"Nënë Tereza" në borxh me mbi 3 milionë euro
Është plot 3 milionë euro fatura e borxhit që spitali "Nënë Tereza" u ka subjekteve të ndryshme për furnizime apo për shërbime spitalore. E gjithë kjo shumë apo të ardhura të prapambetura janë para, të cilat spitali u detyrohet subjekteve të ndryshme për barna, për pajisje të tjera shëndetësore apo për servise të aparaturave. Një vit më parë, kjo shumë ka qenë 7 milionë euro, por për rreth 12 muaj spitali ka arritur t‘i shlyejë gjysmat, ndërsa i mbetet të shlyejë edhe gjysmat e tjera, në rast se fatura e borxhit nuk shtohet gjatë periudhës në vijim.
"Në muajin mars të vitit 2007, QSUT kishte rreth 7 milionë euro detyrime të prapambetura, detyrime këto që llogariten që në vitin 2003. Në fund të vitit 2007, drejtoria spitalore ka shlyer 4 milionë euro detyrime. Për 9 muaj janë shlyer borxhet që nuk kanë arritur të paguheshin brenda 4 vjetëve", sqaroi zyrtarisht QSUT-ja. Sipas të dhënave të zyrës ekonomike, tashmë spitalit i mbeten edhe 3 milionë euro për t‘i dhënë fund listës së borxhit.
Prapambetjet
"Gjatë vitit 2007, një vëmendje e veçantë, krahas ndjekjes së shpenzimeve buxhetore, sipas planit të miratuar, i është kushtuar edhe uljes së detyrimeve të mbartura nga vitet e kaluara (2004, 2005, 2006), duke e zbritur këtë detyrim në masën 350 milionë lekë", sqaron QSUT-ja. Sipas llogaritjeve, këto shpenzime të pafinancuara brenda vitit, përballoheshin nga fondet e buxhetit të vitit pasardhës ushtrimor dhe kjo ka çuar në mbartje të detyrimeve të prapambetura nga viti në vit.
"Kjo ka krijuar jo vetëm vështirësi financiare, por edhe vështirësi praktike në likuidimin e tyre, pasi edhe gjetja e dokumentacionit ishte shumë e vështirë", sqaron administrata.
Sipas analizës së detajuar të vitit 2007, në totalin e fondeve të akorduara për vitin e kaluar, në zërin blerje dhe shërbime, peshën më të madhe rreth 70 për qind të fondeve buxhetore e përbën zëri "Ilaçe dhe materiale mjekësore". E thënë në shifra, në vitin 2007 janë paguar gjithsej 1 714 159 455 lekë ilaçe, nga të cilat 1 340 269 000 lekë detyrime të vitit 2007 dhe rreth 400 000 000 lekë të prapambetura.
Zgjidhja dhe të ardhurat
Zgjidhjet, të cilat janë menduar për t‘u shlyer borxhet, janë nëpërmjet fondit të shtetit. Një pjesë e parave të dhëna nga shteti për QSUT-në do të kalojnë për shlyerjen e "huas". Gjatë këtyre ditëve po planifikohet shlyerja nëpërmjet parave të akorduara nga Këshilli i Ministrave.
Një metodë e cila është diskutuar si zgjidhje është edhe fondi i të ardhurave dytësore. Këto të ardhura janë paratë të cilat grumbullohen nga spitali në sajë të pagesave kryesisht të pacientëve, të cilët nuk janë të pajisur me sigurime shëndetësore. Një vendim i Këshillit të Ministrave i kërkoi spitalit që këto fonde të përfituara të kalojnë në arkën e shtetit dhe jo në atë të spitalit. Në këtë mënyrë, këto para nuk mund të shkojnë as për shlyerje, as për investime e as për shpërblime. Para më shumë se një viti e gjysmë të ardhurat dytësore u ndanë në formën e shpërblimit për të gjithë punonjësit e spitalit. Më pas ky vendim u quajt i paligjshëm. Kështu, edhe sot punonjësve të shpërblyer po iu mbahen çdo muaj para nga paga derisa t‘i kthejnë arkës së shtetit shpërblimin e "pamerituar".