Një "Përpjekje" për të 24-ën herë
Këto ditë ka dalë në tregun e librit numri i 24 i revistës "Përpjekja", një e përtremuajshme, që edhe pse vitet e fundit nuk ka mundur ta respektojë këtë normë periodike, ka mbetur po me atë pushtet dhe potencë të pazbehur te lexuesi. Dhe, fillimisht, duhet theksuar se kur është fjala për "Përpjekjen", jo domosdoshmërisht duhet seleksionuar lexuesi. Ajo sa është një revistë që u afrohet stadeve elitare, nuk lë në injorim edhe stadet e lexuesve më pak të kualifikuar dhe është kjo arsyeja që "Përpjekja" renditet si ndër revistat më prestigjioze për nga serioziteti dhe fryma që përcjell në të gjithë historinë mediatike të 17 viteve pas rënies së komunizmit. Jashtë çdo elementi komerc, e mbetur e pakorruptuar nga asnjë aspekt abuzivist, revista ka mbetur ashtu si në fillimet e saj një ftuese për çdo kënd një lloj dialogu, debati, proces hapjeje dhe njohjeje me historinë, botën dhe kryesisht me vetveten. Për herë të parë, që nga numri i parë e të gjithë të tjerët në vijim, revista "Përpjekja" ka trajtuar tema tejet tabu (e theksojmë, jo për shkak të tendencës për komerc), por për një tjetër kut të të parit të vetes dhe historisë sonë si shqiptarë. Me shkrimet e saj, ku përfshiheshin pena të njohura të publicistikës, historisë, gjuhësisë, shqiptarë apo të huaj, "Përpjekja" u shndërrua shpejt në një dritare të pangashme në llojin e saj, nga ku mund të shihje nga një tjetër dritë njeriun si qenie, njeriun shqiptar, historinë e tij, paradokset, gënjeshtrën ku është mbërthyer, ngritjet e rëniet pa lavdi e shumë e shumë aspekte të errëta të patrajtuara më parë. Këtë lloj pamëshirësie, si frymë në trajtimin e fenomeneve për të shkuar te e vërteta e akullt mbi atë çka kemi qenë, çka jemi e ç‘duhet të jemi, themeluesi, botuesi dhe editori i saj, Fatos Lubonja, e ka lajmëruar që në numrin e parë dhe këtë koherencë e ka mbajtur të pacenuar në 14 vjet radhazi deri në numrin e fundit, që është i 24-ti. Edhe në këtë numër, Lubonja ka gjetur simbolikisht një titull, që përmbledh simbolikisht frymën e shkrimeve të përzgjedhura. Por, kësaj herë nuk është titull, por citat: "Njerëzit që mungojnë sot duhen krijuar dhe ata që flenë duhen zgjuar". Me këtë thirrje, Lubonja ka udhëhequr editorialin e tij hyrës me titull "Përpjekja jonë". Aty, ai trajton dy shkrime jo të zakonta të Vangjel Koçës dhe Tajar Zavalanit, si një lloj polemike e këtyre dy personaliteteve, ndodhur në shtypin e kohës mbi 70 vjet më parë, në atë që konsiderohet periudhë e artë e mendimit publicistik shqiptar, ose një lloj "Rilindje e dytë kombëtare". Dy shkrimet e tyre origjinale janë botuar pas përsiatjes së Lubonjës, i cili e sqaron arsyen e saj kur shkruan: "...sepse duke lexuar ato, nuk mund të mos mendosh për kohën tonë e të konstatosh se edhe pas katër brezash, Shqipëria e sotme e fillimshekullit XXI ka shumë karakteristika të ngjashme me atë periudhë".
Më pas, përmbajtja e "Përpjekjes" vijon me një tjetër shkrim të Lubonjës të titulluar "Blloku" (pa nostalgji), një lloj historie e kombinuar me përsiatjet e komunizmit dhe e paskomunizmit shqiptar, parë nga historia e asaj zone emblematike në zemër të Tiranës, që është quajtur e që vijon të quhet Bllok. Ja një "copëz" nga shkrimi: "Sikur diktatori Hoxha të zgjohej nga gjumi i përjetshëm, që e zuri ditën që vdiq më 11 prill 1985, pamja që do t‘i shfaqet sot sapo të dalë në dritare, janë ‘Buda Bar‘, ‘Bar Insomnia‘ dhe hotel ‘Grandi‘. Ata ndodhen mu përballë dritares së dhomës së tij, në vilën ngjitur me të Bellotit ku thuhet se vdiq, bash atje ku ishte parku me pisha e berlioza, që mbronte vetminë e tij në anën jugore të vilës. Dhe do t‘i duket se po sheh më të përçudnuarën e ëndrrave që ka parë ndonjëherë; më të mbrapshtën e fantazmave të armiqve, që i prishin gjakun përditë e përnatë". Të 123 faqet e "Përpjekjes" kanë më pas në brendësi të saj, shkrime me karakter analitik në lëmin e historisë, gjuhësisë dhe politikës, si edhe krijime të mirëfillta letrare, apo rrëfime udhëtimi, siç është ai i dyshes Anna Di Lellio dhe Stephanie Schwandner-Sievers me titull "Udhëtimi i shenjtë drejt kombit; ndërtimi i një faltoreje në Kosovën e pasluftës". Nga cikli "Ndërgjegje historike", në numrin e fundit të "Përpjekjes", veçohet punimi i studiuesit Enis Sulstarova me "Jetë paralele?" Idetë e Zija Gëlkapit dhe Branko Merxhanit mbi kombin dhe modernizmin, si dhe punimi i Artan Putos, që është dhe një nga përgatitësit e revistës së bashku me Fatos Lubonjën dhe Eldon Gjikën, me titull "Ligjërimi i kombit në shkrimet e Faik Konicës". Ndërsa Eldon Gjika, që lëvron çështje gjuhësore, në këtë numër prezantohet me punimin "Ploja e Mbrame", si shembull i evoluimit të zhanrit dramatik në letërsinë shqiptare. Nga dr. Hysni Matoshi është botuar punimi "Logjika dhe gjuha e teksteve tona universitare". Ndërsa një vend i veçantë në numrin e fundit të "Përpjekjes" i është lënë edhe mendimtarit të madh italian me dimension universal, Umberto Eko, me punimin e tij të titullar "Mbi stilin".
Botuesi Lubonja nuk e ka fshehur asnjëherë që me sakrificë financiare arrin ta botojë revistën dhe t‘i përmbahet rregullit të katër numrave në vit. Në këtë kontekst, interesant është një shënim i vogël pas kopertinës në faqen e parë: Botimi i këtij numri u bë i mundur në sajë të çmimit grant dhënë nga MKRTS-ja.