Dështimi në zgjedhje, Surroi jep dorëheqjen
Veton Surroi dha dorëheqjen dje nga ORA, që mbi të gjitha lidhet me emrin e tij. Pas dështimit të Partisë Reformiste për t‘u bërë pjesë e Kuvendit të Kosovës, Surroi dhe kryesia e partisë dorëzuan mandatet e tyre në Kuvendin e jshtëzakonshëm të partisë, që u mblodh për të bërë një analizë të hollësishme për arsyet që sollën humbjen e 20 mijë votave, krahasuar me zgjedhjet e vitit 2004. Partia Reformiste ORA nuk arriti të kalojë pragun prej 5% për të hyrë në Kuvend. Surroi u cilësua si humbësi më i madh i zgjedhjeve të 17 nëntorit. "Në çdo betejë, përgjegjësia kryesore i takon prijësit. Kështu që unë bart përgjegjësinë për humbjen në këto zgjedhje dhe çfarëdo analize që të bëhet nuk mund ta ndryshojë këtë përfundim", tha Surroi. Dorëheqja e tij habiti 200 delegatët e pranishëm në Kuvend, pasi Surroi këtë lajm, siç duket nuk kishte preferuar t‘ia bënte të ditur askujt më parë. Në sallë pati reagime, por lideri karizmatik u mundua që gjithçka ta kalonte më të qeshur. Ai bëri një analizë të hollësishme rreth humbjes. Gara politike u bë pa ndonjë ofertë, -tha ai, por në zgjedhjet e 17 nëntorit u rrit çmimi i politikës. "Çdo grup interesi i ka parë garuesit politike si agjentë të interesave të veta dhe anasjelltas", shtoi ai.
Surroi shpjegoi se si në vitin 2004, kur vendosi të krijojë partinë e tij, disa miq nga Shqiperia e udhëzuan me kujdesin më të madh të strukturojë partinë. "Por nuk arritëm të krijojmë një strukturë partiake që të fitojë zgjedhjet, madje as që të mund të ruante votat e fituara në zgjedhjet e kaluara, ku vetëm në një fushatë 60-ditëshe arritën të marrim shtatë ulëse në Kuvendin e Kosovës", tha Surroi. Ai e cilësoi si padrejtësi votën ndaj ORA-s gjatë zgjedhjeve të 17 nëntorit dhe me sinqeritet deklaroi se kishte shpresuar që në një sallë të tillë të festonte fitoren. Pasi paraqiti dorëheqjen e tij, Surroi i sugjeroi edhe gjithë kryesisë së partisë të ndërmerrte të njëjtin akt.
Fjalës së tij përfundimtare në këtë Kuvend dhe dorëheqjes së tij i ka paraprirë një raport i hollësishëm mbi analizën kritike të shkaqeve që sollën rezultatin e zgjedhjeve të 17 nëntorit, hartuar nga një komision tre anëtarësh, si dhe një debati të brendshëm partiak, që u zhvillua pa praninë e mediave. Një nga arsyet e dështimit, sipas raportit, ishte edhe angazhimi i dy figurave kryesore të partisë në procesin e statusit, duke lënë kështu pas dore partinë. Po nuk kanë munguar edhe analiza për tendenca të individëve që kanë vënë mbi të gjitha interesin individual apo përfshirjen e figurave të papërshtashme.
I pyetur nëse do të pranonte të udhëhiqte ORA-n edhe pas Kuvendit, Surroi tha se nuk dëshironte të paragjykojë. Por vështirë se në krye të kësaj partie mund të vijë një figurë tjetër.
Në zgjedhjet e 17 nëntorit, Partia Reformiste Ora fitoi vetëm 4 për qind të votave dhe nuk mundi të kalojë pragun zgjedhor për të hyrë në parlament. Në fund të muajit janar 2008, pritet të zhvillohet kongresi i partisë, ku do të zgjidhen edhe organet e reja. Që prej përfundimit të zgjedhjeve dhe lajmit për humbjen, surroi ka preferuar të shmangë kontaktet me mediat.
Raporti
Shkaqet që sollën humbjen
"Rënia për afër 20 mijë vota në totalin e votave të numëruara, krahasuar me votat e fituara në zgjedhjet e vitit 2004, ishte ngjarje befasuese dhe dëshpëruese për të gjithë ne", tha Nazim Jashari, i cili lexoi raportin. Sipas tij, tani ORA, si parti që ka humbur do të përballet me sfida më të vështira. Njerëzit rendin pas fituesve, kështu që ORA realisht do ta ketë të vështirë të ringrihet. Ajo nuk do të ketë më as fonde, që vinin nga pjesëmarrja në Kuvendin e Kosovës. "Prandaj nevoja për mobilizimin e të gjitha forcave të shëndosha e të vullnetshme të partisë dhe reformimi ynë i brendshëm shfaqen si domosdoshmëri për t‘i përballuar këto sfida dhe për t‘u gjendur sa më të gatshëm për zgjedhjet e reja, që nuk do të vonojnë", theksoi ai.
Si të meta të tjera në punën e kryesisë janë evidentuar edhe mungesa e kuorumit gjatë mbledhjeve të kësaj kryesie, këmbëngulja e pakët e kryesisë për zbatimin e disa vendimeve të saj, moskrijimi i mekanizmave për të mbrojtur autoritetin dhe dinjitetin e anëtarëve të kryesisë, mungesa e komunikimit të mirëfilltë me kryetarët e degëve, tendencat fraksioniste, si dhe mungesa e drejtpeshimit funksional të kryesisë apo siç është cilësuar ndryshe, fuqia shumë e madhe, shpeshherë dominante e kryetarit të partisë, në krahasim me pjesën tjetër të kryesisë.