E Diel, 1 Nëntor 2026

Në emër të popullit, jo vetëm në Shqipëri

-"Riçard, ç‘mendon, ç‘është ferri?

-"Ferr do të thotë të rrish vetëm në errësirë, duke kujtuar të këqijat që ke bërë", u përgjigj Riçardi.

Në Rumaninë e viteve ‘48 Sabina ia bënte këtë pyetje të shoqit, pastor, pasi kishin kaluar një mbrëmje me miq, ku me vështirësi kishin mundur të shmangnin bisedat për komunizmin. Mëngjesin e ditës tjetër, gruaja nuk do ta gjente në kishë të shoqin, ashtu siç e kishin lënë kur kishte dalë në mëngjes nga shtëpia. Do ta priste deri në mesditë, kur Riçard duhet t‘i vinte kurorë një çifti të ri, por ai nuk erdhi. "Mos u brengos", i tha Solhaimi (një tjetër pastor) "Kurrë nuk mund të dish për Riçardin. A të kujtohet kur ishim në kamp veror dhe shkoi për të blerë gazetën në mëngjes, kurse pastaj në drekë telefonoi për të thënë se nuk do të vinte për të ngrënë mëngjesin?"

Por Sabina e ndiente se kjo nuk ishte një "shaka" e zakonshme e të shoqit. "Do të jemi të pamëshirshëm ndaj armikut të klasës", kjo fjali që e kishte lexuar rrugës për në kishë mbi një fasadë pallati nuk e linte të qetë.

Për ditë me radhë më pas do të endej kudo për ta kërkuar atë. Do të dëgjonte fjalë se Riçardin e kishin çuar në Moskë. "Por unë nuk mund të besoja se ai ishte zhdukur nga jeta ime. Për çdo mbrëmje përgatisja ushqimin dhe ulesha pranë dritares. Mendoja se do të vinte natën. Ai nuk ka bërë asgjë. Së shpejti do të lirohet. Komunistët nuk mund të jenë më të këqij se fashistët, të cilët gjithnjë e lironin pas një apo dy javësh. Ai nuk erdhi. E mbështeta ballin në mur dhe qava. Shkova vonë për të fjetur, por nuk mund të flija", kujton ajo.

Por Riçard, ashtu si herët e tjera, ishte pjesë e sulmit politik, ndaj një njeriu që kryente një shërbesë fetare kundër rregullave të kohës. Sabina nuk besonte asgjë. Nuk besoi as përgjigjen e ambasadorit kur i tha se "Kemi informata se pastor Vurmbrandi është arratisur jashtë vendit me një valixhe plot dollarë, që i ishin besuar si ndihma për të varfrit. Thonë se gjendet në Danimarkë". As të panjohurin që i trokiti një mbrëmje në derë duke i thënë: "Kam takuar burrin tuaj. Unë jam gardian, mos më pyet se në cilin burg. Po unë i çoj ushqimin dhe ai më ka thënë se ju do të paguani nëse ju jap lajme për të".

Ajo i dha një çokollatë nga rezervat e ndihmave, duke i thënë "Çojani këtë Vurmbrandit dhe më sillni një lajm me nënshkrimin e tij".

Pas dy ditësh njeriu u kthye. Hoqi kapelën, preku astarin dhe i dha letrën e çokollatës. Ku ajo lexoi: "E dashur grua - të falënderoj për ëmbëlsirën. Unë jam mirë Riçardi".

Ishte shkrimi i tij. I guximshëm dhe i qartë, i vendosur dhe megjithatë i shqetësuar. Për Sabinën ishte e pamundur të gaboje kthjelltësinë e stuhishme të atyre rreshtave.

Këto janë vetëm disa momente të shkëputura nga kujtimet që Sabina Vurmbrand do t‘i shkruante vite më vonë në zyrat qendrore në Oklahoma. Me një jetë të vështirë mbi shpinë, Sabina i ktheu kujtimet e saj në dëshmi të gjalla të vuajtjeve të mijëra njerëzve në kampet famëkeqe rumune. Ǒështë komunizmi? "Sigurisht jo vetëm një ndjenjë", do të shprehej Sabina, por një gabim i historisë të cilën ajo e përshkruan deri në detaje, si një mënyrë për të treguar se nuk mund të gabohet përsëri. Nuk është vetëm roli i saj si e krishterë ajo që udhëheq kujtimet e kësaj gruaje të shkruara me aq dashuri. Ajo lë mënjanë besimin e saj, e bindur se këto kujtime do të bien në duart dhe të atyre që nuk e kanë lexuar biblën, apo që nuk kanë shkuar në kishë. "Ajo u besoi jetën e saj njerëzve, e bindur se gjithnjë ia vlen të rrezikosh për diçka ku beson", shkruajnë mediat për librin e saj "Gruaja e pastorit".

