqësimit proporcional (PP). Duke dhënë një produkt të lartë proporcional, ky sistem elektoral fabrikon mazhoranca të tilla, ku një parti fiton një mazhorancë absolute të vendeve në Parlament mbi një minorancë të votës popullore, që tingëllon e pabesueshme. Në fakt, në më shumë se pesë dekadat e fundit në Gjermani nuk ka ndodhur kurrë që të krijohen mazhoranca absolute qeverisëse. Mazhorancat në qeverisje zakonisht kanë qenë qeveri koalicioni, zakonisht stabël, ku çdo ndryshim në qeverisje ka qenë rezultat i ndryshimeve në konfiguracionin e koalicionit. Është e rëndësishme të evidentohet që marrëdhëniet ndërmjet qeverisë dhe opozitës në politikën gjermane janë më tepër konsensuale dhe bashkëpunuese se sa konfliktuale ose armiqësore. Kjo është më shumë rezultat i historisë dhe kulturës politike, se sa i sistemit elektoral në vetvete.
Deri më sot, sistemi elektoral MMP nuk ka treguar ndonjë mangësi të madhe në Gjermani. Ai ka pasur një qëndrueshmëri mjaft të gjatë dhe një nivel të lartë të legjitimitetit institucional; parimet bazë të tij kanë mbetur të pandryshuara që nga viti 1949. Sidoqoftë, janë bërë disa ndryshime të vogla të sistemit elektoral. Më kryesorja ndërmjet tyre ka qenë çelësi i kalimit në dy vota të veçanta në vitin 1953, sepse më parë votuesi kishte vetëm një votë për të vepruar si për zonën elektorale një emërore, ashtu edhe për alokimin nacional të përfaqësimit proporcional. Kohët e fundit sistemi elektoral është kritikuar për prodhimin e shumë vendeve shtesë pa kompensuar partitë e disavantazhuara në Parlament.
3. Disa konkluzione për sistemin e ardhshëm elektoral
Debati më i fundit, i iniciuar nga partitë e vogla, po zhvillohet rreth sistemit zgjedhor gjerman, duke synuar disa modifikime të tij. Mënyra se si po nxitet dhe zhvillohet një debat i tillë, që tashmë ka dalë nga periferitë e partive politike për t`u trajtuar në institucione vendimmarrëse, nuk lë shumë shpresë për të menduar se do të ketë një konsensus të gjerë dhe të shpejtë për projektimin dhe zbatimin e një sistemi që do të shmangte vullnetin e mbrapshtë të politikës së vjetër që ka pushtuar tërë spektrin politik, duke synuar të mbijetojë me çdo kusht në pushtet. Tezat e derisotme për sistemet e mundshme elektorale që hidhen e priten poshtë e përpjetë nga kushdo, deri nga "korifenj të politikës", që me papërgjegjshmëri e kanë çuar Shqipërinë në theqafjet elektorale të MegaDushkut, tregojnë për vështirësitë deri në pamundësi që do të shoqërojnë këtë proces.
Ajo çka mund të rezultonte nga analiza e mësipërme është se sistemet zgjedhore që përdoren, në fund të fundit janë rregulla që vendosin institucionet politike me sa më shumë konsensus për të realizuar garën elektorale për pushtet qeverisës. Një politikë është e ndershme kur zbaton këto rregulla, në të kundërt, ajo quhet politikë e korruptuar, që deformon deri në falsifikim rezultatin zgjedhor. Për këtë nuk e ka fajin sistemi, por partitë dhe institucionet e tjera kushtetuese që e shkelin atë dhe parimet e tij.
***
Sistemi elektoral ekzistues konsiderohet tërësisht i kompromentuar, sepse është dhunuar keqas dhe në mënyrë të përsëritur nga një politikë e vjetër, e korruptuar dhe pafundësisht diabolike. Për rrjedhojë, ky sistem elektoral nuk mund të përdoret më, ose të paktën nuk duhet të përdoret në gjendjen që është. Në këtë kontekst do të mund të konsiderohej i avantazhuar një ligj proporcional i pastër, që jo vetëm është tepër i thjeshtë në zbatim dhe do të eliminonte trafikimin e votave përmes një procesi MegaDushk, por edhe do të mund të siguronte përfaqësim më të garantuar dhe më të gjerë të kategorive dhe shtresave të ndryshme të shoqërisë, sidomos të gruas dhe të rinisë. Lista shumemërore e përfaqësuesve të partisë mund të paraqitet e hapur në shkallë kombëtare, apo edhe sipas rajoneve e shoqëruar me listë kombëtare, ku është vota e popullit që do të përcaktojë renditjen e fituesve në listën e çdo partie, për të korrigjuar elemente të renditjes sipas partitokracisë.
Nëse do të rikonsiderohet sistemi ekzistues për të ruajtur atë pjesë të vlefshme të përvojës së deritanishme, ai do të duhet të përafrohet me sistemin gjerman të vitit 1953, pra, zgjedhësi të përdorë vetëm një fletë votimi, që numërohet njëkohësisht si për kandidatin e drejtpërdrejtë në zonën elektorale, edhe për partinë që ai përfaqëson, për të eliminuar mundësinë e trafikimit të votave dhe të një procesi të ri MegaDushk. Megjithatë, është detyrë kardinale që bashkë me eliminimin e fletës së dytë të votimit të kryhet edhe largimi i politikës diabolike nga ky proces i reformës elektorale, e cila për hir të mbajtjes/marrjes me çdo kusht të pushtetit qeverisës, është në gjendje të deformojë çdo lloj sistemi zgjedhor, duke deformuar e korruptuar tërë shoqërinë përmes një mandate të re elektorale.