Qeveria, pyjet dhe...Nju Jorku
Ministri ynë i Mjedisit shkoi para ca ditësh në Durrës, në një shkollë jopublike dhe mbolli një pemë. Nuk ka sigurisht asgjë të keqe të nisë muaji i pyjeve nga bregdeti, pasi dhe atje duhet të ketë, në mos pyje klasike ahu e pishe të zezë, të paktën pyje "elegante" prej pishe të butë, apo thjesht drurë dekorativë. Tjetër se nga Durrësi fare mirë mund të niste sezoni i plazhit, përndryshe turistik, kurse për "muajin e pyjeve" të shkohej mbase deri në Pukë apo në Stravaj të Librazhdit. Por a duhet të mbetemi vetëm këtu, te gjesti simbolik (ministror) i mbjelljes së një peme? A nuk ka shkuar ministri dhe para ca vitesh në Dajt, për të mbjellë gjithashtu një pemë? A thua ka ardhur koha për një tjetër "gjest" qeveritar, si projektimi dhe shpallja e një strategjie kombëtare për pyjet? Dhe nëse kjo gjë nuk ka ndodhur, të habit fakti se si në mediat tona, ku ka aq shumë spote publicitare edhe për gjëra krejt të vockla, nuk ka qoftë dhe një të tillë (spot pyjor, dru-mbjellës - quajeni si të doni) për një fushatë katërmujore, që do të përfshijë gjithë vendin? Apo me idenë e bukur të fushatës do të gdhihemi më 1 dhjetor, e po me idenë e saj do të ngrysemi më 30 mars?... Është i njohur gjesti publik, kur ministra e kryeministra vendosin gurin e parë të themelit në ndonjë objekt të ri, në sy të kamerave, dhe po ashtu, pas ca kohësh presin shiritin e përurimit mes shampanjës dhe duartrokitjeve të gëzueshme. Pa dashur të paragjykojmë, në këso objektesh, që si të thuash nuk kanë një "themel", ka ndodhur që paratë e shtetit të humbasin pa nam e pa nishan, në hapje kanalesh, rrugësh rurale, pastrime pyjore, prita malore etj.
Në Pukë, aty ku nuk bie kambana...
Prej 15 vjetësh nuk kishte asnjë lajm nga pyjet, nëse nuk do ta quanim thjesht lajm "pyjor" atë djegien masive të pyjeve këtë verë. Por më në fund, pylli i vdekur, sikur u bë i gjallë dhe na solli një lajm, atë se në Vlorë ishin prangosur nja shtatë punonjës pyjorë dhe administratorë firmash private që merreshin me shfrytëzimin e pyjeve... Ndoshta shqiptarët ishin duke pritur diçka më të fisme se prangat mbi pyllin, diçka shpresëdhënëse nga bota e drurëve, ndonjë mbledhje të qeverisë apo Kuvendit të Shqipërisë për të shpallur atë strategjinë kombëtare të pyjeve, nëse një strategji e tillë gjendet ndokund në zyrat e shtetit. Sidomos tani, pas epidemisë shkatërrimtare të sëpatës dhe flakëve mbi pyjet tona, ajo strategji është bërë një domosdoshmëri. Në projektet e qeverisë mbase do të këtë ndikuar sadopak dhe ajo fryma globale për mjedisin, ekologjinë, pyjet, ujërat etj. Në këtë vështrim, mund të ishte lajm se në Pukë, ku është dhe epiqendra pyjore e vendit, do të ngrihet një si Drejtori e Përgjithshme e Pyjeve, apo një si Ent Kombëtar i Turizmit, domethënë njëlloj nëndikasteri, që do t‘i qeveriste pyjet shqiptare bash prej aty ku ato lëshojnë hije dhe jo prej Tirane, e po prej andej të menaxhohej dhe projekti i (munguar) i turizmit malor... Kjo do të ishte më shumë se një mundësi për ta bërë Pukën të integruar në këtë shtet. Këtu nuk është fjala për të pasur ca zyra administrate në një zonë të braktisur, në një rreth të Shqipërisë, që nuk ka përse t‘i shuhet emri në kohë moderne, porse ama në kryeqytetin tonë është instaluar një kastë burokrate, që i ka humbur seriozisht lidhjet me atë Shqipërinë atje larg, atje "poshtë"...
Nju Jork: Njerëz, mbillni pemë!
