E Diel, 1 Nëntor 2026

Pakistan, kaosi që la pas Buto

Kur Benazir Buto tentoi të shkonte e të fliste para njerëzve, nëntorin e kaluar në parkun e Raëalpindit, ku edhe humbi jetën pak kohë më vonë, e pa veten të rrethuar nga ushtarë e tela me gjemba. Presidenti Musharaf i kishte ndaluar takimin me besnikët e partisë së saj në një qytet që konsiderohet si më të rrezikshmit e të gjithë vendit, por në të cilin kishte selinë partia e Butos. Edhe vetë Musharaf, pavarësisht se ishte shumë i mbrojtur dhe deri para pak kohe edhe shefi i ushtrisë së fuqishme të Pakistanit, e kishte pësuar disa herë personalisht nga atentatet e dështuara dhe e kishte shumë të qartë se nuk mund t‘u besohej shumë njerëzve të veshur me uniforma, gradave e pushtetit, në gjoksin e të cilëve rreh me forcë zemra e militantëve të Xhihadit Islamik. Pikërisht pak metra më tutje vendit ku ish-kundërshtarja e tij e fuqishme politike humbi jetën disa javë më parë, vetë Musharaf ishte përballur me disa atentate të dështuara. Disa kanë qenë goditje kamikazësh, të tjerë gjuajtje snajperësh. Kjo klimë eliminimesh fizike është e shtrirë dhe e përhapur në Pakistan dhe shumë persona me influencë, sidomos në radhët e ushtrisë dhe politikës janë ndjerë dhe ndihen të kërcënuar me jetë.