Por cila është historia e Sabina Vurmbrand, gruas që vazhdon të tronditë me dëshmitë e saj për komunizmin, të botuara në librin "Gruaja e pastorit". Ky libër ka ardhur në gjuhën shqipe nën përkthimin e Tom Pergjokajt.

Qëkur komunizmi erdhi në pushtet në Rumani, çifti Vurmbrand u zhyt në sistemin ateist dhe të dy burrë e grua u dërguan në kampet e punës. Një nga akuzat që rëndonin ndaj tyre, pas çdo arrestimi ishte besimi fetar, vendosja e biblave në duart e ushtarëve në Rumani. Sabina Vurmbrand u burgos për tre vjet në vitin 1951 dhe u detyrua të punonte në një punë rraskapitëse duke gërmuar gjithë ditën për kanalin mes Danubit dhe Detit të Zi, një projekt stalinist që kishte për qëllim rraskapitjen dhe shkatërrimin e të burgosurve politikë. Ajo ndenji aty për tre vjet gjatë të cilave u ushqye me bar për të përballuar urinë. Kur e lanë të lirë ajo ndenji për një kohë të gjatë në arrest shtëpie. Asaj iu ofruan disa favore me kusht që të mohonte të shoqin dhe biblën, çka ajo refuzoi që ta bënte. Por burrë e grua u lanë të lirë pas një pune të madhe të lobit të Kishës Protestante në Norvegji dhe u detyruan që të emigronin në vitin 1966. Së pari, Vurmbrand duke qenë hebrenj sigurisht që donin të vendoseshin në Izrael, por në mënyrë ironike edhe shteti i Izraelit ua refuzoi lejen për shkaqe fetare. Atëherë ata zgjodhën të shkonin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku iu bashkuan "Misionit Kristian në Botën Komuniste", i cili më vonë mori emrin "Zëri i martirëve".

Në zyrat qendrore në Oklahoma, Sabina do të niste të shkruante kujtimet e saj të burgut, duke përshkruar në këtë libër kushtet çnjerëzore të burgjeve dhe kampeve të punës në Rumani. Ja një moment i përshkruar në kujtimet e Sabinës: "Vishuni!" U desh të vishemi në praninë e gjashtë burrave. Ata shkelnin mbi sendet tona. Herë pas herë bërtisnin, sikur donin të inkurajonin njëri-tjetrin të vazhdonin bastisjen e pakuptim. "Nuk doni të tregoni ku i keni fshehur armët!"... "E vetmja armë që kemi në këtë shtëpi është kjo". Dhe mora një Bibël nga dyshemeja. Qafëdemi ulëriti: "Do të vini me ne për të bërë një deklaratë me këto armë! "Unë vura Biblën mbi tavolinë dhe thashë: "Ju lutem, na lejoni të lutemi për një çast. Pastaj do të vij me ju".

Në prill të vitit 2000, vetëm pak muaj para se të ndahej nga jeta

Sabina Vurmbrand e rrëfente historinë e saj në një intervistë televizive. Kishte veshur një fustan blu, me lule të vogla, ndërsa në flokët e thinjur kishte vendosur një shami të bardhë. Gjatë gjithë intervistës ajo i mban duart e kryqëzuara, ndërsa kamera fokuson herë pas here bibliotekën e madhe me libra një vazo me lule, shumë pranë kornizave me foto të familjes. Në një kënd ndodhet dhe fotografia e Riçard.

Jeta mund të jetë më e gjatë jo vetëm nëpërmjet fotove, por edhe nëpërmjet fjalëve. Kjo ishte motoja ku besonte Sabina, teksa hidhte mbi letër një jetë mes dhembjesh.

Ajo vdiq në Kaliforni, pak pas takimit të fundit me gratë rumune që kishin qenë në kampin famëkeq. Mënyra sesi kritika e ka pritur librin e saj në të gjithë botën, tregon se e shkuara dhe në këtë rast komunizmi vijon të jetë një histori në të cilën njerëzit kërkojnë të zhyten, për të kuptuar filozofinë e një procesi që e ofronte njeriun aq shumë me vdekjen. Një proces që Sabina e ka dhënë në mënyrën e saj, një proces që është aq i gjallë në kujtesën e njerëzve edhe këtu në Shqipëri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›