Kur kryetari i Bashkisë së Tiranës mbolli para ca vitesh kumbullat e kuqe në "Rrugën e Kavajës", ndoshta pati dhe nga ata që nënqeshën. "Ne s‘kemi ende rrugë për të qenë, ky vete e na mbjell kumbulla në shëtitore"! Kurse sot ato pemë dekoruese nuk do t‘i jepnim për asgjë. Edhe pse zoti Rama ishte një kryetar socialist, zanatin e tij e "kopjuan" pa ngurrim në bashki e komuna dhe të djathtët, sa që tash tjetër është pamja në disa nga mjediset e qyteteve tona. Por tani së voni, Kryebashkiakun e Tiranës si duket e "kopjoi" dhe vetë kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Bloomberg, i cili pemën e parë të re në qytetin e tij, afër një kishe katolike, e mbolli vetë - një plep i bardhë me numrin një, me një kordon me ngjyrë të verdhë, ku është shënuar "ditëlindja" e atij plepi. Kryetari njujorkez njëherësh ka shpallur ambicien e tij për të mbjellë 1 milion pemë në 10 vjet, ku sipas planifikimit: 220 mijë pemë të reja do të mbillen në rrugë dhe 780 mijë të tjera nëpër parqe, shkolla e vende publike. Kuptohet që secili nga ne do të kishte dashur që një statistikë të tillë ta kishte në radhë të parë për vendin e tij dhe kaq pemë, sigurisht jo në një vit, por në dhjetë vitet e tij në kabinetin qeveritar (në të majtin dhe tani në të djathtin), t‘i kishte mbjellë dhe ministri ynë i Mjedisit, jo vetëm në shëtitoret e vendit, por dhe në pyjet e Shqipërisë. Në Nju Jork nuk kemi dëgjuar për ndonjë zjarr shkatërrues, siç kemi pasur fatin e keq të digjemi ne, sidomos kësaj vere zhuritëse, megjithatë kryetari i atjeshëm e ka projektin për dhjetë vjet, kurse qeveria "Berisha" nuk dimë të kenë ndonjë projekt ambicioz afatgjatë për mbjelljen e fidanëve pyjorë, përpos se për këtë sezon. Nuk besojmë se kjo lihet për të mos i përngjarë kohës së Enverit... Duke mos pasur droje se na veshin ndonjë epitet "nostalgjik", po sjellim një detaj: kohët e fundit disa të huaj na pyetën se si ishin bërë këto pyjet e pishës së butë në zonat e ulëta të vendit, deri në bregdet. Pa qenë specialistë, pa iu thënë shifra e vënë përpara harta, thjesht iu thamë atyre të huajve atë që kishte ndodhur, që ato pyllëzime ishin bërë dikur nga shteti me investime, aksione etj. "Përse nuk i bëni dhe sot këto gjëra?" ishte pyetja e tyre. Ne rrudhëm supet, nuk ishte zanati ynë, u përgjigjëm se kur të vinte puna, sugjerimin e tyre, natyrisht dhe tonin, do ta hidhnim në shtyp, se mos binte në vesh të qeverisë.
Qeveria shpall programin e sezonit pyjor
Kohë më parë ishte dhënë alarmi se po vdiste pylli i famshëm i Robin Hudit, Shervud-i, ku pemët e lashta prej shekujsh nuk qenë zëvendësuar me të reja, dhe sigurisht ky ishte një shqetësim i madh për britanikët, pse jo dhe për letërsinë e saj, që kështu po humbiste një nga magjitë e saj të shtatëqind vjetëve më parë. Kurse te ne pa kurrfarë "kushtrimi" për t‘i shpëtuar drurët gjyshër, ata bien nga rrufeja, sharra dhe sëpata, rrape, rrobuj, ullinj njëmijëvjeçarë, rënia e të cilëve nuk është më pak se rrëzimi i një muri kalaje. Në "katastrofën" ekologjike, ngrohjen apo ftohjen globale që ka përfshirë planetin, njerëzit nuk kanë si të mos preokupohen seriozisht për mjedisin, ekologjinë, pyjet, burimet, ku në këtë kontekst nuk është i rastit as çmimi "Nobel" që këtë vit shkoi tek Al Gore... Problemi është se nuk po shihen punë të mbara për shpëtimin e këtij planetit tonë të vogël, Shqipëri, ku drurët do të ishin shpëtimtarët kryesorë të mjedisit, dhe se kjo nuk mund të bëhet vetëm në fushata sezonale. Sidoqoftë, dikasteri përkatës ka parashikuar të mbillen 450 mijë copë fidanë pyjorë, halorë dhe fletorë, më shumë se gjysma e tyre në pyjet komunale. Fushata e sivjetshme synon rritjen e ndjeshmërisë për shtimin e sipërfaqeve të gjelbëruara, lulishteve, parqeve, mjediseve me pemë dekorative në shkolla, institucione, reparte ushtarake dhe të pyjeve në tërësi si pasuri kombëtare. Investimet do të kapin shifrën 148 milionë lekë nga buxheti i shtetit dhe donatorët. Do të mbillen 500 ha pyje, kurse përmirësimet pyjore do të shtrihen në 2250 ha. Të shkon mendja se njerëzit gjithandej, këtij dimri, do të mbajnë në duar më së shumti ca "flamuj" të blertë, si fidan-mbjellës të dalluar, ani se nuk e dimë se ku i kemi fidanishtet?!... Pritëm më kot që në këto ditët e para të dhjetorit të kishte ndokund ndonjë gjurmë pune, por asnjë kronikë deri tani se vërtet diku po punohet për ta kthyer programin shtetëror të fushatës në bimësi pyjore!... Ndoshta qeveria e ka vetë ndërmend të na thotë, përgjatë apo në fund të fushatës, se cili qe bilanci i realizimit të projekt-programit të saj katërmujor në fushën e pyjeve, por mbase dhe opozita do të na bëjë me dije, nga ana e saj, mbi suksesin (apo dështimin!) e këtij investimi dhe kjo jo për të ndjellë për keq, po se në Shqipëri është e njohur praktika e të qenit në rregull me "letrat", kurse në terren fondet për investime shpesh përhumben në humbellat e tranzicionit...