Por me vrasjen e Benazir Butos, Pakistani përjetoi ndoshta momentin dhe njëherazi kthesën më vendimtare në rrugëtimin e tij të vështirë, e shpesh të përgjakshëm drejt demokracisë. Jo pa qëllim, menjëherë pas atentatit, zgjedhjet e përgjithshme të parashikuara për t‘u mbajtur më 8 janar dhe për të garantuar suksesin e Benazir Butos janë shtyrë për më vonë përmes vendimit të marrë nga një organ zgjedhor, i cili ka shumë varësi nga qeveria dhe vetë Presidenti i vendit. Tri ditë pas atentatit, Pakistani rrezikoi luftën civile: trenat, avionët, makinat ndalën së lëvizuri, dyqanet u mbyllën, gjithashtu edhe bankat nuk funksiononin më, as jepnin dhe as merrnin para, skedat elektorale u dogjën dhe rrugët ishin mbushur me policë e civilë të vrarë. Pas vdekjes së Butos gjërat kanë shkruar në zgrip në një vend që është në një pozicion shumë delikat edhe për sa i përket paqes dhe stabilitetit të të gjithë rajonit. Në radhë të parë është lufta kundër "Al Kaedës" në Afganistanin fqinjë. Personat e armatosur e të paidentifikuar, gati për t‘u martirizuar pa kurrfarë problemi, demonstruan se janë ende të fuqishëm edhe në një vend si Pakistani ku ligjin e bën ushtria dhe gjithë forcën e ka në dorë ajo. Mbi 700 ushtarë pakistanezë kanë humbur jetën përgjatë kufirit në 6 muajt e fundit, pas tragjedisë së xhamisë Rosë të Islamabadit, një tjetër episod kyç ky në historinë e njërit prej vendeve më të rrezikshëm në botë, ashtu sikurse vetë Buto e kishte përcaktuar para se të vdiste në vendin e saj. Sigurisht që liderja e Partisë Popullore e dinte mirë që ishte prej kohësh në shënjestrën e shumë grupeve të interesit, të cilëve rishfaqja e saj u kishte prishur punë, duke filluar që nga fondamentalistët myslimanë që shihnin tek ajo zgjatimin e dorës së Uashingtonit dhe alternativën ndaj pushtetit absolut të Musharafit. Të nesërmen e vrasjes së Butos, kandidatja për Presidente e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Hilari Klinton, e cilësoi menjëherë qeverinë e Musharafit si "pak të besueshme", duke kërkuar një verifikim të mëtejshëm të shkaqeve dhe shkaktarëve të atentatit, pavarësisht hetimit shtetëror të nisur nga organet pakistaneze. Por shumë para atentatit Shtëpia e Bardhë kishte shprehur pakënaqësinë e saj ndaj sjelljeve gjithnjë e më të shkëputur të liderit pakistanez, i cili po synonte që të mbante nën një kontroll absolut gati diktatorial këtë pjesë shumë delikate të botës. Gjendja e jashtëzakonshme e shpallur nga Musharafi më 3 nëntor, arrestimi i gjykatësve të Gjykatës së Lartë, dënimi e shtypja ndaj të gjithë opozitarëve, si dhe shkelja flagrante e të drejtave të njeriut, e kishte bërë Uashingtonin të kuptonte se të gjitha marrëveshjet e bëra me Musharafin po shkeleshin njëra pas tjetrës dhe se ai sa vinte e po bëhej më i pakontrollueshëm. Musharaf iu bind me shumë vështirësi dhe me pakënaqësi kërkesës së Uashingtonit për ta lënë Buton të hynte sërish në vende pas një mërgimi të gjatë dhe për hir të së vërtetës pritja që iu bë Butos nuk ishte aspak miqësore që në fillim, duke qenë se ardhja e saj u shoqërua me dy atentate të mëdha dhe vrasjen e mbi 100 personave. Por trashëgimtarja e dinastisë Buto nuk u tërhoq aspak nga planet dhe objektivat që e risollën në vendin e lindjes. Në lidhje me dy atentatet e para ajo e kundërshtoi tezën e qeverisë se ato ishin vepër e "Al Kaedës", duke kërkuar hetime për përfshirjen e qeverisë në të. Duket se edhe atentatin e fundit që i mori jetën, Buto e ka parathënë në njëfarë mënyre. Në një letër që i dërgonte një senatori në Uashington dhe një gazetareje të CNN, Buto ishte shprehur shumë qartë: "Nëse do të më ndodhë ndonjë gjë, dijeni se Musharaf do të jetë përgjegjësi". Në këtë frazë, por edhe në të tjera që ajo u pat thënë miqve të saj, ka shumë më tepër se një akuzë, e saktë dhe e qartë ndaj Musharafit dhe njerëzve që e mbështesin. Ai ishte njeriu që në fillim nuk donte ta pranonte në atdhe, më pas e priti me dy atentate dhe më në fund i erdhi edhe vrasja. Në fakt gjërat janë shumë më të thella. Sipas asaj çka vetë Buto ka deklaruar, autorët e vërtetë të sulmeve, por edhe ndoshta të vetë ekzekutimit të saj, janë ushtarakët e lartë dhe shërbimet sekrete të vendit. Ushtria pakistaneze është ndër më të fuqishmet në të gjithë Azinë, një ushtri e pasur, e pajisur mirë dhe shumë e centralizuar. Të tilla janë edhe shërbimet e fshehta. Pa ardhur ende në vendin e saj, Buto i ka përshkruar këto dy organizma si mandatarët e vërtetë të terrorizmit në Pakistan, madje akuzat shpesh i ka mbështetur me emra dhe mbiemra konkretë: "Nga burime të mirëbesueshme jam paralajmëruar se ndodhem nën shënjestrën e personave që duan të pengojnë procesin demokratik, madje di edhe emrat e personave që janë dërguar për të më vrarë, duke organizuar atentate. Kam dyshimet e mia se këta persona ndodhen në qarqet më të larta të pushtetit të sotëm, të atij pushteti që kërcënohet nga ardhja ime në mënyrë të drejtpërdrejtë. Ndërkohë pas masakrës së parë, ku humbën jetën 140 vetë dhe Buto shpëtoi pa u dëmtuar, ajo u shpreh: "Duket shumë i dyshimtë fakti që dritat e rrugës ku ndodhi atentati u shuan pak para sulmit. Kam dyshimet e mia për zhvillimin e hetimeve nga ana e zëvendësprokurorit të përgjithshëm, i cili është një nga njerëzit që do të rrezikohej seriozisht po të vija unë në pushtet".

Dyshimi se akuzat e saj e kishin një bazë të vërtetë është rishfaqur edhe pas atentatit që i mori jetën lideres së Partisë së Popullit, pikërisht në parkun kushtuar babait të saj, i vrarë gjithashtu. Një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme e ka mohuar rrethanën se shkaku i vrasjes së Butos është vrasja nga një goditje që ka ardhur në afërsitë e saj, pavarësisht një videoje të transmetuar, në të cilën duket fare qartë një person që ndodhej pranë Butos me armën drejtuar asaj. Vetë policia e ndaloi momentet e para autopsinë, duke iu përmbajtur tezës së zëdhënësit të ministrisë dhe duke i mëshuar tezës se vdekja erdhi nga përplasja e kokës në tokë. Sipas kësaj teorie nuk bëhet fare fjalë për një atentat, por Buto është viktimë e goditjes së disa ciflave të një bombe të plasur aty pranë dhe goditja e tyre e ka rrëzuar e përplasur e si pasojë i ka sjellë vdekjen. Por këtë version e kanë kundërshtuar shumë dëshmitarë që kanë qenë aty në momentin e vrasjes së Butos, të cilët dëshmitë e tyre i kanë shoqëruar edhe me pamje filmike. Këto përplasje kanë ngjallur inatin e njerëzve, një inat që është gati të shpërthejë nga momenti në moment dhe që mund ta çonte vendin në një situatë shumë të rrezikshme, pikërisht para zgjedhjeve, të cilat vetëm një sebep duan për t‘u shtyrë sërish. Por një gjë e tillë, sipas të gjitha parashikimeve, do ta çonte vendin me siguri në luftë civile. Për sa i përket shtyrjes aktuale, ajo u justifikua nga mospërgaitja e organeve përkatëse për procesin zgjedhor, por sipas shumë analistëve, thonë se shkaku i vërtetë është frika e madhe që ka Musharaf nga fitorja e partisë së kundërshtares së tij, tashmë të vrarë. Vdekja e Butos do t‘i rriste në maksimum shanset e fitores për Partinë Popullore. Madje jo vetëm trashëgimtarët e Partisë së Butos do të dilnin të fituar nga zgjedhjet, por do të kishte shans për një numër të konsiderueshëm votash edhe ish-kryeministri i vendit, Naëaz Sharif, i cili mund të fitonte 20% të elektoratit, çka nuk është pak.

Sharif është protagonisti i tretë vendimtar i kësaj faze të politikës dhe historisë së Pakistanit. Historikisht armiqësor ndaj ish-gjeneralit Musharaf, i cili në vitin 1999 e privoi nga poltrona e Kryeministrit dhe e përzuri nga vendi, Sharif e ka thënë hapur se nuk do të donte që të qeveriste nën Musharafin si President të Pakistanit. Edhe ai pret mbështetje nga jashtë. Mbështetja kryesore i vjen nga Emiratet Arabe që i imponuan Musharafit rikthimin e tij në Pakistan. Mundësia e një aleance të tij me partinë e Butos, e cila aktualisht qeveriset nga i biri dhe i shoqi i saj, do të thoshte një fund qeverisjeje për Musharafin. Megjithatë është herët për tw parathënë rezultate, pasi Pakistani është kaotik dhe i paparashikueshëm. Ajo çka për momentin mban zgjuar vëmendjen e të gjithëve është situata që mund të shpërthejë dhe mbajtja e zgjedhjeve sa më shpejt. Deri atëherë mund të ndodhin shumë aleanca, shpërthime të tjera e të papritura që do t‘ia ndryshonin rrjedhën ngjarjeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›